Vlerësim i kushtetutshmërisë së “veprimeve dhe mosveprimeve” të Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Nr. të lëndës KI129/21
Parashtruesit: Velerda Sopi
Shkarko:
·
Shqip
·
Srpski
·
English
KI129/21, parashtruese, Velerda Sopi, Vlerësim
i kushtetutshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve” të Gjykatës Themelore në
Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe
Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KI129/21, Aktgjykim, i 7 marsit 2023,
publikuar më 22 mars 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për
jetën, dhuna në familje, dështimi i autoriteteve obligimi pozitiv i
autoriteteve shtetërore për mbrojtje e të drejtës për jetë të nënës së
parashtrueses, Konventa e Stambollit, kërkesë e pranueshme, shkelje e të
drejtës për jetën
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës,
ka vendosur dhe publikuar Aktgjykimin në rastin KI129/21, të parashtruar nga
Velerda Sopi. Kjo e fundit, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni
dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës para Gjykatës
kontestoi “veprimet dhe mosveprimet” e autoriteteve shtetërore, përkatësisht,
Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit
Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe të cilat sipas
saj, rezultuan në cenimin e të drejtës për jetë të nënës së saj, përkatësisht
të ndjerës S.M., në kundërshtim me: (i) të drejtën për jetë të garantuar me
nenin 25 [E drejta për Jetën] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin
2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe
(ii) detyrimet e autoriteteve shtetërore të përcaktuara me nenet 18 (Detyrimet
e Përgjithshme), 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme) dhe 51
(Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) të Konventës së Këshillit të
Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në
Familje, përkatësisht Konventës së Stambollit.
Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme
dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë
dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë
dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të
jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën]
të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës
Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me
paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50
(Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51
(Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55
(Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin
e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Gjykata thekson se në rrethanat e rastit
konkret, dhe të cilat janë detajisht të shtjelluara në Aktgjykimin e publikuar,
bazuar në shkresat e lëndës, ishin zhvilluar dy kategori procedurash, sipas
raportimeve përkatëse për dhunë në familje. E para, sipas rastit për dhunë në
familje të raportuar më 10 nëntor 2019 dhe për të cilën procedurat përkatëse
ishin zhvilluar nga Stacioni Policor, Prokuroria Themelore dhe Gjykata
Themelore në Gjilan. Ndërsa e dyta, sipas rastit për dhunë në familje të
raportuar më 3 mars 2021 dhe për të cilën procedura ishte zhvilluar në
Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Përkitazi me kategorinë e parë të procedurave,
bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura kishte filluar me lajmërimin
e rastit për dhunë në familje më 10 nëntor 2019 në Stacionin Policor në Gjilan
dhe kishte përfunduar me 27 janar 2020 me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në
Gjilan përmes të cilit, bashkëshorti i të ndjerës S.M., ishte shpallur fajtor
për kryerjen e veprave penale të saktësuara paragrafin 1 të nenit 248 (Dhuna në
Familje) dhe nënparagrafin 3.1 të nenit 184 (Sulmi) të Kodit Penal të
Republikës së Kosovës. Siç është sqaruar në Aktgjykimin e publikuar, përgjatë
kësaj periudhe kohore, autoritetet respektive në Gjilan sipas kompetencave
përkatëse kishin: (i) vendosur masën e paraburgimit; (ii) nxjerrë Urdhrin
Mbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajsh; (iii) parashtruar
kallëzimin penal; (iv) ngritur aktakuzën; dhe (v) shpallur fajtor L.S.-në për
veprat penale të saktësuara si më lart. Thënë këtë, Aktgjykimi i publikuar vë
theks në faktin që Gjykata Themelore në Gjilan, kishte zëvendësuar dënimin me
burg të L.S.-së në dënim me gjobë prej një mijë e treqind (1,300) euro. Urdhri
përkatës i Mbrojtjes kishte skaduar më 26 nëntor 2020.
Përkitazi me kategorinë e dytë të procedurave,
bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që procedura kishte filluar me lajmërimin
e rastit për dhunë në familje më 3 mars 2021 në Stacionin Policor në Graçanicë.
Siç është sqaruar në Aktgjykimin e publikuar, bazuar në shkresat e lëndës,
rezulton që të nesërmen: (i) ishte marrë deklarata e L.S-së; dhe (ii) S.M-së,
dhe e cila sipas raportit përkatës të policisë, ndër të tjera, kishte theksuar
që “nuk është interesuar që të vazhdoj me rastin”. Më 14 mars 2021, S.M., u
privua nga jeta me armë zjarri nga L.S., i cili më pas kreu vetëvrasje.
Në kontekst të sqarimeve të lartcekura dhe
bazuar në pretendimet e parashtrueses së kërkesës, Gjykata u fokusua në
vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit përkitazi me
kategorinë e dytë të procedurave, gjithnjë në kontekst edhe të kategorisë së
parë. Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme në
kontekst të detyrimeve pozitive të shtetit që burojnë, ndër të tjera, nga neni
25 i Kushtetutës, neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe
praktikës relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,
dhe Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas
dhe Konventës së Stambollit.
Bazuar në parimet e lartcekura, dhe me theks
në kriteret që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të
Drejtat e Njeriut, përfshirë Aktgjykimet në rastet Opuz kundër Turqisë, Kurt
kundër Austrisë, X dhe Y kundër Bullgarisë dhe Landi kundër Italisë, Gjykata
vlerësoi nëse autoritetet shtetërore, përkatësisht Stacioni Policor në
Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë: (i) kishin reaguan menjëherë:
(ii) kishin bërë vlerësimin e mirëfilltë të rrezikut, dhe i cili, bazuar në
praktikën e lartcekur gjyqësore, duhet të jetë autonom, proaktiv dhe
gjithëpërfshirës; (iii) ishin në dijeni apo duhet të ishin në dijeni në lidhje
me rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e S.M.-së; dhe (iv) kishin
ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta
të S.M.-së.
Bazuar në vlerësimin e kritereve të
lartcekura, Gjykata vë theks në faktin që: (i) zyrtarët policorë të Policisë në
Graçanicë, kishin reaguar menjëherë duke dalë në vend të ngjarjes dhe marrë në
intervistë të dyshuarin L.S., megjithatë të njëjtit, ndër të tjera, nuk kishin
ndjekur hapat procedural të përcaktuar përmes Ligjit kundër Dhunës në Familje
dhe Procedurave Standarde të Veprimit, duke anashkaluar edhe plotësimin e
formave standarde përkitazi me vlerësimin e rrezikshmërisë dhe duke mos
njoftuar Qendrën për Punë Sociale dhe Mbrojtësin e Viktimave, dhe të cilët
sipas ligjit të lartcekur, do të kishin mundur të marrin hapa shtesë në mbrojtje
të S.M,-së; ndërsa (ii) Prokuroria Themelore në Prishtinë, përgjatë një
periudhe dhjetë (10) ditëshe “ishte në fazën e grumbullimit të provave dhe
informatave të nevojshme për ndriçimin e rrethanave faktike që nuk kanë qenë të
njohura për organet përkatëse”, përkundër faktit që autoritet kompetente kishin
të dhëna të sakta, pas raportimit të dhunës së 10 nëntorit 2019, përkitazi më
L.S.-në, (i) ishte lëshuar një urdhër mbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë
(12) muajsh; dhe (ii) kishte një dënim për veprën penale të dhunës në familje
dhe sulmit nga Gjykata Themelore në Gjilan. Gjykata gjithashtu vuri theks në
faktin se deklarimi i të ndjerës S.M. që “nuk kishte mundësi të paraqitej në
polici dhe kishte kërkuar që L.S. të mos burgosej, por mundësisht të lirohej”,
bazuar në detyrimet pozitive të shtetit të garantuara me nenin 25 të
Kushtetutës në lidhje me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e
Njeriut, si dhe nenet 18, 50, 51 dhe 55 të Konventës së Stambollit, nuk e liron
asnjë institucion shtetëror nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e
nevojshme të përcaktuara me ligje dhe rregullativë të aplikueshme në mbrojtje
të viktimës të dhunës në familje.
Pas vlerësimit përkatës për secilin kriter veç
e veç, Gjykata konstatoi që në kundërshtim me garancitë e lartcekura
kushtetuese, por edhe ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, përfshirë
Ligjin kundër Dhunës në Familje dhe Procedurat Standarde të Veprimit, por edhe
praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, të gjitha autoritetet
publike janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore,
autoritetet kompetente: (i) nuk kanë reaguar menjëherë; (ii) nuk kanë bërë një
vlerësim të mirëfilltë të rrezikut, dhe i cili duhet të jetë autonom, proaktiv
dhe i menjëhershëm; (iii) në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh që
L.S., tashmë ishte i dënuar paraprakisht për veprën penale të dhunës në
familje, ishin në dijeni apo ishin dashur të jenë në dijeni në lidhje me
rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e S.M.-së; dhe (iv) nuk kishin
ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta
të S.M.-së.
Në fund dhe përkitazi me efektin e këtij
Aktgjykimi, ky i fundit, vuri theks në faktin që Gjykata nuk ka autorizime
ligjore për të caktuar kompensim të dëmit për rastet kur konstaton shkelje të
dispozitave respektive kushtetuese, por sqaroi që parashtruesja e kërkesës ka
të drejtën për të shfrytëzuar mjetet e tjera juridike në dispozicion për
realizimin e mëtejmë të të drejtave për kompensimin përkatës në përputhje me
gjetjet e këtij Aktgjykimi.
Në fund, duhet të theksohet që përtej
Aktgjykimit të publikuar sot, dhe i cili saktëson detyrimet e shtetit në kontekst
të dhunës në familje dhe mbrojtjes së të drejtës në jetë, bazuar në garancitë
kushtetuese, por edhe instrumentet ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme
në rendin juridik të Republikës së Kosovë, përshirë parimet që burojnë nga
praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata
gjithashtu përmes Aktgjykimit në rastin KI41/12, me parashtrues Gëzim dhe
Makfire Kastrati, të publikuar më 26 shkurt 2013, kishte konstatuar shkelje të
nenit 25 të Kushtetutës dhe nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e
Njeriut, përfshirë shkelje të neneve 32 [E drejta në Mjet Juridik] dhe 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Ky Aktgjykim i vitit 2013,
gjithashtu kishte vënë theks në detyrimet e autoriteteve shtetërore në kontekst
të ndërmarrjes së masave të nevojshme kundër dhunës në familje dhe mbrojtjes së
të drejtës në jetë. Për më tepër, Gjykata rikujton që Konventa e Stambollit
është drejtpërdrejtë e aplikueshme në Republikën e Kosovës që nga miratimi i
amendamenteve kushtetuese më 25 shtator 2020. Kjo e fundit, përfshin edhe
detyrimin e shtetit, përkatësisht Republikës së Kosovës, për të përcaktuar
mjete juridike efektive dhe kompensim adekuat për viktimat e dhunës në familje
në rast të dështimit të shtetit për të përmbushur detyrimet përkatëse në këtë
kontekst.
0 Comments