Header Ads Widget

Njoftim për tatimpagues - Lësho kuponë fiskal edhe për shitjet online!

  Njoftim për tatimpagues - Lësho kuponë fiskal edhe për shitjet online!

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat se furnizimi i mallrave dhe/ose shërbimeve në mënyrë elektronike (përmes internetit) është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër. Tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.
Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore.
Kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.
Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale. Kjo do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t'ia dërgojë klientit së bashku me produktin.
Nëse do të lëshohet një kupon fiskal i veçantë për furnizimin e mallrave të porositura përmes internetit (online), varet nëse kostoja e dorëzimit (transportit) është përfshirë në atë çmim të furnizimit. Nëse kostoja e dorëzimit (transportit) përfshihet në çmimin e mallit të paguar nga klienti, kjo do të tregohet në kupon fiskal si artikull i veçantë. Megjithatë, nëse çmimi i paguar nga klienti i referohet vetëm mallrave pa kosto të dërgesës (transportit), atëherë kompania e transportit është e detyruar të lëshojë një kupon fiskal të veçantë për kostot e transportit. Në këto raste, kostot e dorëzimit (transportit) duhet të tregohen gjithmonë në vetë faqen e internetit, përmes së cilës furnizohen mallrat dhe/ose shërbimet.
Çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtroj të drejtat e tij si konsumator, është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është marrja e kuponit fiskal.
Andaj, një kupon fiskal është dëshmi se tatimi është llogaritur dhe paguar për një blerje të caktuar. Këto mjete përmes të hyrave buxhetore kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilat më tutje përdoren për ndërtimin e infrastrukturës publike, spitaleve, shkollave, çerdheve për fëmijët, etj., nga të cilat projekte përfitojnë drejtpërdrejt apo indirekt qytetarët.
Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në “luftimin” e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë.
Krijo mirëqenie të përgjithshme, merr Kuponin Fiskal!
Administrata Tatimore e Kosovës
May be an image of text
All react

Post a Comment

0 Comments

Technology