Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dalë me një deklaratë pas miratimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS
Prishtinë, 23 qershor 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me anë të kësaj deklarate, shpreh shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në në Kuvendin e Kosovës.
Siç dihet, Këshilli Prokurorial, që nga fillimi i procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së, ashtu siç parashihet me Strategjinë për sundimin e ligjit, ka dhënë kontributin e tij nëpër grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dalë me propozime konkrete, të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, nga komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës.
KPK-ja konsideron se votimi i këtij ligji, në këtë mënyrë, cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetuese.
Për më tepër, përmbajtja e këtij ligji do të pamundësojë funksionalizimin e sistemit prokurorial dhe do ta bëjë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.
Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias.
0 Comments