Rreth dy mijë persona kanë aplikuar deri më tani për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Mbi 1300 prej tyre që kanë dëshmuar para Komisionit Qeveritar historinë e dhimbshme të vitit ’98-99 kanë filluar të marrin beneficionin. Në anën tjetër janë 244 gra e burra të cilët janë refuzuar nga komisioni, por ky numër konsiderohet i lartë.
Shumë prej të mbijetuarave e kanë të vështirë të dëshmojnë atë se çfarë u ka ndodhur, në rastet kur kërkohen dëshmitarë ose dokumentacione shëndetësore. Këto të fundit, i kishin asgjësuar nga frika se do të zbulohen nga familja. Kjo po paraqet sfidë të dyfishtë për të mbijetuarit e dhunimit seksual.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti thotë se një numër i madh i viktimave pas rikthimit në shqyrtim po arrijnë të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale.
“Deri më tani numri i përgjithshëm i aplikimeve shkon deri në 1800, që flet rreth dy mijë persona diku që kanë aplikuar. Ata që e gëzojnë benificionin janë 1345, ndërsa të refuzuar janë 244, për çka është një numër mjaft shqetësues edhe i madh për neve dhe jemi duke punuar në këtë drejtim për rastet që refuzohen nga komisioni që kanë të drejtë përmes procedurave administrative të ndjekin lëndën me tutje, shqyrtohen nga gjykata, kthehen sërish në komision. Kemi raste qe janë refuzuar nga komisioni, kanë ndjekur rrugët gjyqësore, janë kthyer në komision dhe kanë fituar të drejtën të jenë si i mbijetuar të dhunës seksuale”, deklaron Rushiti.
Në rastet e refuzimit, gratë e burrat nuk po arrijnë të bindin anëtarët e komisionit se janë viktimë e dhunës seksuale. Shumë nga këta persona kanë filluar të harrojnë në saktësi ngjarjen, disa nuk po ofrojnë dëshmi të mjaftueshme.
Mjeku i luftës në zonën operative të Shalës, Shukri Gërxhaliu kishte trajtuar me dhjetëra gra të dhunuara nga viti 1999 deri në vitin 2014. Madje, ai ka të ruajtura shumë shkrime të grave, të cilat nganjëherë e patën të pamundur që të vijojnë deri në fund rrëfimin e tyre para tij.
Gërxhaliu kishte ndihmuar këto gra deri në vitin 2014, ndërkaq në tërësi ka të evidentuar mbi 130 gra dhe burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në muajt para se të hyjë NATO në Kosovë kanë ardhur tri-katër femra të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale që të trajtohen tek unë dhe i ka sjellë dikush afër aty. Ato unë i kam trajtuar në ato kushte, në ato rrethana mjaft të rënda. Ndërsa, pas luftës ato i kanë treguar njëra-tjetrës edhe ka filluar pastaj ardhja e tyre dhe kanë ardhur në mënyrë konfidenciale, në mënyrë sekrete ju kam dhënë atë ndihmën shpirtërore, humane, psikologjike por edhe jam përpjekur përmes të tjerëve në mënyrë materiale kur kanë pasur nevojë që t’ju ndihmojë. Natyrisht shpeshherë kam pasur dëshirë edhe të komunikoj edhe me bashkëshortët e tyre të cilët në vend se të merren me problemin, për shkak se ato nuk kanë pasur kurrfarë faji, ata shpeshherë i kanë përzënë me fëmijë dhe kanë mbetur në mëshirën e kohës”, tregon ai.
Gjendja e grave që përjetuan dhunim seksual nga forcat policore, siç tregon Gërxhaliu, ishte shumë e rëndë. Shumica e të mbijetuarave shkonin për trajtim pa dijeninë e familjarëve për shkak stigmës.
“Kanë pasur emocione, kanë pasur ankth, kanë pasur frikë, kanë qenë tejet të ngarkuara edhe unë nuk isha psikiatër. Sepse unë e kam përfunduar Fakultetin në Prishtinë, mjekësinë familjare e kam përfunduar në Prishtinë. Mirëpo, per shkak se nuk kishte psikiatër në Vushtrri unë është dashur të luaj rolin e tyre edhe ashtu u lidha me to. Ato kanë folur, biseduar, dhe kanë zbrazur emocionet e tyre, ngarkesat e tyre dhe në atë aspekt ato janë ndjerë më të lira. Shpeshherë bisedat kanë qenë aq të emocionuara sa që as pacientja, e as unë nuk kemi qenë në gjendje që të çojmë deri në fund bisedën. Shpeshherë e kam ndërprerë bisedën dhe i kam lutur që atë çfarë duan të ma thonë tani të ma sjellin në mbrëmje me shkrim. Ashtu kanë vepruar dhe i kam disa shkrime autoktone që mi kanë dorëzuar”, shton mjeku i luftës.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tregon se tashmë pas më shumë se dy dekadave, gratë e burrat duhet të ndajnë narrativën në rrethana sa më të detajuara.
Nga anëtarët e Komisionit Qeveritar kërkohet përshkrimi i ngjarjes nga i mbijetuari, dëshmitari, por në raste edhe dokumentacione shëndetësore, psikologjike apo nëse janë pjesë e proceseve gjyqësore.
“Në qofte se ato dëshmojnë që kanë pasur dëshmitarë prezentë, komisioni ka të drejtë të kërkojë dëshminë e familjarit, qoftë familjar apo person i huaj apo edhe viktimë e dhunës seksuale. Nganjëherë këta familjarë apo njerëz të tjerë që e kanë parë apo kanë qenë dëshmitarë të dhunimit nuk pranojnë të japin dëshminë, çka kjo paraqet një lloj luhatje tek komisioni pse nuk po e sjell. Në rast se gruaja tregon se ka shkuar te mjeku vazhdimisht i kërkohen dokumentacione shëndetësore. Ky dokumentacion shëndetësor nuk është i lehtë të sigurohet. Ndoshta ajo ka shkuar në vitin 2002, 2005, 2006. Ne e dimë mirë se çfarë sistemi të dokumentimit shëndetësor kemi në Kosovë. Nuk është se me një ‘click’ atje e nxjerr një dokumentacion edhe i buron. Për më tepër gratë kanë shkuar aty nuk kanë thënë se janë viktima të dhunimit”, deklaron Rushiti për KosovaPress.
Shumë nga gratë e mbijetuara nga dhunimi seksual këto dokumentacione shëndetësore i kanë asgjësuar.
“Shumica prej tyre për shkak që të mos lënë gjurmë dhe kanë jetuar me frikën që mund të zbulohen, janë detyruar që të zhdukin edhe ato pak dokumente që kanë pasur. Dhe nuk i posedojnë ato dokumente që do të mund të suportojnë dhe kjo është një lloj sfide për Komisionin Qeveritar se si të bazojë apo të lidh ngjarje traumatike të personit që e ka shpjeguar me gjithë pasojat e mundshme psikologjike me dokumente shtesë që do të kishte mundur të përforcojë atë ngjarje traumatike”, shton ai.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala thekson se është e vështirë e në disa raste edhe e pamundur që të dokumentohen dhunimet seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në qoftë se një viktimë e dhunës seksuale e ka ruajtur një dokument të tillë dhe e paraqet vullnetarisht është diçka tjetër, por në qoftë se një viktimë e dhunës seksuale e cila ka përjetuar trauma të mëdha dhe ka qenë e detyruar të abortojë sepse askush nuk e mban frytin e dhunimit me dëshirë, atëherë është një ritraumatizim i viktimës së dhunës seksuale. Dhe ne e konsiderojmë se është në kundërshtim me të drejtat e njeriut”, përfundon Shala./kp
0 Comments