Njoftim për tatimpagues – Regjistroni veprimtaritë ekonomike dhe deklaroni të punësuarit tuaj!
Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Unik Identifikues / Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për punëtorët e tyre. Po ashtu, ATK, rikujton të gjithë personat që zhvillimin e veprimtarisë ekonomike ta kenë në harmoni me Kodin e Veprimtarive Ekonomike NACE Rev.2, si dhe të kenë të hapura llogaritë përkatëse tatimore.
Disa nga tatimpaguesit me veprimtaritë në vijim, nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK u bënë thirrje që të regjistrohen apo përditësojnë të dhënat e tyre sa më parë dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.
Gjithashtu ATK, ju njofton se aktivitetet e saj, do të përqendrohen pikërisht te këto veprimtari, prandaj, ju inkurajon që t’i përgjigjeni detyrimeve tatimore, në mënyrë që të mos bëheni subjekt i ndëshkimeve të përcaktuara me Ligj.
Ndërtimtaria - Bizneset, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si: Muratorët, Armaturë punuesit, Betonime, Gërmimet e dheut, Punuesit e kulmeve, Prodhimi dhe montimi i dyerve dhe dritareve, Elektricistët, Instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, Montuesit e parketit/laminatit, Montuesit e qeramikës, Suvatuesit – fasada, Prodhimi dhe montimi i olluqeve, rrethojave të ballkonëve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj. basket
Tregtia - Bizneset dhe personat fizikë të cilët merren me aktivitete tregtare të mallrave të konsumit të gjerë, teksilit, etj.
Shërbimet profesionale, artistike dhe zbavitëse - Avokatët – Noterët, Kontabilistët, Këngëtarët, Internet kafetë, Zyrat që ofrojnë shërbime konsulente, Shërbimet e ndryshme elektronike, Floktarët/Sallonet e ondulimit, Rrobaqepësit, Piktorët, Kompozitorët si dhe personat fizik të cilët merren me veprimtari artistike, siç mund të jenë industritë muzikore, etj. Zyrat projektuese – arkitektët, Bizneset dentare, etj.
Patundshmëritë / Qiradhënësit - Personat fizikë dhe bizneset të cilët lëshojnë objekte afariste apo banesore me qira.
Agrikulturë dhe mineraleve - Bizneset dhe personat fizikë të cilët merren me kultivimin dhe tregtimin e pemëve dhe perimeve, Kultivuesit e serave të ndryshme, Fermerët e ndryshëm në blegtori dhe shpezëtari, Plantazhet, Gurëthyesit, Tregtarët e rërës, Eksploatuesit e ndryshëm të mineraleve, etj.
Punëdhënësit që nuk deklarojnë punëtorët - Të gjithë punëdhënësit që nuk deklarojnë punëtorët e tyre dhe nuk mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për ta.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.
Regjistrohu, Deklaro dhe Paguaj Tatimet!
Administrata Tatimore e Kosovës
0 Comments