Header Ads Widget

Mill-i, fjala e lirë dhe mediat sociale

 Nevin Chellappah


Është padyshim vlera kryesore në demokracitë liberale dhe themeli i lirive tona të tjera. Mbështetja e zjarrtë e fjalës së lirë nga kaq shumë njerëz sot mund të gjurmohet në arsyetimin e John Stuart Mill ,në Kapitullin 2 të esesë së tij “Mbi Lirinë” (1859). Mill ngrinte një argument të fuqishëm për lejimin e fjalës së lirë, sepse, thoshte ai, ajo është thelbësore në kërkimin e së vërtetës.

Megjithatë, ndërsa Mill kishte një konceptim të qartë për dobitë e fjalës së lirë, shumë nga mbrojtësit e saj sot, priren ta shohin si një të mirë prima facie: diçka që duhet lejuar përveç rasteve kur ka një arsye të veçantë që nuk e lejon.

Implikimi është se liria e fjalës ka një vlerë të qenësishme, jo vetëm instrumentale, dhe kjo sugjeron një ndryshim thelbësor në mënyrën se si ne e kuptojmë atë. Prandaj, në këtë artikull do të argumentoj se versioni klasik liberal i fjalës së lirë i përkrahur nga Mill nuk është më i pajtueshëm me epokën dixhitale, veçanërisht për mediat sociale.

Argumenti i Mill-it për fjalën e lirë

Së pari, më lejoni të parashtroj rrëfimin e Millit për lirinë e fjalës. Shqetësimi i tij i parë tek “Për Lirinë” është për shtypjen e opinioneve nga një autoritet. Për Mill-in:

“E keqja e veçantë e heshtjes me forcë të shprehjes së një opinioni është se po grabit racën njerëzore; pasardhësit si dhe brezin ekzistues; ata që kundërshtojnë mendimin, akoma më shumë se ata që e mbajnë atë. Nëse mendimi është i drejtë, ata privohen nga mundësia e shkëmbimit të gabimit me të vërtetën: nëse është i gabuar, humbasin, atë që është pothuajse po aq dobiprurës, perceptimin më të qartë dhe përshtypjen më të gjallë të së vërtetës, të prodhuar nga përplasja e saj me gabimin. (fq.19).

Në përgjigje të censurës që paraqitet si një sistem i besueshëm për të filtruar shprehjet e vërteta nga ato të rreme, Mill thotë se nuk ka censurë të përsosur. Kjo tregohet nga historia, me epokat e kaluara që shtypin idetë, të cilat tani pranohen të jenë të vërteta (vjen në mendje censurimi i Galileos nga Kisha Katolike). Theksimi prej tij, se “faktet dhe argumentet, për të prodhuar çfarëdo efekti në mendje, duhet të sillen përpara saj (mendjes)” (f.22) ilustron besimin qendror të Mill-it në rëndësinë e një shumëllojshmërie pikëpamjesh dhe vlerën e mendimit individual.

Argumenti i Mill-it për lirinë e fjalës mund të kondensohet si më poshtë:

Premisa 1: E vërteta është e vlefshme dhe njerëzit duhet të lejohen të arrijnë në besimet e vërteta.

Premisa 2: Liria e fjalës u mundëson njerëzve të arrijnë në besimet e vërteta.

Përfundimi: Prandaj, liria e fjalës është e vlefshme dhe duhet promovuar dhe mbrojtur.

Kjo tregon se Mill-i e ngushton fokusin e tij në një aspekt specifik të fjalës së lirë: diskutimin e lirë. Fjala e lirë, sipas Mill-it, nënkupton lirinë për të shprehur një mendim. Kjo mund të thjeshtohet edhe më tej në lirinë për të pohuar një propozim. Prandaj Mill-i e kupton fjalën si një veprim në kërkimin e dijes. Ndërsa një vlerësim i tillë i fjalës si një mjet për ta bërë këtë është thelbësor, Mill-i nuk mund të anashkalojë kundërshtimet e mëdha që nxjerrin në pah mediat sociale në rastet kur fjalimi kryen një veprim tjetër. Mediat sociale u profetizuan si një kërcim dixhital në diskursin demokratik, i modeluar qartë sipas “tregut të ideve” të Mill-it, duke e zgjeruar atë në një treg global. Por, siç e dimë tani, mediat sociale nuk shërbejnë kryesisht për shpërndarjen e njohurive.

Në botën moderne, mediat sociale veprojnë si mjeti parësor i komunikimit përtej kufijve, prandaj duhet të shqyrtojmë se cili kuptim i fjalës së lirë është i zbatueshëm në këtë peizazh. Vlen të pyesësh nëse përkufizimi i Millit për lirinë e fjalës gjen ende zbatim në këtë hapësirë dixhitale.

Emocionet kundrejt ideve

Mediat sociale paraqesin tre sfida të mëdha për kuptimin e Mill-it mbi lirinë e fjalës. Gjëja më e menjëhershme është se nuk bën dallim ndërmjet shkëmbimit të ideve dhe shkëmbimit të reagimeve emocionale. Kjo për shkak se mediat sociale nuk shpërblejnë vlerën e vërtetë të propozimeve. Përmbajtja promovohet bazuar në popullaritetin e saj dhe jo në të vërtetën që mbart. Gjithashtu, fakti që mediat sociale përdoren shpesh për relaksim ose thjesht zbavitje do të thotë se deklaratat ‘emocionale’ – deklarata të formuara nga ndjenja apo qëndrime dhe jo nga, të themi, argumentet racionale – janë shpesh tërheqëse. Përmbajtja emocionale është më e lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u lidhur, dhe kjo ka bërë që një përmbajtje e tillë të dominojë në platformat dixhitale. Dëshira për të gjeneruar reagime emocionale dhe për të kërkuar miratimin e ndjekësve dhe miqve rezulton në shtyrjen e debatit intelektual në skaje. Në vend të tij, pretendimet emocionale perceptohen si propozime të bazuara në fakte. Siç vë në dukje Adam Moore (në Social Philosophy & Policy, Vol 37:2, 2021), nëse i jepet legjitimitet një akti të të folurit të mediave sociale bazuar në numrin e pëlqimeve ose shpërndarjeve, “mekanizmat e ruajtjes së cilësisë, kushtuar kërkimit për të vërtetën… bëhen të parëndësishme.”

Padyshim, kjo ndryshon shumë nga ajo që Mill-i kishte në mendje kur mbronte fjalën e lirë. Kjo mospërputhje sugjeron që koncepti i Mill-it për lirinë e fjalës është i pazbatueshëm në epokën dixhitale. Por ndoshta kjo distancë rrjedh nga idealizmi i Millit? Për të, fjala e lirë ishte për të kërkuar dije që mund të vihej në veprim. Mbrojtja e fjalës së lirë nga Mill-i duket më tepër si, siç vëren Piers Norris Turner, “një mbrojtje e moskufizimit të pikëpamjeve në diskutimin publik, të sinqertë dhe mendjehapur” (Utilitas 33:2, 2021). Besimi i nënkuptuar idealist i Mill-it, se liria e fjalës vlen kryesisht për akademinë ose politikën, do të thotë se kuptimi i tij për të është i kufizuar.

Çështja themelore nga e cila buron kjo sfidë ndaj kuptimit të Mill-it për lirinë e fjalës është madhësia e “tregut të ideve” të mediave sociale. Një platformë globale është shumë e madhe për diskutime produktive dhe tërheqëse, sepse ndikohet nga ajo që Moore e quan ‘ndotje e përmbajtjes’. Mbibollëku i përmbajtjes e detyron komunikimin t’i japë përparësi angazhimit emocional, mbi kuriozitetin intelektual, për shkak të preferencës për përmbajtje më të ‘përdorshme’. Beteja Darviniane nuk kërkon më të vërtetën, por vëmendjen. Argumenti i Mill-it ishte në radhë të parë përpjekja për të vendosur një lidhje midis diskutimit të lirë dhe të mirës së njerëzimit, por shumë, në mos shumica, e të folurit në mediat sociale ka pak ose aspak vlerë pozitive në këtë kuptim; e megjithatë një diskurs i tillë vlerësohet. Kjo tregon se kuptimi i Mill-it për të folurin si një akt i kërkimit të dijes është dëmtuar fuqishëm nga mediat sociale.

Megjithatë, kjo sfidë nuk është e pakapërcyeshme. Zgjerimi i të kuptuarit të fjalës së lirë për të përfshirë përgjigjet emocionale që jo gjithmonë të çojnë tek e vërteta, si dhe diskutimi i ideve duket si një zgjidhje praktike, e cila nuk e ndryshon dramatikisht rrëfimin klasik liberal. Ai ruan themelin e pikëpamjes së Mill-it, ndërkohë që shton dimensionin modern të vlerësimit të diskutimit emocional, i cili ka pak ose aspak orientim intelektual. Ndoshta si fëmijë i internetit, që e kam njohur gjithmonë këtë formë të të folurit, nuk mendoj se kjo është një e metë fatale për fjalën e lirë në epokën dixhitale. Mediat sociale formohen nga shfaqje subjektive njerëzore që rezonojnë emocionalisht dhe ofrojnë pamje të njerëzimit tonë të përbashkët. Nuk mund të mos e mirëpres këtë shprehje të zgjeruar.

Ndërsa Mill-i mund të mos e miratojë, rrëfimi i tij mund t’i mbijetojë sfidës së parë duke njohur dy format e diskutimit në mediat sociale. Megjithatë, kjo nuk e zgjidh problemin nëse media sociale është një treg i vërtetë idesh.

Nuk është një treg i lirë i ideve

Sfida e dytë e paraqitur nga media sociale ndaj kuptimit të Millit për lirinë e fjalës është se ajo nuk lehtëson një “treg të vërtetë idesh”. Diversiteti dhe individualiteti i pikëpamjeve nuk duartrokiten, por shahen dhe sulmohen.

Mediat sociale financohen përmes tregtimit të të dhënave personale për reklamuesit. Algoritmet kategorizojnë opinionet dhe të dhënat personale përdoren më pas, siç thekson Richard Sorabji, “për të targetuar përdoruesit me informacione ose dezinformata, të përshtatura për personalitetin e tyre” (Social Philosophy & Policy, Vol 37:2) – me fjalë të tjera, për t’u dërguar njerëzve përmbajtje që përqendrohet në idetë me të cilat ata tashmë bien dakord. Idetë ripohohen në vend që të sfidohen, dhe për rrjedhojë, grupet e mediave sociale konfirmohem në të vërtetën e tyre të dukshme objektive. Ky pohim çon në rritjen e armiqësisë kur ato grupe ekspozohen ndaj atyre që nuk ndajnë pikëpamjet me ta.

Ky problem përkeqësohet vetëm nga mungesa e debatit të arsyetuar, i zëvendësuar me retorikë emocionale, duke çuar në një zbehje të kuptimit të fjalëve të cilat më pas hidhen si terma abuzimi – ndoshta e ilustruar më së miri në Ligjin e Godwin-it: “Teksa argumenti përparon në internet, shanset që nazistët të përmenden rriten në mënyrë eksponenciale”. Një qëndrim armiqësor dhe shfaqet shpesh ndaj kujtdo që ka pikëpamje të kundërta. Si rezultat i algoritmeve që segmentojnë audiencën dhe përforcojnë opinionet, shfaqen zona në të cilat zërat e moralistëve të mbushur me urrejtje janë tiranikë dhe të fuqishëm. Rrjedhimisht, mediat sociale mund të shemben lehtësisht në një treg të mbushur jo me ide, por me mashtrime intelektuale.

Reagimet emocionale nuk janë në thelb të gabuara, por në mediat sociale ka të ngjarë të përforcohen përmes një lloj reagimi pozitiv nxitës. Në një furi indinjate, ‘drejtësia’ e çhumanizon bisedën dixhitale. Për më tepër, ‘debati’ nuk udhëhiqet nga fakte dhe argumente, dhe kështu opinionet e gabuara nuk i nënshtrohen gradualisht fakteve dhe argumenteve siç parashikonte Mill-i. Përkundrazi, abuzimi rrëshqet lehtësisht në internet, sepse diskursi i mediave sociale ndez emocionet dhe shumë shpejt emocioni dominues është zemërimi.

Kuptimi i Mill-it për lirinë e fjalës sfidohet si joefektiv për t’u përballur me këtë. Ai kishte frikë se mosmiratimi social do të përdorej si një formë censure, me pikëpamjet e shumicës që fshijnë opinionet e pakicës. Megjithatë, ky duket pikërisht drejtimi i mediave sociale, për shkak të mungesës së një mekanizmi adekuat për lehtësimin e shkëmbimit efektiv të ideve.

Megjithatë, ndoshta filozofia e Mill-it ka burime të tjera që mund të ndihmojnë. Parimi i famshëm i “dëmtimit” që ai mbron gjetkë – tek “Mbi lirinë”, thotë se kufijtë e vetëm të vendosur në lirinë personale duhet të jenë parandalimi i dëmtimit të të tjerëve. Angazhimi i tij ndaj këtij parimi shpesh është keqkuptuar për shkak të faktit, se sa me kursim është i gatshëm ta përdorë atë për të sanksionuar kufijtë e fjalës së lirë. Në vend që të fokusohet në dëmin që mund të prodhojë diskursi, Mill-i e lidh parimin e dëmit me synimet e tij edukative dhe demokratike për ligjërimin publik.

Prandaj, që liria e fjalës së Mill-it t’i rezistojë kësaj sfide, duhet shtuar vërejtja se urrejtja nuk çon në besime të vërteta, por në fakt mjegullon gjykimin. Kjo pastaj mund të sigurojë që argumenti i Mill-it për vlerën e opinioneve të gabuara të mbetet i pajtueshëm me mediat sociale, për sa kohë që opinionet janë të civilizuara në prezantimin e tyre dhe në reagimin e tyre ndaj sfidimit.

Anonimiteti shkatërron debatin

Problemi i tretë, dhe më sfidues, i mediave sociale për markën e fjalës së lirë të Mill-it, është fakti që ajo nxit anonimitetin. Autonomia është shpesh në qendër të argumenteve në favor të fjalës së lirë, dhe të njëjtat argumente janë aplikuar për mediat sociale. Liria konsiderohej se kërkonte autonomi; por pas zhvillimit të platformave online, ne tani e konsiderojmë anonimitetin si një autonomi të nevojshme. Kjo ndonjëherë konsiderohet si një situatë më demokratike, sepse do të thotë se gjykohen vetëm opinionet, jo personi. Aftësia për të qenë anonim, të paktën në kuptimin e të qenit i shkëputur nga pasojat, ishte një pikë e shkëlqyer shitjeje për mediat sociale. Robert Post madje thotë, “mundësia që personazhi juaj dixhital të ketë më shumë të vërteta sesa realiteti juaj” sugjeron që mediat sociale kanë lejuar më shumë vetë-njohje (Fjala e Lirë në Epokën Dixhitale, 2019).

Për mua këto konsiderata kujtojnë katër konceptet e Joel Feinberg-ut për autonominë – një prej tyre është “aftësia për të qeverisur veten, për vetë-realizim brenda kufijve moralë” (Notre Dame Law Review, 58:3, 1983). Ideja se vetë-realizimi duhet të jetë një proces i pavarur bie mirë në aspektin e ndërtimit të autonomisë së fjalës dhe shprehjes së lirë në mediat sociale: ne jemi të zhvendosur nga vetvetja dhe në vend të kësaj, na jepet një identitet i ri për të zbuluar ide të reja.

Për Millin, fjala e lirë mundëson lulëzimin e ideve, të cilat nga ana tjetër çojnë në lulëzimin e vetvetes. Pra, argumente të tilla mbështesin besimin e Mill-it se të folurit ka përfundpasojaime të mira për sa i përket vetë-përmbushjes sonë. Megjithatë, në dritën e ndotjes së përmbajtjes, argumentet e autonomisë për mediat sociale janë mjaft anemike, sepse cilësia dhe rëndësia janë të rrezikuara nga persona të rremë dhe të parëndësishëm. Edhe pse shumë lloje të shprehjes janë ose ndërtues ose mbrojtës të autonomisë, është gjithashtu e vërtetë se shumë shprehje janë pothuajse tërësisht shkatërruese, ose, më e keqja, të pakuptimta. Stanley Fish pohon se “diskursi me pak fjalë nuk është kurrë një vlerë në vetvete, por prodhohet gjithmonë brenda rrethinave të ndonjë konceptimi të supozuar të së mirës”. Fakti që shumë përmbajtje anonime në mediat sociale nuk synojnë qëllimin, gjithashtu duket i papajtueshëm me atë të Mill-it.

Mill-i mendonte se mbrojtja e fjalës së lirë do t’i inkurajonte njerëzit të ofronin mendimet e tyre. Për më tepër, dëshira për të shmangur mosmiratimin shoqëror do t’i inkurajonte njerëzit të përsosnin argumentet e tyre, të siguronin prova të duhura dhe t’i promovonin ato në një mënyrë të civilizuar. Por turpi nuk ekziston në bisedat anonime. Kjo ka edhe përfitime edhe disavantazhe. Nga njëra anë, siç e kupton Moore, “lidhjet midis privatësisë, autonomisë dhe lulëzimit janë të forta dhe të rëndësishme”. Nga ana tjetër, pa pasoja sociale, njerëzit ndihen të fuqizuar për të thënë gjithçka që duan. Kjo tregon një problem themelor të cilin versioni i Mill-it nuk mund ta trajtojë në epokën dixhitale: ‘fjala e lirë’ nuk do të thotë ‘fjalë pa pasoja’. Mill nuk thoshte shumë për këtë, sepse për të pasoja e vërtetë ishte nëse një opinion i mbijetonte testit të tregut.

Fjala duket e lidhur pazgjidhshmërisht me një individ, por aftësia për të distancuar një individ nga ajo që thotë, deri në pikën që nuk ka asnjë efekt tek ai përbën një sfidë të rëndë për lirinë e fjalës. Pra, argumenti i Mill-it nuk mund të përballojë problemin e papërgjegjshmërisë së mediave sociale; ndoshta asnjë version i fjalës së lirë nuk mundet. Mediat sociale kanë hequr të mirat e zhvillimit mendor, drejt të cilit përpiqet të synojë liria e fjalës së Mill-it, dhe rrjedhimisht, kjo ka ndryshuar rrënjësisht vlerën e fjalës. Prandaj, kuptimi i fjalës së lirë nga Mill-i nuk mund t’i mbijetojë problemit të anonimitetit.

Konkluzione

Efektet e teknologjisë në komunikim gjejnë jehonë tek Phaedrusi i Platonit. Sokrati tregon legjendën e perëndisë egjiptiane Thoth, që i paraqet artin e të shkruarit mbretit Thamus si një dhuratë për popullin e tij. Thoth thotë se është një ilaç për kujtesën, por Thamus përgjigjet se do t’i japë vetëm dukjen e kujtesës – në fakt do të dëmtojë aftësinë e njerëzve për të mësuar dhe mbajtur mend realisht. Neil Postman na nxit që ta marrim parasysh këtë mit paralajmërues, por si korrigjues ndaj gjykimit të Thamus-it, vëren se “teknologjia është edhe një barrë edhe një bekim, jo ose-ose, por edhe-edhe”.

Megjithatë, nuk mund të mos besoj se rënia e mundshme e fjalës së lirë klasike liberale nuk është një e metë fatale e epokës dixhitale, por përkundrazi një pasojë e paqëllimshme e zhvillimit teknologjik që do të duhet të kapërcehet ashtu si çdo problem tjetër i paraqitur nga teknologjia e re. / Philosophy Now – Bota.al

Post a Comment

0 Comments

Technology