“Projekti i NPB-së, përpjekje për grabitjen e 17 mijë metrave katrorë në qendër të kryeqytetit”
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në Pallatin e Drejtësisë, në të cilën u tha se sot do të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj padisë dhe kërkesës për caktimin e masës së përkohshme, në rastin e projektit të iniciuar për ndërtimin e objektit afaristo-ndërtimor në lagjen “Lakrishte” nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe kompanitë tjera.
Aktivisti i kësaj Lëvizje, Egzon Azemi, tha se bëhet fjalë për rrezikimin e 17 mijë metrave katrorë hapësirë publike në kryeqytet, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prej një viti jemi dëshmitarë të përpjekjes për grabitjen e 17 mijë metrave katrorë, hapësirë publike në qendrën e kryeqytetit tonë, kjo pronë e qytetarëve është vendosur në shënjestër të mafias së ndërtimit dhe pastrimit të parasë falë veprimeve të paligjshme të ish-Bordit të Ndërrmarjes Publike Banesore përmes kryeshefit Hajdar Hoxha dhe tolerimit në mosbashkëpunim të ish-kryetarit të komunës dhe ish-drejtorëve të tij”, tha Azemi.
Sipas tij, ky nuk kishte as kushte ndërtimore dhe shpallja e këtij projekti zgjati më pak se 3 ditë.
“Të gjithë këta tentuan t’ia falnin kompanive private dhe atyre që qëndrojnë pas tyre e që aplikuan në një shpallje ku nuk pat as kushte ndërtimore e as informacionet ma bazike se në çfarë projekti bëhet fjalë dhe shpallja zgjati më pak se tri ditë, kaq iu mjaftoi për të lidhur një kontratë në të cilën e siguruan me 3 milionë euro me një nga kompanitë e sigurimit në vend”, tha Azemi.
I njëjti shtoi se ky projekt kapte vlerën e rreth 200 milionë eurove.
Ndërsa Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve në Prishtinë, tha se është bërë një vit përpjekje e vazhdueshme që të mbrohet prona publike dhe sot është një ditë e rëndësishme edhe pse kanë kaluar 71 ditë që bashkë me padinë për rastin kanë kërkuar edhe masën e sigurisë që ndalon vazhdimin e këtij projekti të dyshimit.
Sipas tij, janë dashur 71 ditë që gjykata të vendos për seancën ku do të mbrohen 17 mijë m2 të pronës publike dhe sot do të zhvillohet seanca nën udhëheqjen e gjykatësit Dardan Kadolli.
“Edhe pas kësaj po vazhdon heshtja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama që paraprakisht këtë ndërmarrje ia lë nën kujdesje të aksionarëve të PDK-së. Asnjë diskutim në Kuvendin Komunal nuk u lejua nga partitë e vjetra për këtë temë”, tha Sveçla.
I njëjti theksoi se heshtja është tolerim i krimit dhe në vend që të bashkohet Komuna e Prishtinës në këtë padi, e njëjta ka dorëzuar përgjigje në padi.
Ndryshe, grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të Komunës së Prishtinës, më 8 gusht 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë dorëzuar padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie./Media Ndërtimi.
0 Comments