Header Ads Widget

Projektrezolutë në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt për luftën në Kosovë

Njëmbëdhjetë deputetë të kësaj partie, përmes projekt-rezolutës që pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, i kërkohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të hartojë një raport dhe të rishikojë Rezolutën 1782.

“Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin e legjitimitetit të luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër”, thuhet në hyrje të projektrezolutës.

Në vijim, projektrezoluta thekson se bazuar në parimin se çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim, por dhe se çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë forcën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës.

Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE-së dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (Doc. 12462, datë 7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë’, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, theksohet në projektrezolutë.

Për këtë qëllim, thuhet në projektrezolutë “propozojmë këtë ‘rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

“I kërkojmë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011)”, thuhet në projektrezolutën që është firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla si dhe deputetët Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koçi, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollçaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi.

Si pasojë e pretendimeve të Martyt në raportin e tij, është themeluar edhe Gjykata Speciale në Hagë, ku sot po hetohen ish-krerët e UÇK-së.

 


Post a Comment

0 Comments

Technology