Sektori bankar në Kosovë gjysmën e parë të vitit 2022 realizoi fitim në vlerë prej 67.5 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar që nga themelimi i sektorit bankar për periudhën e gjashtëmujorit të parë.
“Ky rezultat financiar i atribuohet rritjes më të lartë të të hyrave, mbështetur nga rritja e përshpejtuar e kreditimit, dhe njëkohësisht, rritjes më të ulët të shpenzimeve”, thuhet në raportin e BQK-së “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”.
Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 168.9 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.6 përqind (11.1 përqind një vit më parë). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 71.2 përqind të gjithsej të hyrave.
Përderisa, kategoria e të hyrave nga jo interesi shënoi rritje më të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë, prej 13.3 përqind (23.9 përqind në qershor 2021), dhe arritën në vlerën prej 42.1 milionë euro kryesisht rezultat i arkëtimeve nga tarifat dhe komisionet. /Buletini Ekonomik/
0 Comments