Prishtinë- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimi të Gjykatës së Apelit, me të cilin janë refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B. dhe G.G., në procedurën e konfliktit administrativ ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke vërtetuar vendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e noterëve.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se vendimi i Apelit i hap rrugë shpalljes së konkursit për noterë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më në fund, pas gati 3 vitesh, përmbyllet procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë çka i hapë rrugë shpalljes së konkursit për noterë. Dua të njoftoj qytetarët se brenda një kohe të shkurtër do të themelojmë Komisionin përgjegjës dhe do të shpallim konkursin për noterë”, shkruan Haxhiu.
Ajo premtoi që procesi do të jetë transparent dhe nuk do të përsëriten situatat e ndërhyrjes në proces.
“Procesi do të jetë transparent e profesional dhe se nuk do të përsëriten situatat e ndërhyrjes në proces e nuk do të përdoren metodat e përzgjedhjes së personave mbi baza familjare, partiake apo biznesore siç pati ndodhur me konkursin e kaluar”, shkruan tutje ministrja.
Ndryshe, Apeli përmes një komunikate ka njoftuar se janë refuzuar ankesat e paditësve, ndërsa janë vërtetuar aktvendimet e Themelores, të 24 dhe 28 qershorit, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues“Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AA.nr.744/2022, të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.529/2020, të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit propozim paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura, të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noter.
“Përndryshe duhet sqaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, si gjykatë e shkallës së parë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Q.S., etj. dhe e kishte anuluar vendimin e të paditurës – Ministria e Drejtësisë, nr.15/2020, nr. prot. 01-173, të datës 24 shkurt 2020, si të kundërligjshëm, njëherit duke vërtetuar se procesi i provimit për noterinë i shpallur me datën 19 prill 2019, nga e paditura Ministria e Drejtësisë, është i ligjshëm dhe i drejtë”, thuhet më tej.
0 Comments