Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tashmë ka caktuar planin se si synon t’i ndalë njerëzit të hyjnë në ishull nëpërmjet barkave. Më 2022, shumë më shumë njerëz shkuan në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria, të cilën kryeministri Rishi Sunak e ka cilësuar si “vend evropian i sigurt e përparimtar”.
Në një shkrim të martën në mbrëmje për emigrantët, mediumi britanik BBC ka treguar numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë kaluar nëpër Kanalin Anglez, nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar. Më 2020, kishin kaluar 50 anije të vogla, më 2021 800 sosh, ndërsa më 2022 mbi 12 mijë e 300.
Shumica e tyre janë burra të rritur. Numri përfaqëson rreth 1 për qind të burrave të moshës punëtore në Shqipëri, sipas të dhënave të “Eurostatit”.
“Rritja ka qenë eksponenciale dhe ne mendojmë se është për shkak se bandat kriminale shqiptare kanë fituar një bazë në veri të Francës”, ka thënë komandanti britanik Dan O’Mahoney në Komisionin Parlamentar për Çështje të Brendshme.
Si u garantohet azili emigrantëve shqiptarë?
Në vitin 2022, 85 për qind e shqiptarëve që kanë shkuar në Britani të Madhe me barka të vogla, kanë kërkuar azil. Vetëm 68 prej tyre (0.7 për qind) kanë pranuar vendimin fillestar dhe asnjërit s’iu ofrua statusi i refugjatit.
Në përgjithësi, 53 për qind e kërkesave të shqiptarëve janë procesuar. Shumica e aplikimeve janë të grave dhe fëmijëve.
Agjencia kombëtare britanike antikrim ka thënë se disa prej emigrantëve shqiptarë rrejshëm kanë deklaruar se janë viktima të trafikimit, duke përdorur letra standarde për të aplikuar për ndihmë.
Më 2022, 13 për qind e shqiptarëve (1719) që kanë arritur me anije të vogla, u referuan te Mekanizmi kombëtar për skllavëri moderne. Është numri më i lartë se për çdo shtet tjetër.
Emigrantë të tjerë shqiptarë u zhdukën dhe punojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, para se të kthehen në shtëpi, sipas O’Mahoney.
Shqiptarët mund të hyjnë në Britani të Madhe me vizë turizmi, biznesi a studimi.
Më 2022, Britania ka marrë 31 mijë e 965 aplikime për viza nga shtetasit e Shqipërisë. Nga to, i miratoi 22 mijë e 359, sipas të dhënave zyrtare.
Si dallon Britania nga pjesa tjetër e Evropës?
Në nëntë muajt e parë të 2022-s, Franca procesoi më shumë aplikime azili nga shqiptarët sesa Mbretëria e Bashkuar, por i refuzoi shumicën e tyre. Gjermania dhe Greqia ndjekin Francën, ndërsa Britania qëndron pas tyre.
Sa shqiptarë i ka kthyer Britania e Madhe?
Në 12-mujorin që përfundoi në shtator 2022, 900 shqiptarë u dëbuan nga Britania, ndërsa 469 të tjerë u kthyen vullnetarisht.
Shqiptarët paraqesin numrin më të madh të mërgimtarëve të kthyer prapa në këtë 12 mujor.
Më 12 janar 2023, Britania dëboi 43 shqiptarë drejt Shqipërisë – 27 kishin të kaluar kriminale.
Kryeministri Sunak ka thënë se dëshiron ta rrisë numrin e të kthyerve në Shqipëri duke caktuar 400 specialistë që i procesojnë rastet e shqiptarëve, duke përforcuar kriteret që dikush të konsiderohet “viktimë e skllavërisë moderne”, si dhe udhëzues të ri për rastet e punës pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe synon t’i dërgojë zyrtarët britanikë në aeroportin e Tiranës.
Përse largohen shqiptarët nga Shqipëria?
Më 7 dhjetor 2022, Qirjako Qirko, ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, u pati thënë deputetëve se emigrantët synojnë këtë shtet për shkak të mundësive për biznes. Ai po ashtu ka thënë se disa pretendojnë të jenë viktima të skllavërisë moderne. Duke folur para deputetëve, eksperti ballkanas Andi Hoxhaj ka thënë se rreth 40 për qind e njerëzve ikin nga Shqipëria për “mundësi ekonomike”.
Tri dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60 për qind e popullatës së rritur dëshiron të largohet, sipas të dhënave të Gallupit, të publikuara në dhjetor 2018. Korrupsioni, paga e ulët e kushtet e këqija të punës kanë qenë arsyet që ata kanë përmendur për largim.
Të ardhurat mesatare vjetore neto të familjeve në Shqipëri ishin vetëm 1,997 euro në 2018, sipas shifrave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ishin 21,464 euro.
Papunësia e të rinjve shqiptarë ishte rreth 20 për qind.
Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe negociatat i ka hapur në korrik 2022. Aktualisht shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza në BE dhe të qëndrojnë për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe, si turistë. Nuk kanë të drejtë automatike për të punuar, studiuar apo jetuar.
Shqetësimet për bandat shqiptare
Në fjalimin e tij para deputetëve për emigrantët shqiptarë, O’Mahoney ka thënë se “padyshim që ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë – por është një numër i madh që po synon të luajë me sistemin”. Ai ka theksuar këtu rolin e bandave kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas autoriteteve, këto banda janë përgjegjëse për importimin e kanabisit dhe udhëheqin tregun e kokainës në Britani, në vlerë prej pesë miliardë funtesh. Më 2017, një shtetas shqiptar u burgos pasi u kap me kokainë në vlerë 60 milionë euro.
Shqiptarët zënë grupin më të madh të shtetasve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit. “Britania duhet t’i luftojë grupet kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalë diskriminimin ndaj shqiptarëve për të arsyetuar dështimet politike”, pati thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kohë më parë.
0 Comments