Paneli i Gjykatës
Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me
paraburgimin të parashtruar nga ana e mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit të
Kosovës, Kadri Veseli, i cili po akuzohet për krime lufte.
Ndryshe, më 30 qershor 2022, kryetarja e Dhomave të
Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, kishte caktuar Panelin
e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e dorëzuar nga mbrojtja e Kadri
Veselit më 29 qershor 2022, lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim.
Gjykatësi, të cilët kanë vendosur për këtë kërkesë janë
Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristinë van den Vijngart dhe Mihael
Bolander.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka
dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep
Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime
lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se
ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si
arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor,
torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin,
vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe
persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime
lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin
mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit
ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe
persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup
Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në
barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10
nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe
Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999,
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë
të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të
siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që
përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e
paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që
konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca,
zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk
mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët
persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera
(bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e
përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm,
akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me
forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj,
Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe
Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të
UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin
anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të
ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e
qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët
dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues./BetimipërDrejtësi
0 Comments