Kuvendi miratoi Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë
Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ratifikoi Marrëveshjen ndërmjet Qeverisё së Republikës së Kosovës dhe Këshillit tё Ministrave tё Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare
Qëllimi i kësaj Marrëveshje është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë.
Kjo Marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile apo tregtare të personave fizik dhe juridik.
Çështjet të cilat adresohen në këtë marrëveshje kanë të bëjnë me barazvlefshmërinë e dokumenteve të cilat lëshohen nga autoritetet e institucioneve përkatëse nga të dy republikat, siç janë gjykatat, noterët dhe autoritetet tjera të cilat janë të vërtetuara dhe posedojnë nënshkrimin dhe vulën përkatëse, po ashtu garantimin e shtetasve të palëve në mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave dhe qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve të tjera të drejtësisë.
0 Comments