Vërtetim i të drejtës së pronësisë në bazë të trashëgimisë dhe mbajtjes
Përshkrimi i rastit:
Paditësit A.K, Sh.K, M.K, F.K dhe R.K, kanë paraqitur padi për vërtetimin e pronësisë, kundër të paditurës Komuna e , me të cilën kanë kërkuar që të vërtetohet se të njëjtit në bazë të trashëgimisë dhe të mbajtjes janë bashkëpronar, dhe atë paditësi A.K në ½ pjesë ideale, kurse paditësit e tjerë çdo njëri në nga 1/8 pjesë ideale të paluajtshmërisë e regjistruar si ngastra kadastrale nr. , e evidentuar në fletën poseduese nr. ZK Prizren, në sipërfaqe prej 624 m2.
Aktgjykimi i Gjykatës Komunale C. nr. 170/2012, i datës 24.01.2013
Gjykata e shkallës së parë duke vendosur lidhur me kërkesëpadinë e paditësve, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave ka ardhur në përfundimin se e njëjta është e pabazuar duke vendosur:
“ REFUZOHET kërkesëpadia e
paditësve A.K, Sh.K, M.K, F.K dhe R.K, që të
gjithë nga Prizreni rr. “ ” nr. , të cilët i përfaqëson i
autorizuari i tyre av. , nga me të cilën kanë kërkuar që “të vërtetohet
se të njëjtit në bazë të trashëgimisë dhe të mbajtjes
janë bashkëpronarë, paditësi
A.K në ½ pjesë
ideale, kurse paditësit Sh.K, M.K, F.K. dhe R.K, çdonjëri prej tyre në nga 1/8 pjesë ideale të patundshmërisë së regjistruar si ngastra kadastrale nr. dhe e evidentuar në bazë të listës poseduese
nr. ZK
, në sipërfaqe prej 624 m2, të cilën e paditura Komuna e Prizrenit duhet ta pranojë dhe të detyrohet
Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Prizren, që paditësit t’i regjistroj si bashkëpronar të paraqitur si më lartë,
të
gjitha këto brenda plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, SI TËRËSISHT E PABAZUAR.”
Gjykata në procedurën e provave të shqyrtimit kryesor ka administruar provat relevante dhe atë: certifikata mbi të drejtat e pronës së paluajtshme për ngastrën kadastrale nr. P , ZK , e datës 18.01. ; kopja e aktvendimit të Gjykatës së të , të datës 01.02. ; deklarata e H.Gj, me numër Vr. nr. , të datës 15.12. ; kopja e aktvendimit të Gjykatës Komunale në Ndr. nr. , të datës 19.06. ; aktvendimi plotësues i Gjykatës Komunale në Ndr. nr. , të datës 12.07. ; kopja e certifikatës së vdekjes e lëshuar nga UNMIK- Komuna me nr. , të datës 21.05. ; certifikata e lindjes e lëshuar nga UNMIK - Komuna , e datës 21.05. , me numër ; certifikata me numër , e lëshuar nga UNMIK - Komuna e , datës 21.05. ; kopja e certifikatës së vdekjes me nr. e lëshuar nga UNMIK - Komuna , e datës 12.07. ; aktvdekja për të ndjerin R.K me nr. , të datës 13.07. , e lëshuar nga UNMIK- Komuna ; certifikata e vdekjes për të ndjerin N.K me nr. , të datës
20.07. , e lëshuar nga Komuna e ; aktvdekja për të ndjerin R.K me nr , e datës 19.01. , e lëshuar nga Komuna e ; certifikata e vdekjes për të ndjerin R.K nr , e datës 07.02. , lëshuar nga Komuna e ; certifikata e martesës me nr , e datës 07.02. , e lëshuar nga Komuna e
; certifikata e lindjes për A.K me numër rendor , e datës 01.03.
, e lëshuar nga Komuna e ; dëshmia mbi vdekjen për të ndjerin
N.K me nr. rendor , të datës 20.07. , e lëshuar nga Komuna e ; certifikata e martesës me numër rendor , e datës 26.08. , e lëshuar nga Komuna e ; certifikata e lindjes për paditësen M.K, me numër rendor
, të datës 16.07. , e lëshuar nga Komuna e ; certifikata e lindjes për paditësin M.K, me nr. rendor , të datës 07.02. , e lëshuar nga Komuna e ; certifikata e lindjes për paditësin R.K, me numër rendor
, të datës 12.05. , e lëshuar nga Komuna e ; deklarata e A.P me nr. Vr.nr. , e datës 29.03. ; deklarata e A.M me nr.Vr. nr.
, e datës 14.03. ; si dhe ekspertiza e ekspertit të gjeodezisë B.S, e datës 04.12. , bashkë me skicën përcjellëse.
Në arsyetim të aktgjykimit, ka theksuar se kërkesëpadia e paditësve është refuzuar si e pabazuar për shkak se paditësit me asnjë provë nuk kanë arritur t’i argumentojnë dhe vërtetojnë pretendimet e tyre për fitimin e të drejtës së pronësisë ndaj paluajtshmërisë kontestuese në bazë të trashëgimisë, respektivisht në bazë të mbajtjes. Ka shtuar se në bazë të provave të administruara është
vërtetuar se në aktvendimin e Gjykatës së në të datës 01.02. , e në kuptim të Ligjit mbi
Konfiskimin e Pasurisë dhe Ekzekutimin e Konfiskimit, të ndjerit R.K, i është konfiskuar pasuria
e tërësishme e tij, respektivisht këtu paluajtshmëria kontestuese. Në bazë të këtij vendimi
të gjykatës së asaj kohe, dhe
duke u bazuar të dispozitat ligjore të Ligjit mbi Konfiskimin e Pasurisë dhe Ekzekutimin e Konfiskimit del se
shteti i asaj kohe, përkatësisht Republika
Popullore Federative e Jugosllavisë, respektivisht Kuvendi Komunal i Prizrenit, e kishte fituar të drejtën e
pronësisë ndaj këtu paluajtshmërisë
kontestuese. Pra, baza e fitimit të së drejtës së pronësisë ndaj kësaj paluajtshmërie është neni 8 i Ligjit mbi Konfiskimin e Pasurisë dhe Ekzekutimin
e Konfiskimit, në të cilin përcaktohet se: “përmes
vendimit të plotfuqishëm me të cilin
është konfiskuar pasuria, shteti e fiton të drejtën e pronësisë në pasurinë e konfiskuar, si dhe të drejtat e tjera
pronësore të cilat janë të përfshira me konfiskim”.
Tutje ka shtuar se paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të vërtetohet se të njëjtit në bazë të trashëgimisë janë pronarë të paluajtshmërisë kontestuese, mirëpo sipas bindjes së gjykatës kjo bazë e kërkesëpadisë është refuzuar si e pabazuar, për shkak se nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë së personave fizikë në bazë të trashëgimisë, në paluajtshmërinë e cila është në pronësi shoqërore, e që në rastin konkret evidentohet në emrin e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Po ashtu ka shtuar se paditësit për fitimin e së drejtës së pronësisë janë thirrur edhe në bazën e mbajtjes, gjë e cila sipas gjykatës ka rezultuar prapë e pabazuar, për shkak se mbi sendin i cili është në pronësi shoqërore e drejta e pronësisë nuk mund të fitohet me mbajtje apo me parashkrim fitues.
Lidhur me pretendimet e paditësve se paluajtshmëria kontestuese i ishte konfiskuar paraardhësit të tyre pa bazë juridike, të njëjtat pretendimet gjykata i ka refuzuar si të pabazuara, për faktin se në Ligjin mbi Konfiskimin e Pasurisë dhe Ekzekutimin e Konfiskimit, del se për konfiskimin e pasurisë përkatëse nuk ka qenë e domosdoshme që të ekzistojë aktgjykim penal, por vetëm vendimi i bazuar në këtë ligj, mbi konfiskimin e pasurisë së caktuar, andaj edhe gjykata nga të cekurat e më lartë, në kuptim të nenit 1.5 lidhur me nenin 36 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, nenit 29 lidhur me nenin 33 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Pronësoro-Juridike, nenit 10 lidhur me nenin 13 të Ligjit për Qarkullimin e Pasurisë së Paluajtshme dhe nenit 3, 8 lidhur me nenin 13 të Ligjit mbi Konfiskimin e Pasurisë dhe Ekzekutimin e Konfiskimit, gjykata ka vendosur që kërkesëpadinë e paditësve ta refuzojë si të pabazuar.
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 2032/2013, i datës 01.04.2016
Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar kishte gjetur se ankesa e të paditësve është e pabazuar.
Në arsyetim të aktgjykim ka theksuar se pas ekzaminimit të aktgjykimit të atakuar, ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të LPK-së, për të cilat kjo gjykatë kujdesët sipas detyrës zyrtare, kurse pretendimet ankimore të cilat bëjnë fjalë për shkelje të tilla janë të pabazuara. Aktgjykimi i atakuar është në masë të mjaftueshme i arsyetuar, dispozitivi i të njëjtit është në pajtim me faktet thelbësore, kurse arsyet e fakteve thelbësore janë në lidhje logjike me provat e administruara. Lidhur me zbatimin e të drejtës materiale Gjykata e Apelit e kishte pranuar në tërësi përfundimin e gjykatës së shkallës së parë, me arsyetim se në rastin konkret gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë është në pajtim me të drejtën materiale të referuar nga ajo gjykata, nga ka rrjedhur edhe përfundimin meritor i kësaj çështje kontestuese.
Lidhur me pretendimet e paditësve se vendimi mbi konfiskimin e paluajtshmërisë së tani të ndjerit R.K., është i kundërligjshëm dhe se ndryshimet kadastrale janë bërë në mënyrë të kundërligjshme, të njëjtat pretendimet gjykata i ka refuzuar si të pabazuara, për shkak se për këto pretendime vlen parimi se një e padrejtë e cila është e bazuar në ligjet në fuqi, kur është vendosur për konfiskimin e paluajtshmërisë kontestuese, nuk mund të zgjidhet pa bazë ligjore, ngase në rastin konkret për të vendosur lidhur me padrejtësitë e bëra nga ish pushteti ndaj të ndjerit R.K., duhet që kjo çështje të rregullohet me ligj në atë mënyrë që bile së paku të bëhet rehabilitimi i tani të ndjerit, e pastaj gjykata do të kishte mundësi që këtë padrejtësi ta zgjidhë drejtë me ligj.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Rev. nr. 195/2016, i datës 07.11.2016
Gjykata Supreme, duke vendosur sipas revizionit të paditësve, ka gjetur se i njëjti është i pabazuar, duke e vërtetuar kështu aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes Gjykata Supreme ka gjetur se gjykatat e instancave më të ulëta drejtë dhe në mënyrë të plotë kanë vërtetuar gjendjen faktike, duke zbatuar drejtë dispozitat e LPK-së, dhe të drejtën materiale kur kanë gjetur se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar. Aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta përmbajnë
arsye të mjaftueshme për faktet relevante, dhe për gjykim të drejtë të kësaj çështjeje juridike.
Thëniet në revizion se paluajtshmëria kontestuese nga paraardhësi i paditësve është marrë në mënyrë jo të drejtë, gjykata e revizionit ka arsyetuar se në këtë procedurë nuk mund të vlerësohet ligjshmëria e vendimit mbi konfiskimin, pasi që padrejtësia eventuale ndaj paditësve mund të përmirësohet vetëm me nxjerrjen e një ligji mbi de-konfiskim të Republikës së Kosovës, e cila do të kthente pasurinë e konfiskuar. Ka shtuar se paraardhësit e paditësve kanë mundur të përdorin edhe mjetet juridike kundër vendimit mbi konfiskimin, por këtë nuk e kanë bërë, andaj në kuptim të nenit 222 të LPK-së, ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar revizionin e paditësve, duke e vërtetuar kështu aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë.
Komente përmbledhëse të vendimeve të rastit:
Në rastin e përshkruar më sipër paditësit e pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi pronën kontestuese me trashëgimi dhe parashkrim fitues. Paditësit pretendojnë se prona kontestuese ka qenë e paraardhësit të tyre dhe në mënyrë të kundërligjshme në vitin 1956, ishte konfiskuar.
Në këtë çështje të tri nivelet e gjykatave kanë mbajtur qëndrim unik se kërkesëpadia është e pabazuar, dhe atë edhe sipas bazës së trashëgimisë edhe sipas bazës së mbajtjes. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se kërkesëpadia sipas bazës së trashëgimisë është e pabazuar për shkak se nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë së personit fizik në bazë të trashëgimisë, në paluajtshmërinë e cila është në pronësi shoqërore, e cila në këtë rast evidentohet në emër të P.SH Kuvendi Komunal Prizren.
Ky përfundim i gjykatës së shkallës së parë është pranuar nga gjykata ankimore dhe rrjedhimisht edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Përndryshe konkludimi i gjykatës së shkallës së parë është shumë i rëndësishëm për praktikën gjyqësore se nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë për personin fizik në pronësi shoqërore. Potencialisht me barazimin e pronës private me pronën shoqërore mund të përdorën baza tjera për fitimin e pronësisë mbi pronën shoqërore, por baza e trashëgimisë për fitimin e pronësisë për personin fizik mbi sendin në pronësi duket se është përjashtuar.
Në këtë rast gjykata e ka arsyetuar edhe pretendimin e paditësve për fitimin e pronësisë me parashkrim fitues duke theksuar se e drejta e pronësisë me parashkrim fitues në sendin në pronësi shoqërore nuk mund të fitohet.
Në këtë rast kemi edhe një përfundim të rëndësishëm të gjykatës së shkallës së parë për pamundësinë e fitimit të së drejtës së pronësisë me parashkrim fitues në sendin që është në pronësi shoqërorë as sipas Ndryshimit dhe Plotësimit të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore, të vitit 1996, i cili konkluzion i është pranuar edhe nga gjykata ankimore dhe Gjykata Supreme e Kosovës.
Gjykata e shkallës së parë në rastin konkret lidhur më kërkesën e paditësve që t’u njihet e drejta e pronësisë me parashkrim fitues ka theksuar se: “ Me nenin 29 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore është e paraparë se:“ mbi sendin në pronësi shoqërore, e drejta e pronësisë nuk mund të fitohet me parashkrim fitues”. Edhe pse me ndryshimet e mëvonshme të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore, neni në fjalë rezulton të jetë fshirë, gjykata vlerëson se bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut, nr. 1999/24, për Ligjin në Fuqi, respektivisht Rregulloren e UNMIK-ut, nr. 2000/59, për ndryshimin e Rregullores 1999/24, për Ligjin në Fuqi në Kosovë, në rastin konkret zbatohet Ligji mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore, i cili ka qenë në fuqi me datë 22.03.1989, e jo edhe ndryshimet e mëvonshme të tij”.
Këtë përfundim të gjykatës së shkallë së parë e ka pranuar edhe gjykata ankimore, por ka arsyetuar se edhe me ndryshimet e mëvonshme të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore, qenësorë është mirëbesimi i posedimit për parashkrimin fitues, e që si kusht nuk plotësohet në këtë rast.
0 Comments