Dean Pineles, ish-gjyqtar amerikan i EULEX-it , duke folur në një intervistë për TëVë1 për zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale, ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se është e vështirë të bëhet dallimi nëse në Hagë po gjykohen vetëm individët dhe jo UÇK-ja.
“Nga Dhomat e Specializuara e kanë përsëritur vazhdimisht se po gjykohen vetëm individët e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por unë e kam vështirë ta bëjë dallimin. Vënia në gjyq e 4 komandantëve të UÇK-së e më pas të thuash se nuk po gjykohet organizimi gueril i tyre është e vështirë për t’ia shitur opinionit shqiptar. Unë mendoj se shqiptarët po e shohin se këtu po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.” - ka thënë ai.Ai tutje është shprehur i befasuar që prokurorisë do t’i duhen mbi 6 vjet për të paraqitur provat kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Më tej ai ka thënë se procesi i gjykimit pritet të zgjasë deri në 6 vjet, që sipas tij është një situatë përtej të zakonshmes. Pineles ka dalë në mbështetje të popullit kosovar pasi sipas tij, "ata kanë të drejtë të mendojnë se kjo gjykatë është e anshme duke pasur parasysh që në Serbi nuk po ndiqen kriminelet e luftës gjatë kësaj periudhe"
“Gjykimi pritet të jetë i gjatë rreth 6 vjet, që për mua është jashtëzakonshme. Gjatë kësaj periudhe kohore do të vijnë gjenerata të reja që mund ta shohin historinë më ndryshe. Prandaj e kuptoj shumë mirë dëshpërimin që ka populli i Kosovës. Ata kanë të drejtë të mendojnë se kjo gjykatë është e anshme duke pasur parasysh që në Serbi nuk po ndiqen kriminelet e luftës gjatë kësaj periudhe. Duhet ta pranojmë të vërtetën se ishin kriminelet serbë autorët kryesor të kësaj lufte.” - ka pohuar Pineles.
0 Comments