Header Ads Widget

Presidentja Osmani për takimin me Sekretarin Blinken: Raportet e Kosovës me ShBA-në janë ekzistenciale

 Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti janë pritur në takim nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.

Në takim u rikonfirmua partneriteti i palëkundur në mes të dy vendeve. Duke folur për mbështetjen e pakrahasueshme të SHBA-ve për Kosovën, Presidentja Osmani i përcolli Sekretarit Blinken, e nëpërmjet tij edhe Presidentit Biden dhe gjithë popullit amerikan, mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës dhe konfirmoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për avancim të vazhdueshëm e thellim të mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy vendeve. Në veçanti, në këtë takim të Presidentes dhe Kryeministrit me Sekretarin Blinken, është folur për intensifikimin e angazhimit të përbashkët me SHBA-të në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike, si dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. Palët shprehën gatishmërinë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik.
Nga ana tjetër, Sekretari Blinken, duke iu referuar raporteve historike e të shkëlqyeshme të SHBA-ve me Kosovën, u falënderua për bashkëpunimin nga ana e Kosovës në fusha të ndryshme, duke përfshirë angazhimin për strehimin e refugjatëve Afgan, qëndrimet e qarta të Kosovës për sa i përket luftës në Ukrainë, si dhe miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gjatë takimit, Sekretari Blinken përcolli edhe përshëndetjet për Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti nga ana e Presidentit Biden duke theksuar angazhimin historik dhe personal të Presidentit Biden në përkrahje të Kosovës.

Ai, po ashtu, e vlerësoi lartë punën e Kosovës në zbatimin e zotimeve të bëra në kuadër të Samitit për Demokraci. Në veçanti, Sekretari Blinken shprehu mirënjohje të thellë për punën e Presidentes Osmani në drejtim të promovimit dhe avancimit të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me ç’rast vlerësoi lart organizimin e Forumit Ndërkombëtar me fokus në këtë temë.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Osmani falenderoi Shtetet Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme në këtë proces, e në vecanti për qëndrimin e qartë të shprehur nga Presidenti Biden dhe nga Sekretari Blinken që njohja reciproke të jetë në qendër të këtij procesi. Për më tepër Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për angazhim në këtë proces me njohjen në qendër, ku poashtu duhet të ruhet sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi kushtetues i Republikës së Kosovës, duke ripotencuar rëndësinë e angazhimit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në kontinentin e Evropës dhe përtej, si dhe për luftën e paprovokuar dhe brutale të Rusisë në Ukrainë. Në këtë drejtim, u diskutua për domosdoshmërinë e qëndrimit krah për krah njëri-tjetrit në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes dhe sigurisë, si dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta demokratike.

Presidentja Osmani tha se Kosova është e vendosur dhe e qartë në qëndrimet e saja në mbështetje të Ukrainës dhe se Kosova qëndron bindshëm kundër veprimeve të Rusisë dhe agresionit rus, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe me miratimin e menjëhershëm të sanksioneve të vendosura nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Me këtë rast, ajo i bëri thirrje atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor, që deri tani nuk kanë bërë një gjë të tillë, që të veprojnë dhe të miratojnë sanksionet. Në takim poashtu u kërkua vazhdimi i përkrahjes amerikane në parandalimin e tendencave destabilizuese të Rusisë, duke përdorur Serbinë si satelit të saj, meqë, sipas Presidentes Osmani, këto tendenca janë të vazhdueshme prandaj duhet të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të cilat qëndrojnë në themelet e shtetit tonë si dhe në parandalimin e influencave të aktorëve të tretë malinj.

Presidentja Osmani tha se Kosova është shembull se çfarë mund të arrihet kur bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballet me tiraninë dhe me regjimet gjenocidale, dhe si e bashkuar sigurohet që liria të mbizotërojë.

Në takim u fol edhe për progresin që ka shënuar Kosova në zbatim të reformave, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, u fol edhe për zhvillimin ekonomik dhe rëndësinë e tërheqjes së investimeve të huaja amerikane, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mbështetjen e Amerikës për sektorin e energjisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në përballje me sfidat energjetike. Theks i veçantë është vendosur në bashkëpunimin ushtarak dhe rolin që po luan Kosova në mbrojtje të paqes dhe sigurisë ne botë përmes misioneve të përbashkëta paqeruajtëse me SHBA-të. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të NATO dhe kërkoi përkrahjen amerikane në këtë drejtim.

Presidentja Osmani potencoi se Kosova është një partnere e besueshme dhe serioze për Amerikën dhe aleatët e tjerë demokratik, dhe se forcimi i i pozitës ndërkombëtarë të saj veçse është vlerë e shtuar për komunitetin ndërkombëtar dhe botën demokratike. Në këtë drejtim, ajo foli për përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike, me ç’rast theksoi rëndësinë e madhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe e vlerësoi lartë mbështetjen e SHBA-ve në këtë drejtim.


Post a Comment

0 Comments

Technology