Anulim i kontratës mbi shitblerjen e patundshmërisë
Përshkrimi i rastit:
Paditësit A.S, R.K dhe Z.N kanë paraqitur padi për anulimin e kontratës, kundër të paditurës NPB “ _”, me të cilën kanë kërkuar që të anulohet kontrata mbi shitblerjen e patundshmërisë e lidhur në mes të paraardhësit të paditësve,
dhe paraardhëses juridike të të paditurës, e vërtetuar në gjykatë, sipas numrit Vr.
, të datës 08.03.1966.
Aktgjykimi i Gjykatës
Komunale C. nr. 131/00,
i datës
06.02.2001.
Gjykata e shkallës së parë duke vendosur lidhur me kërkesëpadinë e paditësve, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave ka ardhur në përfundim se e njëjta është e pabazuar dhe ka vendosur:
“REFUZOHET NË TËRËSI SI
E PABAZUAR kërkesëpadia e
paditësve, kundër
të paditurës, me të cilën kanë kërkuar
që të anulohet
kontrata mbi shitblerjen e patundshmërisë e lidhur në mes të paraardhësit të paditësve, dhe paraardhëses juridike të të paditurës,
e vërtetuar
në gjykatë,
sipas numrit Vr , të
datës 08.03.1966.”
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se nuk ishte kontestuese në mes palëve ndërgjyqësore se paraardhësi i paditësve me paraardhësen juridike të të paditurës kanë lidhur kontratë mbi shitblerjen patundshmërisë, e vërtetuar në gjykatë sipas numrit Vr. , të datës 08.03.1966, dhe po ashtu nuk ishte kontestuese se çmimin kontraktues e ka marrë paraardhësi i paditësve. Mirëpo, kontestuese ishte rrethana se kjo kontratë është lidhur në harmoni me ligjin ekzistues dhe në kohën e ekzistimit të rrethanave kur mbi shitësin është bërë presion me qëllim që pa vullnetin e tij ta shesë patundshmërinë objekt kontesti.
Gjykata kishte shtuar se në këtë drejtim ka vlerësuar vlefshmërinë e kontratës në kuptim të nenit 103 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Obligative, nga ka konstatuar se kjo kontratë nuk përmban elemente të cilat kishin me qenë në kundërshtim me dispozitën e përmendur, dhe po ashtu kjo kontratë nuk është lidhur në kundërshtim me parimet kushtetuese, e as në kundërshtim me ligjin, sepse në kuptim të ligjit ekzistues të atëhershëm mbi qarkullimin e patundshmërive kontrata është në formë të shkruar, objekti i kontratës është i lejuar për qarkullim dhe nënshkrimet e palëve janë të vërtetuara nga ana e gjykatës.
Gjykata me qëllim të vërtetimit të rrethanës se a ka ekzistuar presioni apo jo në kohën e lidhjes së kontratës nga ana e paraardhësit të paditësve, kishte bërë dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se të ndjerin (paraardhësin e paditësve), e kishte malltretuar fizikisht policia e stacionit policor në O., mirëpo të njëjtat deklarata gjykata i kishte refuzuar si jo bindëse dhe jo të argumentuara, për shkak se nuk është argumentuar nëse malltretimi eventual i të ndjerit, ka qenë në lidhshmëri reciproke me shitjen e domosdoshme të patundshmërisë, apo ai
malltretim ka qenë në lidhje me diçka tjetër. Po ashtu gjykata ka shtuar se nuk ka mundur t’ua falë besimin dëshmive të dëshmitarëve nga fakti se po që se ka qenë presioni për shitjen e patundshmërisë, atëherë nuk mund të arsyetohet rrethana se paraardhësi i paditësve vullnetarisht ka marrë çmimin kontraktues, dhe po që se ai mos ta kishte dëshiruar shitjen e patundshmërisë, ai ka pasur mundësi dhe ka mundur që me dhunë mos ta pranojë çmimin kontraktues.
Po ashtu ka theksuar se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar duke u mbështetur në nenin 111 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Obligatore, në të cilin përcaktohet se: “kontrata është e rrëzueshme nëse është lidhur nga pala me aftësi të kufizuar veprimi, nëse me rastin e lidhjes ka pasur të meta në kuptim të dëshirës dhe vullnetit të palëve dhe në rastet tjera të parapara me ligj”, andaj në kuptim të kësaj dispozite anulimi i kontratës për shkak të mungesës së vullnetit eventual të palëve nëse ajo është lidhur me presion, mashtrim po lajthim (vis, clar, precario), duhet të kërkohet në afatin subjektiv prej një viti nga dita e njohjes për arsyet e anulimit, apo më së largu deri në kalimin e afatit tre vjeçar nga dita e lidhjes së kontratës. Andaj, meqenëse kërkesa për anulim të kontratës nuk është bërë në afatin e paraparë, por pas 34 vjetësh, gjykata ka gjetur se kërkesëpadia e paditësve është e pas afatshme. Po ashtu ka theksuar se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar edhe nga aspekti se për momentin të paditurës i mungon edhe legjitimiteti i plotë, meqë ajo si subjekt afarist ka vetëm të drejtën e shfrytëzimit të tokës bujqësore me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së caktuar, ndërsa të drejtën e pronësisë dhe të qeverisjes me tokë bujqësore e ka Komuna si titullare, ndërsa në momentin aktual UNMIK-u, si administratë civile e Kombeve të Bashkuara, e cila rrethanë është vërtetuar në bazë të klauzolës të vënë në vendimin mbi regjistrimin e të paditurës si subjekt afaristë pranë zyrës për regjistrim të UNMIK-ut, nr , të datës 27.07.2000.
Aktgjykimi i Gjykatës
së Qarkut, Ac. nr.
68/2001, i datës 04.12.2003
Gjykata e Qarkut si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar kishte gjetur se ankesa e paditësve është e pabazuar.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se në kuptim të nenit 365 paragrafi 2 të LPK-së, gjykata ankimore heton sipas detyrës zyrtare shkeljet qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 345, paragrafi 2, të LPK-së, dhe në aplikimin e rregullt të së drejtës materiale, ku në kontekst të kësaj dispozite gjykata ankimore ka gjetur se aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkeljet qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 345,
paragrafi, 2 të LPK-së, për arsye se nuk ka mangësi për shkak të së cilave nuk mund të hetohet aktgjykimi i atakuar, dhe po ashtu ka arsye të mjaftuara, bindëse, juridike dhe faktike mbi faktet vendimtare në këtë çështje të cilat si të rregullta dhe të bazuara në ligj në tërësi i pranon edhe gjykata ankimore. Për shkak të hetimit të mjaftuar dhe të rregullt të gjendjes së çështjes e cila nuk vihet në dyshim me asnjë pretendim ankimor, drejtë po ashtu është aplikuar edhe e drejta materiale.
Të pabazuara i ka refuzuar pretendimet e paditësve se kontrata mbi shitblerjen është dashur të shqyrtohet dhe vlerësohet në bazë të nenit 103 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, për shkak se anulimi i kontratave absolutisht nule mund të kërkohet po që se është lidhur në kundërshtim me parimet e përcaktuara me kushtetutë të rregullimit shtetëror, me dispozitat imperative dhe me moralin e shoqërisë, andaj nuk ekzistojnë asnjëra nga këto kushte për të cilat do të mund të kërkohet anulimi i kontratës në kuptim të dispozitës së lartcekur.
Meqenëse paditësit si trashëgimtarë të shitësit
nuk e kanë kërkuar anulimin e kontratës
lëndore brenda afateve të cekura në nenin 117 të Ligjit mbi Marrëdhëniet
e Detyrimeve, (afati subjektiv
1 vit nga dita kur është
ditur shkaku i anulimit,
dhe afati 3 vite, nga prej ditës së lidhjes së kontratës), të njëjtit e kanë humbur të drejtën për të kërkuar
anulimin e kontratës, kështu që konsiderohet, përkatësisht supozohet se pala e interesuar e cila e kishte këtë të drejtë është tërhequr nga një e drejtë
e tillë, dhe konsiderohet konvalidimi në heshtje
i gjendjes.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Rev.
nr. 89/2004, i datës
26.01.2005
Gjykata Supreme, duke vendosur sipas revizionit të paditësve, ka gjetur se i njëjti është i pabazuar, duke e vërtetuar kështu aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se duke u nisur nga kjo gjendje e tillë e vërtetuar faktike, ka gjetur se gjykatat e instancave më të ulëta duke vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale kur kanë gjetur se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar. Në arsyetim të aktgjykimeve janë dhënë arsye të mjaftueshme, të cilat i ka pranuar edhe gjykata e revizionit, duke shtuar se për faktin e vërtetuar se kontrata e shitblerjes është lidhur me datë 19.05.1966, në rastin konkret nuk mund të zbatohet dispozitat e LMD-së, i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.10.1978, sepse sipas nenit 1106 të këtij ligji, dispozitat e tij nuk mund të zbatohen në
marrëdhëniet e detyrimeve të sajuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por do të zbatohen rregullat e përgjithshme të së drejtës civile të cilat kanë qenë në fuqi në kohën e lidhjes së kontratës, e cila është objekt shqyrtimi në këtë kontest, dhe po ashtu edhe të dy gjykatat e instancave më të ulëta drejtë i kanë zbatuar rregullat e përgjithshme të së drejtës civile, kur kanë gjetur se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar.
Komente përmbledhëse
të
vendimeve të rastit:
Rasti i përshkruar më sipër i referohet kërkesës për anulimin e kontratës së datës 19.05.1966, e cila kërkesë nga gjykata e shkallës së parë është refuzuar, ndërsa gjykata e shkallës së dytë dhe gjykata e shkallës së tretë e kanë konfirmuar përfundimin e gjykatës së shkallës së parë.
Specifike në këtë çështje është se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë me rastin e vendosjes për anulimin e kontratës së vitit 1966, i janë referuar dispozitave materialo-juridike të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.10.1978, mirëpo Gjykata Supreme në këtë rast ka konkluduar se përfundimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë është i drejtë, mirëpo referenca në Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, i vitit 1978, është e gabuar, për shkak se në nenin 1106 të ligjit të njëjtë, është përcaktuar se dispozitat e tij nuk do të zbatohen në marrëdhëniet e detyrimeve të sajuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por do të zbatohen rregullat e përgjithshme të së drejtës civile të cilat kanë qenë në fuqi në kohën e lidhjes së kontratës.
Ky konkludim i Gjykatës Supreme është shumë i rëndësishëm për shkak se në shumë raste gjyqësore të cilat i referohet raporteve juridiko-civile të krijuara para datës 01.10.1978, gjykatat gabimisht i janë referuar Ligjit të Detyrimeve të vitit 1978, duke aplikuar kështu dispozitat e këtij ligji në mënyrë retroaktive, me ç’rast kanë cenuar një standard të drejtësisë civile për jo retroaktivitetin e ligjit material.
Përveç të cekurave, konkludimi i Gjykatës Supreme është shumë i rëndësishëm për shkak se përmes këtij vendimi gjyqësor për marrëdhëniet e detyrimeve të krijuara në periudhën para datës 01.10.1978, gjykata e ka identifikuar burimin e zbatueshëm të së drejtës civile, e që janë rregullat e përgjithshme të së drejtës civile.
0 Comments