Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e mërkurë) në dy seanca plenare. Në të parën që nis në ora 10:00 janë të planifikuara 5 pika të rendit të dytës, ndërsa e dyta nis në ora 11:00 me 20 pika të rendit të ditës. Pika e tetë e seancës së dytë është ajo që ka nxitur debat qe një kohë. Aty është paraparë shqyrtimi i parë i Projektligjit që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti.
Partitë opozitare sërish kanë apeluar Lëvizjen Vetëvendosje që të votojnë “pro” tërheqjes së mjeteve të Trustit. Por, partia që udhëheq e vetme dhe ka numrin me të madh të deputetëve është shprehur kundër miratimit të këtij projektligji.
Partia Demokratike e Kosovës, si sponsorizuese e këtij projektligji, ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t'i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.
Për të lejuar tërheqjen e mjeteve të Trustit janë organizuar edhe protesta.
Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.
Shqyrtimi i këtij projektligji ishte paraparë javën e shkuar, por seanca nuk u zhvillua për shkak të protestave të veteranëve kundër ligjit për pagën minimale.
0 Comments