Header Ads Widget

USAID mbështet Gjykatën Komerciale

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija dhe gjyqtarja e Dhomës së Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale, Saranda Bogaj-Sheremeti, kanë pritur në takim Këshilltaren e Përgjithshme të USAID-it, Margaret Taylor me bashkëpunëtorë. Pjesë e këtij takimi ishte edhe Drejtori i Projektit të USAID – Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson.

Qëllimi i këtij takimi ishte që znj.Taylor dhe ekipi i saj të njoftohen me reformat, funksionalizimin, sfidat dhe objektivat e Gjykatës Komerciale.

Kryesuesi Zogaj, falënderoi këshilltaren znj. Taylor për përkushtimin, angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka treguar USAID për sistemin gjyqësor.

Me këtë rast, Zogaj shprehu kënaqësinë e vlerësimit nga Indeksi i Sundimit të Ligjit (ISL) për vitin 2022, ku Kosova radhitet si vendi që ka shënuar progres në sundimin e ligjit në Evropë dhe i dyti në botë.

Kjo gjykatë, ka rol të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë që ndërlidhet me të bërit biznes, si një domosdoshmëri që siguron sektorin e biznesit për qasje të shpejtë dhe efikase në drejtësi, ka potencuar Zogaj, duke shtuar se funksionalizimi i kësaj gjykate do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj.

Nga ana tjetër, znj. Taylor, u shpreh e gatshme për vazhdimin e mbështetjes së USAID-it me qëllim që të realizohen arritjet e objektivave për t’ju siguruar qytetarëve qasje në drejtësi, me fokus të përmirësimit të kapaciteteve të kësaj gjykate, qasjes në shërbime cilësore, si dhe rritjes së besueshmërisë në sistemin e drejtësisë.

Po ashtu, znj. Taylor tha se kjo vizitë është shumë speciale për të, sepse bëhet fjalë për një shtet që i jap shumë rëndësi transparencës së sistemit të drejtësisë, Taylor, gjithashtu falënderoi KGJK-në për punën e deritanishme dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ndërkaq, Kryetari Tutuli, njoftoi të pranishmit mbi zhvillimet dhe sfidat aktuale të Gjykatës Komerciale, veçanërisht hapat dhe përpjekjet e ndërmarra në lidhje me plotësimin e vendeve vakante, si dhe strukturën organizative. Ai tha se, funksionalizimi i plotë i kësaj gjykate është prioritet kryesor si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për integrimin evropian të Kosovës. Tutuli, gjithashtu theksoi se partnerët nga USAID-i janë çelësi i suksesit në procesin e funksionalizimit të Gjykatës Komerciale.

Drejtori i Projektit të USAID – Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson, tha se puna efektive e menjëhershme e Gjykatës Komerciale pas themelimit të saj, është sukses i madh dhe se ndihet me fat që ka qenë pjesë e procesit të themelimit të kësaj gjykate.

Në fund të këtij takimi, bashkëbiseduesit shprehen gatishmërinë  dhe vullnetin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta.


Post a Comment

0 Comments

Technology