KI170/21, Parashtrues: Arianit Sllamniku dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.01/32 i 28 gushtit 2021
KI170/21, Aktvendim i 10 dhjetorit 2021, publikuar më 29 dhjetor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, palë e pa autorizuar, actio popularis
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me Vendimin e Qeverisë nr.01/32 “Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”. Ky vendim, në pikat përkatëse parasheh masa për luftimin e pandemisë COVID-19, kryesisht përmes kërkesës për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit apo dëshmive tjera, për të hyrë në objekte përkatëse në Republikën e Kosovës apo edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Vendimin e lartcekur të Qeverisë duke theksuar ,mes tjerash, se nuk mund të hyjnë në institucione, pa poseduar certifikatën e vaksinimit apo dëshmitë tjera, dhe poashtu theksojnë se qytetarët në përgjithësi kushtëzohen me vendin e tyre të punës me qëllim të marrjes së vaksinës.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata fillimisht sqaroi se sa i përket kërkesës së parashtruesve të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë, si akt normativ i karakterit të përgjithshëm, personat fizikë ose juridikë, në kuptim të Nenit 113 paragrafi 7 i Kushtetutës, nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësim abstrakt të përputhshmërisë së legjislacionit me Kushtetutën, apo kërkesa të natyrës actio popularis. Në këtë linjë Gjykata sqaroi se dispozita kushtetuese (neni 113 paragrafi 7), ofron mbrojtje për individët sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike, vetëm përbrenda fushëveprimit të saj. Rrjedhimisht, sipas dispozitave përkatëse parashtruesit e kërkesave duhet të dëshmojnë se: (1) janë palë të autorizuara; (2) janë të prekur drejtpërsëdrejti nga akti konkret ose mosveprimi i autoriteteve publike; dhe (3) kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se nuk sheh ndonjë rrethanë apo arsye të vendosë ndryshe nga praktika e saj e gjyqësore në raste të ngjashme, megjithatë rikujtoi se individët kanë të drejtë të kontestojnë vetëm aktet individuale të autoriteteve publike që cenojnë të drejtat e tyre individuale dhe vetëm pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, kërkesa e parashtruesve të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar.
0 Comments