Anulim kontratës mbi shitblerjen e lokalit afarist
Përshkrimi i rastit:
Paditësja Ndërmarrja Shoqërore Turistike “ ”, ka paraqitur padi për anulim kontrate, kundër të paditurit E.A, me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se është nule kontrata nr _, të datës 24.10.1995, mbi shitblerjen e lokalit afarist
p. nr. në sipërfaqe prej 42 m2, e lidhur në mes të paditësit si shitës, dhe të paditurit si blerës.
I padituri E.A, ka paraqitur kundërpadi, kundërpaditëses Ndërmarrja Shoqërore Turistike “ ”, me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet është pronar i lokalit afarist, p. nr. në sipërfaqe prej 42 m2, në bazë të kontratës mbi shitblerjen nr , të datës 24.10.1995.
Aktgjykimi i Gjykatës
Komunale C.
Nr. 15/2002 i datës 26.11.2002
Gjykata e shkallës së parë duke vendosur lidhur me kërkesëpadinë e paditëses - kundër të paditurës, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave ka ardhur në përfundimin se e njëjta është e bazuar, ndërsa kundërpadia e të paditurit-kundër paditësit është e pabazuar dhe ka vendosur:
“ I. APROVOHET kërkesëpadia e
paditësit-kundër të paditurit, dhe
VËRTETOHET se kontrata mbi shitblerjen e lokalit
afarist nr , të datës
24.10.1995, i cili gjendet në Gjilan,
në ish Rr. “
”, p. nr. në sipërfaqe
prej 42 m2, e lidhur
në mes të paditësit-kundër të paditurit
si shitës dhe të paditurit-kudër
paditësit si blerës është NULE.
II.
REFUZOHET kundërpadia e të paditurit-kundër paditësit me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se në bazë të kontratës
mbi shitblerjen e lokalit
afarist e lidhur me datë 24.10.1995, është pronar i lokalit afarist në Gjilan, në sipërfaqe prej 42 m, dhe të obligohet
paditësi-kundër i padituri
që ta njoh këtë të drejtë dhe të lejojë kalimin
e pronësisë së lokalit dhe ndryshimin e pronësisë
në librat kadastral”
Gjykata në procedurën e provave të shqyrtimit kryesor ka administruar provat relevante dhe atë: leximin e kontratës mbi shitblerjen nr , të datës 24.10.1995, të lidhur ndërmjet ndërgjyqësve; leximin e fletëpagesës; dhe shkresën mbi pranim-dorëzimin e lokalit afarist; leximin e statutit të paditëses në nenin 18 al. 1. pika 14 në dispozitat e gazetës zyrtare të RS Serbisë nr. 20/1990, që kanë të bëjnë me masat e dhunshme të futura nga Kuvendi i Serbisë në ndërmarrjen e paditëses, në dispozitat e ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit mbi kufizimin e qarkullimit të paluajtshmërisë në shkresën e Ministrisë për Financa të Serbisë, të datës 09.05.1991; leximin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 01 nr , të datës 16.03.1992, dhe ka bërë dëgjimin e dëshmitarëve.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se pas konstatimit të gjendjes faktike ka ardhur në përfundim se kontrata mbi shitblerjen e lokalit afarist, e lidhur në mes të palëve ndërgjyqësore me datë 24.10.1995, është në kundërshtim me dispozitat e nenit 3 paragrafi 2 të LMD-së, lidhur me nenin 18 paragrafin 1 pika 14 të Statutit të Ndërmarrjes i nxjerrë me datë 29.12.1992, po ashtu është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Qarkullimin e Paluajtshmërive; në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 16.03.1992, si dhe në kundërshtim me dispozitat e nenit 103, paragrafit 1 dhe nenit 104 paragrafit 2 të LMD-së, dhe si e tillë e njëjta është NULE. Po ashtu ka vërtetuar se kjo kontratë është lidhur kur në ndërmarrjen paditëse, ishin në fuqi masat e përkohshme, po ashtu kjo kontratë nuk është përmbushur nga ana e të paditurit sa i përket pagesës prej 616.000,00 dinarë, por vëllai i tij S.A i cili nuk ishte palë kontraktuese, i kishte paguar arkës shumën prej 220.000,00 DM, kurse sipas dëshmisë së tij del se kishte paguar 250.000,00 DM, pastaj pranim dorëzimi i lokalit nuk është bërë
në mes palëve kontraktuese, kjo pasi që lokalin afarist në vend të blerësit e kishte pranuar agjencia turistike “ ”, e cila po ashtu nuk ishte palë kontraktuese.
Gjykata kishte ardhur në përfundim se duke u bazuar në faktin se në bazë të nenit 3, paragrafit 2 të LMD-së, në të cilin parashihet se për tjetërsimin e paluajtshmërive në marrëdhëniet obligatore bëhet në bazë të vendimeve të cilat i marrin punëtorët dhe njerëzit-punonjës në organizatat punuese konfrom Statutit apo akteve tjera vetëqeverisëse, e që në rastin konkret edhe pse një gjë e tillë ishte sanksionuar me Statutin e Ndërmarrjes Paditëse, me nenin 18 paragrafin 1 pika 14, kjo nuk ishte përfillur.
Po ashtu, gjykata nga dëgjimi i dëshmitarëve kishte vërtetuar se në kohën kur është bërë shitja e lokalit nuk është zbatuar kurrfarë referendumi, të cilave dëshmi gjykata ua kishte falur besimin. Po ashtu, ka shtuar se kjo kontratë është në kundërshtim edhe me Ligjin mbi Qarkullimin e Paluajtshmërive, sepse kjo kontratë si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja nuk është në pajtim me ligjin e cituar, kjo për shkak se në përmbajtjen e kontratës fare nuk është përfshirë se në çfarë baze është shitur ky lokal, si dhe kjo kontratë nuk është vërtetuar në gjykatë, andaj duke u mbështetur në dispozitat e nenit 103, paragrafit 1 lidhur me nenin 104 paragrafin 2 të LMD-së, vërtetohet se kërkesëpadia e paditësit-kundër të paditurit është e bazuar, dhe kontrata objekt kontesti është NULE.
Lidhur me kundërpadinë e të paditurit-kundër paditësit, ka arsyetuar se e njëjta është e pabazuar, për shkak se bazueshmëria e kundërpadisë në asnjë mënyrë nuk është provuar nga ana e të paditurit-kundër paditësit, sepse vetëm me nënshkrimin e kontratës mbi shitblerjen e lokalit, pa u përmbushur obligimet e ndërsjella të përcaktuara në kontratë, dhe pa vërtetimin e saj në gjykatë dhe regjistrimin e kontratës në librat e tokës dhe pranimin e lokalit nga vetë blerësi, nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë, andaj edhe kundërpadia është refuzuar si e pabazuar.
Aktgjykimi i Gjykatës
së Qarkut, Ac. nr.
37/2003, i datës 31.03.2003
Gjykata e Qarkut si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar kishte gjetur se ankesa e të paditurit- kundër paditësit është e pabazuar.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm përfundimin e gjykatës së shkallës së parë, duke gjetur se një përfundim i tillë është në tërësi i bazuar duke pasur parasysh faktin se nga provat e shtjelluara
është vërtetuar në tërësi gjendja faktike, kurse një përfundim i tillë i gjykatës së shkallës së parë ka mbështetje në prova, duke dhënë arsye të plota dhe të mjaftueshme të cilat i ka pranuar edhe gjykata ankimore, dhe po ashtu edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Aktvendimi i Gjykatës Supreme
Rev. nr. 81/2003, i datës 11.09.2003
Gjykata Supreme, duke vepruar sipas revizionit të të paditurit-kundër paditësit, ka gjetur se i njëjti është i bazuar, ashtu që aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta i ka prishur, duke e kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.
Ka arsyetuar se duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes Gjykata Supreme, nuk mund ta pranojë një konkludim të tillë të gjykatave të instancave më të ulëta, kjo pasi që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është marrë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 354, paragrafi 2, pika 14 e LPK- së, dhe si pasojë e zbatimit të gabuar të së drejtës materiale nuk është vërtetuar gjendja faktike, dhe se nuk ka kushte për ndryshimet e këtyre aktgjykimeve, andaj edhe është dashur të prishen, dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Shkeljet e thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore qëndrojnë në atë se gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar sipas vërejtjeve të Gjykatës Supreme të dhëna me aktvendimin MLC. nr , kjo për shkak se nuk ka administruar provat me marrjen në pyetje të ekspertit të gjeodezisë lidhur me identifikimin e lokalit, i cili është objekt i shitblerjes dhe objekt i kontestit, po ashtu nuk janë marrë në pyetje palët ndërgjyqësore në cilësi të dëshmitarëve, edhe pse sipas nenit 377, paragrafit 1 të LPK-së, ka qenë e detyruar t’i përfillë vërejtjet e kësaj gjykate, dhe të veprojë sipas tyre.
Po ashtu arsyetimi i aktgjykimit nuk përmban
arsye të mjaftueshme për faktet
relevante të vlefshme
për gjykim të drejtë të kësaj çështje juridike,
ndërsa arsyet e dhëna janë të
paqarta dhe kontradiktore mes vete dhe me
shkresat e lëndës.
Në një pjesë të aktgjykimit ka theksuar se “gjykata konstaton se mes paditëses dhe të paditurit
është bërë pranim dorëzimi i lokalit
afarist”, ndërsa në një pjesë tjetër të aktgjykimit cekë se “pranim
dorëzimi i lokalit
nuk është bërë mes palëve
kontraktuese, sepse lokalin
në
vend të blerësit
e
pranoi agjencia
turistike
“ _”, e cila po ashtu nuk ishte palë
kontraktuese”.
Tutje ka shtuar se nga dëgjimi i dëshmitarit S.A, kishte konstatuar se “kjo kontratë nuk është përmbushur nga ana e të paditurit
sa i përket pagesës
së
shumës prej 616.000 DM, por vëllai i tij S.A., i pagoi arkës shumën prej 220.000 DM”, pra aktgjykimi nuk përmban arsye lidhur me faktet se vëllai i tij, a e ka paguar shumën e përmendur në emër të çmimit të shitblerjes së lokalit me qëllim të përmbushjes së detyrimit sipas kontratës së shitblerjes së lokalit kontestues, apo për ndonjë destinim tjetër, dhe nëse këto të holla a kanë qenë pasuri e këtij dëshmitari, apo e të dy vëllezërve. Ndërsa nga dëshmia e dëshmitarit tjetër gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se sipas ankandit publik është bërë oferta për shitblerjen e lokalit, mirëpo nuk është e qartë nëse oferta është bërë nga i padituri, nga ky dëshmitar apo nga të dy këta, kjo për shkak se nga Ndërmarrja Paditëse, është lajmëruar që oferta e tij, përkatësisht e tyre, ka qenë më e favorshme, i ka marrë të hollat, ka shkuar në Ndërmarrjen Paditëse, ka biseduar me drejtorin e asaj ndërmarrje, dhe në prani të të paditurit është lidhur kontrata, i ka paguar çmimin në DM arkës së shitësit të lokalit, edhe pse në kontratë është cekur çmimi në dinarë.
Nga dëgjimi i dëshmitarëve tjerë del se sipas kontratës së shitblerjes nga ana e shitësit është bërë dorëzimi i lokalit agjencisë “ ”, mirëpo nuk ka arsye nëse kjo agjenci është pronë ekskluzive e dëshmitarit S.A., vëllait të të paditurit apo bashkëpronësi e të këtyre vëllezërve. Po ashtu, aktgjykimi nuk ka arsye lidhur me faktin se kush është shfrytëzues i këtij lokali që nga koha e dorëzimit nga ana e shitësit sipas kontratës së shitblerjes: pra, a është i padituri; vëllai i tij
- dëshmitari S.A, apo të dy së bashku.
Në arsyetimin e
aktgjykimit gjykata ka cekur se “në kohën e lidhjes së kontratës së shitblerjes në Ndërmarrjen Paditëse, kanë qenë në fuqi masat e përkohshme”, mirëpo nga shkresat e lëndës del se ato masa janë caktuar
në vitin 1990, të cilat sipas
pikës V. të vendimit
mbi caktimin e këtyre masave,
kanë zgjatur 12 muaj.
Ka shtuar se vërtetimi jo i plotë dhe i gabuar i gjendjes faktike qëndron në atë se në procedurën e shkallës së parë nuk janë vërtetuar faktet lidhur me mënyrën e lidhjes së kontratës së shitblerjes së lokalit. Kjo për shkak se ekzistojnë kundërthënie në mes kontratës së hartuar me shkrim, dhe fakteve që kanë të bëjnë me mënyrën e përmbushjes së saj, ngase si palë kontraktuese në kontratë janë cekur paditësja si shitëse, dhe i padituri si blerës, ndërsa nuk është vërtetuar në mënyrë të sigurt nëse blerësi i vërtetë është i padituri, vëllai i tij - dëshmitari i pyetur S.A., sipas ankandit të shpallur, apo të dy këta janë blerës, kur çmimin e ka paguar ky dëshmitar – S.A.. Po ashtu, nuk është vërtetuar nëse këto mjete kanë qenë pasuri e këtij dëshmitari apo të dy këtyre; nëse ky dëshmitar ka bërë pagesën për llogari të veten, apo për llogari të përbashkët me të paditurin, dhe kush është
shfrytëzues faktik i këtij lokali, që nga data e dorëzimit nga ana e shitëses, agjencisë së përmendur.
Se shitblerja është bërë nëpërmjet ankandit publik, në procedurën e shkallës së parë nuk është administruar si provë, mirëpo në procedurën e shkallës së dytë është propozuar si provë, ngase në atë fazë i padituri e ka siguruar këtë provë, por nga gjykata e shkallës së dytë nuk është vlerësuar se çfarë rëndësie ka kjo provë për marrjen e vendimit të ligjshëm në këtë çështje juridike. Andaj këto fakte të pavërtetuara janë të rëndësishme edhe lidhur me sjelljen e palëve ndërgjyqësore me rastin e lidhjes së kontratës në frymën e parimit të ndërgjegjshmërisë dhe nderit të pjesëmarrësve në marrëdhëniet e detyrimeve, ashtu siç parashikohet në nenin 103 lidhur me nenin 12 të LMD-së.
Në rigjykim është udhëzuar gjykata e shkallës së parë që t’i administrojë provat me marrjen në pyetje të ekspertit të gjeodezisë, lidhur me identifikimin e lokalit afarist kontestues, po ashtu përsëri t’i marrë në pyetje dëshmitarët S.A dhe S.R, lidhur me rrethanat që kanë të bëjnë me mënyrën dhe kushtet e lidhjes së kontratës së shitblerjes, pagesën e çmimit të shitblerjes, pronësinë e agjencisë “ _”, dhe raportet e paditësit dhe të dëshmitarit S.A, lidhur me blerjen dhe shfrytëzimin e lokalit afarist kontestues; dorëzimin e lokalit nga ana e shitësit, dhe të merren në pyetje palët në cilësinë e dëshmitarëve dhe eventualisht të administrohen edhe prova tjera, ndërsa pas vlerësimit të drejtë të provave të merret një vendim i ligjshëm.
Komente përmbledhëse
të
vendimeve të rastit:
Gjykata Supreme ka vendosur për prishjen e aktgjykimeve të gjykatave të instancave më të ulëta për shumë arsye të paraqitura si në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Supreme, megjithatë në këtë përmbledhje ritheksojmë se nuk mund të konsiderohet se është zbatuar procedurë e ligjshme, dhe është marrë vendim i ligjshëm nëse gjykata gjatë procesit gjyqësor nuk është thelluar në masë të mjaftueshme në hetimin e rrethanave kontestuese lidhur me kontestin e palëve ndërgjyqësore, duke i identifikuar kështu faktet vendimtare mbi bazën e të cilave gjykata mund të nxjerrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Sistemi jonë i procedurës i jep diskrecionin e plotë gjykatës të përcaktojë se cilat fakte duhet të provohen, të pranojë propozimet për mjetet provuese, por e njëjta është e detyruar që të jap shpjegime lidhur me vërtetimin e fakteve, mënyrën e vërtetimit të fakteve dhe mënyrën e vlerësimit të provave. Në rastin konkret gjykata nuk ka konstatuar faktet thelbësore dhe për rrjedhojë ka ardhur deri te
zbatimi i gabuar i të drejtës materiale, prandaj është vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.
Në çdo procedurë gjyqësore gjykata duhet që figurën e çështjes kontestuese ta ndërtojë duke ballafaquar pretendimet kundërshtuese të palëve ndërgjyqësore, por natyrisht faktet thelbësore duhet të identifikohen edhe duke pasur parasysh natyrën e çështjes kontestuese. Është norma materialo-juridike e cila përcakton sjelljen e subjekteve të së drejtës dhe rrjedhimisht është pikërisht norma juridike e cila përcakton pasojat juridike në rastet e caktuara, duke pasur parasysh gjendjen faktike të konstatuar nga ana e gjykatës.
Gjykata duhet të demonstrojë shkathtësi gjykuese ashtu që të ftojë palët që të paraqesin të gjitha faktet mbi bazën e të cilave ato mendojnë se provohen pretendime e tyre, dhe rrjedhimisht të ftojë palët që të paraqesin provat për vërtetimin e fakteve të paraqitura.
0 Comments