Shërbimi Amerikan i Motit, Accuweather, më në fund ka lansuar parashikimin për sezonin e dimrit për Evropën.
Sipas parashikimeve meteorologjike, periudhat e ftohta mund të ndikojnë edhe në ekonominë evropiane, thanë meteorologët.
Sipas Accuweather ky sezon pritet të ndikohet nga “La Niña”, fenomen oqeanik dhe atmosferik, kur temperaturat e ulëta të oqeanit, zgjerohen në tërë Paqësorin Ekuatorial, që nga ana tjetër, krijon sistem oqeano-atmosferik, që i zvogëlon temperaturat në glob.
“La Niña”, sipas meteorologut Jason Nicholls, do të arrijë kulmin në nëntor, ndërsa do të kalojë në një fazë normale gjatë janarit.
Klimatologët thanë se fenomeni “La Niña”, është ende duke u forcuar dhe parashikohet të vazhdojë gjatë pjesës tjetër të muajve të vjeshtës dhe dimrit.
Çka do të thotë kjo për perspektiven e dimrit 2022-2023 në Evropë?
Nisur nga fakti se ky është dimri i tretë nën ndikimin e “La Niñas”, ky sezon mund të ketë ngjashmëri me dimrat e kaluar.
Megjithatë, sipas meteorologëve të “AccuWeather”, ky vit përmban një enigmë që nuk ka ndodhur vitet e fundit.
“Një ‘La Niña’ e trefishtë ka ndodhur vetëm tri herë që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave, për herë të fundit nga 1998 deri në 2001”, shpjegoi meteorologu Alan Reppert.
Evropa jugore, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Sllovenia dhe Rumania, pritet të përfshihet nga një stuhi e fuqishme në nisje të dimrit, ndërsa Portugalia, Spanja, Franca Jugore dhe Italia, mund të përfshihen nga stuhi dimërore. Erërat mund të nxisin shtim të shirave të rrëmbyeshëm, veçanërisht në Francë, në Itali dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ata që jetojnë në qytete, si Venecia, Itali, duhet të monitorojnë nga afër çdo stuhi në zonë këtë dimër për shkak të cenueshmërisë së vendndodhjes së tyre ndaj përmbytjeve. Një gjurmë stuhie dominuese në jug në të gjithë Evropën do të nënkuptonte gjithashtu reshje më të larta bore përgjatë shpateve jugore të Alpeve”, shpjegoi meteorologu i “AccuWeather”.
Stuhitë e erës janë të njohura për sjelljen e erërave të dëmshme, reshjeve të rrëmbyeshme dhe madje edhe të shkarkimit të borës në terrene më të larta.
0 Comments