Të drejtat dhe detyrimet e prindërve
Sipas parag. 5 të nenit 203 të LFK-së, të drejtat dhe detyrat e prindërve dhe kujdestarit të fëmijës kufizohen për kohëzgjatjen e vendosjes në familje. Një përkufizim i tillë nuk na jep shpjegim të duhur dhe adekuat mbi llojin e të drejtave të cilat gjatë kohës së vendosjes janë të kufizuara dhe në ç’masë, mirëpo duke u nisur nga ky institut konsiderojmë se të drejtat e edukimit dhe të mirërritjes së fëmijës pushojnë për prindërit e fëmijës për aq kohë sa do të zgjasë vendosja në familje tjetër.
Prindërit apo kujdestari i fëmijës mund të kërkojnë nga organi i kujdestarisë kompetente për vendosjen e fëmijës në familje tjetër, që të bëjë rishikimin e zbatimit të mirëfilltë të kujdesit ndaj fëmijës, po që se eventualisht vërenë se ky kujdes në familjen në të cilën është vendosur fëmija, mungon apo është anashkaluar. Gjithashtu prindërit ushtrojnë të drejtat tjera prindërore siç janë të drejtat e natyrës pasurore të fëmijës duke bërë administrimin e pronës së fëmijës, përfaqësimin, si dhe të drejtat tjera përveç nëse këto të drejta u janë marrë me vendim të posaçëm të organit kompetent.
0 Comments