Reagim i Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj publikimeve linçuese për anëtarin e KPK-së, Prof. Asoc. Dr. Agron Beka
Prishtinë, 7 shtator 2022 – Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Prof. Asoc. Dr. Agron Beka, i propozuar nga fakultetet juridike dhe i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në detyrën e anëtarit të Këshillit, së fundmi është bërë cak i linçimit publik nga disa eksponentë të caktuar politikë, të cilët po mundohen ta njollosin figurën e tij publike.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konsideron se kjo është një fushatë e orkestruar, tendencioze dhe denigruese, e nxitur nga struktura të caktura që kanë për qëllim njollosjen e sistemit prokurorial.
Një fushatë e tillë sistematike është orientuar edhe ndaj këtij anëtari të Këshillit, i cili vije nga radhët e botës akademike dhe që me angazhimin e tij po jep kontribut të vazhdueshëm në avancimin e sistemit prokurorial dhe rrjedhimisht edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Raportimi i pasurisë së secilit individ që bartë përgjegjësi apo funksione publike bëhet nëpërmjet deklarimit ligjor dhe janë organet kompetente ato që vlerësojnë ligjshmërinë e saj. Andaj, në këtë rast, anëtari i Këshillit Prokurorial, ka deklaruar se ndaj akterëve të këtyre publikimeve nxitëse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe anëtarët e tij nuk do të zmbrapsen në asnjë moment nga ushtrimi i funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të atakuar sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.
0 Comments