Analisti i njohur britanik, Mark Leonard, e përmbys perspektivën që na ka frymëzuar deri më sot:E gënjyem veten se globalizimi do t’i afronte më shumë kombet me njeri-tjetrin, sepse në vend të kësaj po shihet se lidhjet e ngushta janë një armë në vetvete. Po ashtu e mashtruamveten se globalizimi do të çonte në një epokë paqeje të përhershme, por në fakt siç e thotë dhe titulli i librit të ri të Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, përfunduam në një epokë të jo-paqes. Dhe arsyeja qëndron në nëntitullin e këtij libri:Lidhshmëria të çon drejt konfliktit.
Dikur na u tha se historia kishte mbaruar dhe se bota ishte e “sheshtë”. Çfarë shkoi keq?
Forcat që bënin dikur bashkë botën, që supozohej t’i jepnin fund historisë dhe të krijonin një komunitet global, kanë një “binjak të lig” që po na distancon nga njëri-tjetri dhe që krijon tensione dhe dobësi. Kjo është historia e viteve të fundit. Shumë nga prirjet që i pamë si krejtësisht pozitive, përfunduan duke pasur efektin e kundërt.
Nëse mendojmë për forcat që do t’i jepnin fund historisë në fundin e Luftës së Ftohtë, e para ishte tregtia. Por sot edhe ajo është shndërruar në një fushë beteje me sanksione dhe kontrolle të teknologjisë. Nëse mendojmë mbi migrimin, që synonte të krijonte një “fshat global”, ky fenomen ka çuar në fakt në tensione të mëdha për shkak të mënyrës se si ndryshon demografia e vendeve ku mbërrijnë emigrantët.
Por po ashtu është kthyer edhe në një armë politike, ashtu siç e ka përdorur së fundmi edheVladimir Putin. Teknologjia dhe interneti synonin të krijonin një botë të bashkuar, por në fund ne kemi parë polarizim dhe fragmentim. Themelet e globalizimit janë shndërruar në një armë.
Prandaj ju shkruani se tashmë është i vjetruar dallimi midis luftës dhe paqes…
Forcat e globalizimit na kanë dhënë një grup armësh, të cilat nuk i kishim më parë. Kjo është arsyeja pse dallimi është i vjetruar, sepse më parë mënyra për të pasur konflikte ishte e përqendruar rreth territoreve. Ndërkohë sot mund të keni konflikte pa përfshirë fare ushtarët.Kjo ndodh me shndërrimin në armë të furnizimeve me energji, marrëdhënieve tregtare dhelëvizjeve të njerëzve.
Kjo do të thotë që kemi konflikte të përhershme. Pra nuk jemi si në kohën e Leo Tolstoit, kur kishim një periudhë paqeje, të ndjekur nga një periudhë lufte, e cila pasohej nga një periudhë tjetër paqeje. Sot mund të mos kemi një luftë zyrtare, por në të njëjtën kohë, në vend të një epoke të artë paqësore, kemi kaq shumë tensione dhe konflikte.
Prandaj mënyra më e mirë për të kuptuar se ku jemi tani, është përmes termi “jo-paqe”.
Ai tregon më së miri se si është zhdukur dallimi i dikurshëm, dhe se është e vështirë të imagjinohet të jetojmë në një gjendje ku dominon rregulli, sepse vetë marrëdhëniet që kemi me njëri-tjetrin janë kthyer në një armë.
Pse lufta në Ukrainë është mishërim i këtij lloj konflikti?
Në pamje të parë, lufta në Ukrainë duket si një konflikt i modës së vjetër, me tanke dhe imazhe që duket se na vijnë nga Lufta e Parë Botërore. Por njëkohësisht mënyra dhe arsyet për të cilat luftohet sot, janë tërësisht të ndryshme. Ajo që e shkaktoi luftën aktuale ishte lidhja, pra lidhja e Ukrainës me Perëndimin.
Në fakt lufta nisi që në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë, dhe ajo që e shkaktoi atë është fakti që Kievi donte të nënshkruante një marrëveshje asociimi me BE-në. Por më e rëndësishme është mënyra se si luftohet sot. Lufta sillet rreth teknologjisë dhe lidhjeve, fusha e betejës është transformuar.
Kemi të bëjmë me një luftë teknologjish dhe të inteligjencës. Ukrainasit përdorin aplikacionetnë telefonat e tyre, satelitët, dronët që drejtohen nga inteligjenca artificiale, tamam si në video–lojëra. Duke parë përtej fushave të betejës, presioni më i madh ndaj Rusisë ka qenë përmes sanksioneve dhe kontrolleve mbi teknologjinë, ndërsa përgjigja ruse ka qenë përmes sulmeve kibernetike, manipulimit të çmimeve të energjisë dhe miliona refugjatëve. Pra lufta në Ukrainë është njëherazi një konflikt me tiparet e shekullit XXI, por edhe një konflikt i ngjashëm me ato të shekujve XIX dhe XX.
A do të përfundojë edhe kjo luftë në një gjendje të përhershme jo–paqeje?
Është shumë e vështirë se si mund të arrihet një traktat formal paqeje midis Kievit dhe Moskës. Por edhe nëse do të ishte e mundur, Rusia nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e saj për dhënien e ryshfeteve, përhapjen e dezinformatave, ndërhyrjen në tregjet e energjisë.
Këto instrumente janë pjesë e arsenalit të saj.
Në kampin euro-amerikan, kompanitë shumëkombëshe janë tërhequr nga Rusia, dhe unë nuk mendoj se do të rikthehen më atje. Prandaj ky nivel i lartë i tensionit do të vazhdojë, dhe gjykoj se do të jetë shumë e vështirë që evropianët të rikthehen në botën ku jetonin para 24 shkurtit 2022.
Evropa kishte vënë kryesisht bast mbi efektin e dobishëm të globalizimit. A duhet ta ri-mendojë rolin e saj?
Lufta në Ukrainë është shumë e dhimbshme për qytetarët evropianë, sepse është një krizë filozofike dhe intelektuale, por edhe humanitare. BE-ja është një projekt paqeje i projektuar rreth idesë për ta bërë luftën të pamundur. Por tani integrimi evropian po ecën përpara i nxitur nga lufta.
Kalimi nga një projekt paqeje në një projekt lufte, është shumë i vështirë në aspektin politik, por është gjithashtu edhe një revolucion intelektual. Ekonomia jo vetëm që po përdoret si një armë përmes sanksioneve, por ne kemi tani një ekonomi lufte, me një planifikim industrial dhe përfshirje të shtetit. Pastaj është çështja e ndërvarësisë, e cila menduam se do t’i kthente armiqtë në miq dhe do të krijonte një botë pa konflikt. Por tani e kemi kuptuar se ndërvarësia na hap ndaj të gjitha llojeve të dobësive, na vendos në një pozicion dobësie.
Një tjetër ndryshim i madh po ndodh fushën e ideve…
Ne menduam se ishim në fund të historisë, sepse të gjithë u orientuan nga modeli evropian. Por sot e kuptojmë se ka shumë ide të tjera se si duhet të funksionojë bota. Modeli evropian është i bukur, por ai konkurron me të tjerët në botë, dhe kjo do të thotë se në vend se të jemi universalistë, jemi bërë partikularistë, pra punojmë për të ruajtur vlerat tona në një botë që nuk i zbaton ato. Ëndrra e vitit 1989 ka shkuar shumë keq. Ne duhet ta ri–imagjinojmë se si funksionon bota dhe si mund të përshtatet në të projekti evropian.
Në vitin 2005, ju shkruat një libër me titull “Pse Evropa do të udhëheqë në shekullin XXI-të”. Edhe libri juaj i ri duket se ka lindur nga një zhgënjim i madh personal….
Ai libër ishte një letër dashurie për projektin evropian. Por në vitin 2016, viti i Brexit dhe i zgjedhjes presidenti të Donald Trump, unë pashë se të gjitha gjërat që më dukeshin të mrekullueshme, u interpretuan si kërcënime nga 52 për qind e britanikëve. Pra u panë si gjëra që i bënin ata më të varfër dhe më të pambrojtur.
Kjo më nxiti të përpiqem të kuptoj se si mund të kemi dy mënyra thelbësisht të ndryshme për të kuptuar përvojat e disa dekadave të fundit. Është interesant fakti që dy vendet më thelbësore për globalizimin, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, janë ato që kanë përjetuar revoltën më të madhe kundër tij.
Unë kam mbërritur në përfundimin se ekziston diçka shumë e gabuar mbi optimizmin ndaj ndërvarësisë midis shteteve. Jo sepse nuk e besoj që integrimi është diçka e mrekullueshme. Por ai e ka një anë të errët dhe përveç fituesve krijon edhe humbës. Dhe kjo më nxiti tëmendoj se kemi nevojë për një politikë të re.
Jo për të ndërtuar mure, por për ta bërë të sigurt ndërvarësinë. Ne duhet ta largojmë rrezikun nga ndërvarësia dhe të mbajmë gjërat më të mira të globalizimit. Globalistët duhet taç’armatosin ndërlidhshmërinë, dhe të heqin elementët toksikë nga ndërvarësia. Nuk duhet të ketë një ndarje midis nacionalistëve dhe globalistëve, por midis lidhjeve të rregulluara dhe atyre të parregulluara. / the week – bota.al
0 Comments