Header Ads Widget

Publikohet Raporti për Kosovën: Kuvendi dobët, marrëveshja me Serbinë urgjente

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2022. Në të, në gjetjet kryesore është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar se në dialogun me Serbinë duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.


Periudha e raportimit, siç ka thënë Komisioni, përputhet me vitin e parë të plotë të qeverisjes së Vetëvendosjes.

Nga Komisioni është thënë se puna e Kuvendit të Kosovës mbetet e ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësi në arritjen e kuorumit vendimmarrës.

“Kosova gëzon stabilitet politik, ku Qeveria ka një shumicë solide në Kuvend. Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur një kuorum vendimmarrës, ndonëse Qeveria ka një shumicë të fortë. Kjo është pjesërisht për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, por edhe për shkak se anëtarët e opozitës në Kuvend kanë abstenuar nga votimi për të penguar miratimin e ligjeve”, thuhet në Raport.

Sa u përket zgjedhjeve komunale të vitit 2021, është thënë se kanë qenë mirë të organizuara, transparente dhe konkurruese.

“Procesi zgjedhor në Kosovë ende ka nevojë për një fuqizim gjithëpërfshirës për t’i adresuar dobësitë e kahershme gjatë ciklit elektoral, siç janë identifikuar nga misionet e BE-së për vëzhgim të zgjedhjeve që nga viti 2014”, thuhet në Raport.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, është quajtur sfiduese.

“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar, dhe kushteve për liri të shprehjes”, thuhet në Raport.

Është vlerësuar se ka përgatitje në fushën e reformave të administratës publike, por përparim të kufizuar në këtë zonë.

“Veçanërisht, disa hapa thelbësorë pozitivë u ndërmorën duke zhvilluar strategji gjithëpërfshirëse për reformën në administratën publike dhe po ashtu për menaxhimin e financave publike për vitin 2022 – 2026, duke miratuar legjislacionin për të vazhduar me valën e parë të riorganizimit të agjencive publike dhe duke nisur zhvillimin e një Ligji të ri të Pagave. Ka pasur pak progres në zbatimin e kornizës ekzistuese legjislative për reformën e administratës publike”, thuhet në Raport.

Sa i përket drejtësisë, është thënë se ka njëfarë progresi, porse në përgjithësi administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të panevojshme.

“Janë marrë hapa për të filluar së implementuar strategjinë e sundimit të ligjit dhe për të reformuar kornizën legjislative që rregullon sistemin prokurorial duke amendamentuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Reforma në drejtësi duhet të adresuar, para së gjithash, duke përmirësuar implementimin e mjeteve ekzistuese për të ruajtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Angazhimi i Qeverisë për të zbatuar plotësisht opinionin e Komisionit të Venecias për koncept-dokumentimin për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëpunim me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në Raport.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, është thënë se Kosova gjatë kësaj periudhe raportuese ka bërë njëfarë progresi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit.

“Ekziston nevoja për përmirësim të kornizës së përgjithshme ligjore. Duhet përpjekje e vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, vendimet përfundimtare të gjyqësorit dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve. Pavarësisht përpjekjeve të bëra tashmë, ekziston nevoja për vullnet të fortë politik për të vazhduar trajtimin efektiv të rreziqeve të korrupsionit sistematik dhe po ashtu të drejtësisë së fortë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në Raport.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Janë zhvilluar një sërë operacionesh të suksesshme që targetuan krimin e organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”.

Për luftimin e terrorizmit dhe luftën kundër parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, është thënë se ka një progres në përputhje me objektivat e përcaktuara në marrëveshjen BE-Kosovë për Planin e Përbashkët të veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

“Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efikase në angazhim për luftim të pastrimit të parave dhe ligji në fuqi duhet të jetë në përputhje me acquisin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Korniza ligjore garanton gjerësisht mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përputhje me standardet evropiane. Kosova tregoi përkushtim për trajtim të pabarazisë gjinore. Duhet bërë më tepër për të garantuar në mënyrë efikase të drejtat e minoriteteve, pra duke përfshirë atyre të romëve dhe ashkalinjve dhe personave të zhvendosur, për të siguruar barazi gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Mungesa e udhëzimeve administrative për të implementuar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve pengon përparimin e mëtejshëm në këtë fushë.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik. Megjithatë, shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare i lë mediat, duke përfshirë transmetuesin publik, të cenueshme ndaj interesave politike dhe të biznesit”.

Sa i përket migrimit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se është bërë një progres dhe se duhet forcuar më tutje.

Është thënë se Kosova ka bërë njëfarë përparimi edhe në kritere ekonomike dhe është në fazë të hershme të zhvillimit të tregut funksional ekonomik. Ekonomia tregoi elasticitet gjatë pandemisë.

“Megjithatë sfidat mbesin, si ekonomia joformale e përhapur, korrupsioni i lartë dhe në përgjithësi sundimi i dobët i ligjit kanë vazhduar ta pengojnë sektorin privat”, thuhet në Raport.

Sektori financiar ka mbetur stabil dhe kreditimi vazhdoi të zgjerohej.

“Përkundër kundërshtimit të fortë politik, Qeveria mori qëndrime të kujdesshme fiskale në lidhje me pensionet e veteranëve të luftës dhe Trustit të Kosovës”, thuhet në Raport.

Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në fazë të hershme për të përballur presionin konkurrues dhe forcën e tregut të BE-së, ka thënë Raporti.

“Është bërë përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve për t’iu adresuar shkathtësive për tregun e punës. Kosova ka bërë përparim në përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme, por mbetet shqetësim furnizimi me qymyr, i vjetruar dhe jo i qëndrueshëm. Kosovës i mungon ende një strategji afatgjate energjetike. Kosova ka bërë disa përparime në digjitalizim të ekonomisë”, thuhet në Raport.

Ndërsa për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, është thënë se Kosova ka përgjithësi marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, porse nuk ka ndryshim në marrëdhënie formale me Bosnjë-Hercegovinën, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka regjim vizash mes dy vendeve.

Për dialogun me Serbinë, Raporti përmend marrëveshjen për energjinë e atë për letërnjoftimet. Është kërkuar konstruktivitet më i madh nga Kosova.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja në normalizimin e raporteve me Serbinë ka vazhduar me takime të rregullta mujore në nivel të shefave të ekipeve negociatore dhe në nivel të lartë në takimin më 18 gusht 2022. Palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor të 2022-tës dhe u pajtuan për udhëtimin vetëm me letërnjoftime në mes të Kosovës dhe Serbisë, në gusht 2022. Kosovës i nevojitet të angazhohet më konstruktivisht dhe të bëjë përpjekje të mëtejme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për t’ua mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në Raport.

Në disa fusha është vënë re përparim, ndërsa në disa është theksuar se ka vetëm përparim të kufizuar.

“Gjatë periudhës së raportimit është arritur njëfarë progresi në përafrimin me standardet evropiane në fushën e statistikave dhe kontrollit financiar, ndërsa është arritur progres i kufizuar në përafrimin me standardet evropiane në fushën e prokurimit publik. Në shumicën e fushave që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm, Kosova ka një nivel të përgatitjes, duke përfshirë edhe konkurrencën. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë disa përparime në të gjitha fushat, përveç politikës së konsumatorit dhe mbrojtjes së shëndetit, ku është bërë vetëm progres i kufizuar”, thuhet në Raport.

Është vënë re përparim edhe në dogana, taksa, politika ekonomike dhe monetare, ndërsa në hulumtime më pak.

Sa i përket Agjendës së Gjelbër, Kosova është thënë se ka regjistruar progres në transport e zhvillim më të kufizuar në çështjet e energjisë, ambientit dhe ndryshimeve klimatike.

Për raportet e jashtme dhe politikën e tregtisë, “Kosova ka bërë përparim të limituar”.

“Kosova ka vendosur masa kufizuese të eksportit në një numër të produkteve ushqimore bujqësore pa arsyetime a konsultime paraprake me Komisionin”, thuhet më tej në Raport.


Post a Comment

0 Comments

Technology