Kryeinspektori i Lartë i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë u prit në takim nga Ministrja e Drejtësisë
Fryma bashkëpunuese ndërmjet institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, shoqëruar me projekte të përbashkëta, shkëmbim të ideve dhe përvojave, po përcillet me entuziazëm edhe më të madh të veprimeve të përbashkëta, edhe në institucionet e drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti në vizitë kryeinspektorin e Lartë të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Artur Metani i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Qemal Mingjozi me të cilët diskutuan për gjendjen aktuale dhe proceset në të cilat po sfidohen sistemet e drejtësisë, me fokus përkushtimin drejt reformës në drejtësi.
Krijimi i një bazamenti të ri në shoqëri, ku drejtësia qëndron si institucion që shërben edhe si ngritje dhe zhvillim i mentalitetit shoqëror kundrejt fenomeneve negative, dhe ku rendi dhe ligji zbatohen në plotësi, është rruga në të cilën pashmangshëm duhet të lëvizim, si nevojë e domosdoshme për të gjithë qytetarët, u tha ndër të tjera në këtë takim.
Në këtë takim, të dy palët theksuan se institucionet e të dy vendeve janë në stadin më të mirë të bashkëpunimit të deri tashëm dhe njëherit shfaqën përkushtimin që bashkëveprimet të përcillen me rezultate konkrete që progresojnë drejt standardeve më të avancuara të institucioneve në të dy Republikat respektive, dhe se një gjë e tillë përveç se e dëshirueshme tashmë do të jetë edhe e mundur.
0 Comments