Themelimi i birësimit
Themelimi i birësimit është akt juridik. Procedura e birësimit është në kompetencë të gjykatës dhe atë Gjykatave Themelore në procedurë jashtëkontestimore, për dallim nga ligji i mëparshëm për Martesën dhe Marrëdhëniet Familjare, në bazë të të cilit birësimi themelohej përpara Organit të Kujdestarisë. Gjykata mund të kërkoj këshilla nga Organi i Kujdestarisë gjatë marrjes së vendimit mbi adoptim.
Birësimi si rregull nuk do të themelohet derisa birësuesi të kujdeset për të birësuarin për një kohë të arsyeshme të përcaktuar nga gjykata, por që nuk kalon periudhën tre muajshe. Kjo periudhë do të iniciohet, mbikëqyret dhe vlerësohet nga organi i kujdestarisë. Në procedurën e birësimit përjashtohet publiku. Procesverbali dhe dokumentet e themelimit të birësimit paraqesin sekret zyrtar. Procedura e birësimit fillon me kërkesën për birësim të birësuesit. Kompetenca territoriale caktohet sipas vendbanimit të fundit të parashtruesve të kërkesës për adoptim, si dhe në bazë të vendbanimit të të adoptuarit. Nëse gjykata në bazë të provave të siguruara dhe të bashkëngjitura si
dhe çmuarjes së të gjitha rrethanave të tjera, konstaton se adoptimi nuk është i dobishëm për të adoptuarin, ajo do të marrë aktvendimin për refuzimin e kërkesës për birësim. Kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa në afatin prej 15 ditëve nga dita e marrjes së aktvendimit. Nëse gjykata konstaton se janë plotësuar kushtet për birësim të parapara me LFK, ajo do të hemelojë birësimin.
Për themelimin e birësimit nevojitet prania e birësuesit, e bashkëshortit të tij, e prindërve, përkatësisht e kujdestarit të të birësuerit, si dhe prania e të birësuarit nëse është mbi moshën 10 vjeçare. Deklarata e pëlqimit të pjesëmarrësve duhet të shënohet në procesverbalin e procedurës, i cili pastaj do tu lexohet pjesëmarrësve. Gjykata kompetente, i’a dërgon menjëherë procesverbalin e themelimit të birësimit organit kompetent për regjistrim në librat amë të të lindurëve, palës dhe organit të kujdestarisë. Në kët rast pala birësuese regjistrohet si prindi i të birësuarit dhe fëmija e merr mbiemrin e personit birësues sikur të ishte mbiemri i tij. Është me rëndësi të ceket se nuk mund të zhvillohet procedurë e vërtetimit të amësisë apo të atësisë së fëmijës së birësuar.
Nuk mund të ketë themelim të birësimit pas vdekjes së fëmijës.
0 Comments