Mënyrat e ushtrimit të kujdestarisë
Punët dhe detyrat e Organit të Kujdestarisë siç e cekëm edhe më lartë janë të shumta dhe të ndërlikuara.
Ky organ punët nga veprimtaria e vet i kryen në dy mënyra:
a. të drejtpërdrejtë;
dhe
b. të tërthortë.
Mënyra e drejtpërdrejtë e kryerjes së punës nga ana e Organit të Kujdestarisë është në rastet kur ky i fundit i kryen detyrat e veta pa pjesëmarrjen e personave të tjerë. Kjo ndodhë në rastet kur ky organ nuk mund të gjejë dhe të caktojë persona të përshtatshëm për t’i emëruar kujdestarë, e të cilët do të ishin garanci për kryerjen e suksesshme të këtij funksioni. Kjo në praktikë mund të ndodhë p.sh. kur personat që ky organ i emëron si kujdestar nuk janë të detyruar për ta pranuar këtë funksion, ndërsa në rastet e tilla organi i kujdestarisë emëron kujdestar një punëtor nga radhët e punëtorëve të vet. Me vendimin mbi ushtrimin e drejtpërdrejtë të punëve të kujdestarit, përfaqësuesi i organit të kujdestarisë është i caktuar që të drejtojë detyrat në emër të kujdestarit.
Me kryerjen e tërthortë të detyrave të organit të kujdestarisë, kemi të bëjmë në rastet kur ky organ gjithë kujdesin për të drejtat, interesat dhe pasurinë e të kujdesurit ia beson një kujdestari, i cili detyrat i kryen nën kujdesin e organin e kujdestarisë. Në të gjitha rastet e tjera Organi i Kujdestarisë emëron dhe shkarkon kujdestarinë nga detyra, merr vendimin për vënien e personave nën kujdestari, i jep lejen kujdestarit për kryerjen e punëve të veçanta, mban evidencën e personave nën kujdestari etj.
0 Comments