Drejtësia është një ndjenjë të cilën Allahu i Madhëruar e ka instaluar në zemrën çdokujt prej nesh.Drejtësinë e do i varfëri, por e do edhe i pasuri; atë e do njeriu i dobët por edhe njeriu i fortë, e do gruaja por edhe burri, e do fëmija e plaku por edhe i riu. Megjithëse kjo ndjenjë buron nga thellësia e njeriut, realitetiështë krejt ndryshe, madje tepër i hidhur për t’u përshkruar. I pasuri padrejtësisht pasurohet në kurriz të të varfërit, i forti padrejtëshisht shtyp të dobëtin, burri padrejtësisht përdor forcën e tij ndaj gruas dhe fëmijëve..e kështu me rradhë. Për fat të keq, padrejtësia – shihet qartazi – ushtrohet në rang individi ashtu edhe në rang shoqërish e shtetesh.
Duke hedhur një vështrim analitik në periudhën, në të cilën Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin (a.s) si profet për mbarë njerëzimin, do të dalim në një përfundim të qartë: e mbarë bota ishte zhytur në llumin e zullumit dhe të padrejtësisë. Dy superfuqitë e asaj kohe; perandoria bizante dhe perse me zullumin e tyre shtypnin, rrënonin, shkatërronin, digjnin dhe masakronin fshatra dhe qytete të tëra. Taksat e larta, dhuna, terrori, vrasjet e padrejtësi nga më të shumtat ishin pjesë e karakterit gjakatar e pushtues të këtyre dy superfuqive. E nëse do të hedhim një vështrim tek arabët e kohës së injorancës, me bindjen më të madhe themi se padrejtësia kishte ngulur rrënjët thellë në shoqëri. Luftrat e pafundme që zhvilloheshin për hir të fisit, shtypjet që të fortët bënin ndaj të dobtëve, jeta prej kafshësh – madje më keq – që skllevërit bënin dhe trajtimi çnjerëzor ndaj gjinisë femërore janë dëshmuesit më të qartë se padrejtësia në shoqërinë arabe kishte arritur kulmin.
Në këtë periudhë të errët të njerëzimit, Allahu i Madhëruar do të dërgonte Profetin (a.s) i cili do t’i thërriste njerëzit në besimin e pastër, do të aprovonte doket dhe zakonet e mira, dhe do të deklaronte distancimin e tij nga moralet e këqija. Vetë Profeti (a.s) ishte mishërim i asaj në të cilën ai i thirri njerëzit. Jeta e tijështë e mbushur plot e përplot me shembuj që dëshmojnë drejtësinë e tij me njerëzit. Më poshtë do të përmendim disa shembuj të drejtësisë së tij:
Nëse do të thirresha në Islam për të marrë pjesë në punë të tilla, sigurisht që do të përgjigjesha
Një burrë nga fisi Zubejd erdhi në Mekëme disa mallra të cilat ia shiti As ibn Uailit. Burri kërkoi prej Asit që të paguante, por ai refuzoi. Burri kërkoi nga banorët e Mekës që ta ndihmonin, por askush nuk e përkrahu. Burri shkoi pranë Qabes dhe recitoi disa vargje duke përshkruar fatkeqësinë e tij.
Ishte ky shkaku kryesor që më pas fiset arabe u mblodhën në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’anit dhe formuan një aleancë duke i dhënë besën njëri-tjetrin që nëse do të gjenin ndonjë njeri, që i është bërë padrejtësi në Mekë nga njerëzit e tyre ose nga ndonjë fis tjetër, ata do të qëndronin në krah të tij dhe do ta ndihmonin. Kjo aleancë u quajt “Aleanca e të Virtytshmëve” dhe në këtë aleancë mori pjesë edhe i Dërguari i Allahut.
Me kalimin e kohës, kjo aleancë u prish, por ajo kishte lënë gjurmë të thella tek Profeti (a.s) i cili do të dëshmonte: “Unë morra pjesë në një aleancë me xhaxhallarët e mi në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’an, dhe unë nuk dua ta këmbej atë as për luksin më të shkëlqyer. Nëse do të thirresha në Islam për të marrë pjesë në punë të tilla, sigurisht që do të përgjigjesha.”[1]
Padrejtësia është errësirë prej errësirave të Ditës së Kijametit, ashtu sikurse edhe drejtësia është principi bazë mbi të cilin do të gjykohen të gjithë krijesat në atë Ditë. Megjithëse arabët e kohës së injorancës kishin shumë vese të këqija, ata akoma ishin me natyrë të pastër. Ata nuk mund të toleronin Asin dhe askënd tjetër që të shkelte të drejtën e dikujt. Që të ndihmonin dikënd që i ishte bërë padrejtësi, ata e panë të arsyeshme që të mblidheshin të gjithë së bashku për të vendosur drejtësinë në vend. Padyshim, në këtë aleancë mori pjesë edhe Profeti (a.s), sepse ai (a.s) u dërgua për të mbështetur zakonet dhe adetet e mira të arabëve. Çfarëështë e mirëështë e mirë dhe çfarëështë e drejtëështë e drejtë për të gjithë njerëzit qofshin ata besimtarë apo jobesimtarë. Pjesmarrja e Profetit (a.s) në këtë aleancë nuk mund të krahasohet me asgjë nga pasuritë e kësaj bote, sepse vendosja e drejtësisëështë një qëllim sublim që nuk ka të krahasuar. “Nëse do të thirresha në Islam..” janë fjalë të cilat Profeti (a.s) i ka thënë kur ka qenë në Medine, pikërisht në atë periudhë kur midis tij dhe kundërshtarëve të tij janë zhvilluar një sërë betejash. Pavarësisht kësaj, Profeti (a.s) nuk do të hezitonte kurrë të merrte pjesë në një aleancë të tillë duke iu përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar në Kuran: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë.”[2]
Gjykim i drejtë
Qabja është faltorja e parë në sipërfaqen e Tokës të cilën e ndërtuan Ibrahimi (a.s) bashkë me Ismailin (a.s) me urdhër nga Allahu i Madhëruar. Respektin për të njerëzit e ruajnë brez, pas brezi deri në ditët tona e në vazhdim. Një respekt të veçantë, Qabja gëzonte edhe tek arabët e kohës paraislame.
Disa vjet përpara se Allahu i Madhëruar do të dërgonte Muhamedin (a.s) si profet, Meka u përmbyt nga shirat dhe shtrëngatat që pothuajse e shkatërruan Qaben. Për këtë arsye, fiset arabe – pasi ranë dakord – vendosën që ta rindërtonin Qaben. Ato rendën kush e kush më parë që të kontribonin në rindërtimin e saj, sepse kështu ata do të fitonin sa më shumë famë derisa erdhi momenti i vendosjes së gurit të zi në vendin e caktuar. Njerëzi e dinin mirë se ai fis i cili do ta vendoste gurin e zi në vendin e vet, do t’i takonte nderi, krenaria e fama. Kështu qëçdo fis synonte këtë nder duke mos toleruar askënd. Midis tyre plasi shamata dhe gati sa nuk u ndez një luftë e përgjakshme. Në fund, ata ranë dakord që do të merrnin për bazë fjalën e njeriut i cili do të hynte i pari në Qabe.
Deshi Allahu i Madhëruar që njeriu i parë që hyri në Qabe ishte Profeti (a.s). Të pranishmëve iu çel fytyra kur panë Profetin (a.s) dhe të gjithë njëzëri thërritën: “Ja, ku është njeriu i sinqertë e besnik. Ne e pranojmë atë si gjykues.”
“Muhamedi (a.s) kërkoi një rrobë dhe e vendosi gurin e zi në mes të saj. Më pas thirri krerët e fiseve që kishin mosmarrveshje dhe të gjithë së bashku mbajtën nga një cep të rrobës. Ata e ngritën dhe e çuan në Qabe, ndërsa vetë Muhamedi (a.s) e vendosi gurin në vendin e duhur.”[3]
E ku ka gjykim më të drejtë dhe më shëndoshë se sa ky gjykim. Nga gjykimi i drejtë i Profetit (a.s) çdo fis prej fiseve arabe ndjehet i vlerësuar, çdo kryetar i fisit ka nderin, krenarinë dhe famën për të qenë ai cili do ta mbajë gurin e zi. Drejtësia e shoqëruar në këtë rast me mençuri nga ana e Profetit (a.s) bëri që të shuhej një luftë që nuk i dihej fundi. Gjithsekush prej të pranishmëve ngeli i kënaqur nga ky gjykim, ç’ka do të përfërconte akoma më tepër mendimin e mirë që ata kishin krijuar për Muhamedin (a.s).
Të rendësh pas të drejtës
Një person i kishte shitur disa deve Ebu Xhehlit, por ky nuk ia kishte dhënë paratë. Personi shkon tek Ebu Xhehli, por ai nuk ia dha. Personi shkon në Qabe dhe pyet për dikënd që mund ta ndihmonte që të merrte hakun e vet tek Ebu Xhehli. Idhujatërt e Mekës i rekomanduan Profetin (a.s) dhe këtë gjë e bën për të parë një skenë teatrale që do t’i bënte ata për t’u gajasur së qeshuri.
Duke mos i kuptuar talljet e tyre, burri shkoi tek Profeti (a.s) dhe kërkoi prej tij që ta ndihmonte. Profeti (a.s) u tregua i gatshëm dhe menjëherë u nis për tek shtëpia e Ebu Xhehlit bashkë me atë (burrin). Kur Ebu Xhehli, hap derën, Profeti (a.s) kërkon prej tij që t’i japë hakun burrit. Ebu Xhehli futet brenda në shtëpi, merr monedhat dhe ia dorëzon burrit, i cili i gëzuar, falenderon Profetin (a.s) dhe pastaj largohet. Idhujtarët – të cilët prisnin të shikonin një komedi reale – u habitën nga veprimi i Ebu Xhehlin. Kur e pyetën për arsyen e dorëzimit të parave, Ebu Xhehli u tregoi se bashkë me Muhamedin (a.s) kishte parë një deve të madhe e cila kishte hapur gojën dhe ishte gati ta përpinte atë, nëse nuk do të dorëzonte paratë.
Kjo ngjarje të bën që të meditosh e të reflektosh. Ngjarja zhvillohet në ato rrethana ku ligjin në Mekë e bën Ebu Xhehli me shokë, kurse Profeti (a.s) dhe shokët e tij janë të pafuqishëm për t’u përballur me parinë e Mekës. Por përkrahja e një njeriu i cili është privuar nga e drejta e tij, është prioritet i të Dërguarit të Allahut, i cili menjëherë rend për të vendosur drejtësinë në vend. Nuk përjashtohet mundësia që Profeti (a.s) gjatë rrugës për tek shtëpia e Ebu Xhehlit, të ketë marrë vesh se ishin idhujtarët e Mekës, ata të cilët e kishin rekomanduar burrin për tek Muhamedi (a.s). Këtë situatë të krijuar Profeti (a.s) e kupton shumë mirë, por qëllimi i keq i idhujtarëve nuk e pengon atë(a.s) qëtë jetë i gatshëm për të marrë hakun që i takon. Ebu Xhehli hap derën dhe bashkë me Profetin (a.s) shikon një deve qëështë gati ta përpijë atë. Të gjithë ne e dimë se deveja është një kafshë e butë, por kur bëhet fjalë për drejtësi, ajo përpin zullumqarin. Një argument tjetër i rëndësishëm që nuk mund ta lëmë pa e përmendur në këtë ngjarje është fakti se Profeti (a.s) nuk kërkon prej burrit që i ishte bërë padrejtësi, që të besojë; nëse beson unë do të ndihmoj e nëse jo nuk do të të ndihmoj. Jo, Profeti (a.s) nuk e kërkon një gjë të tillë, sepse drejtësia duhet vendosur në vend pavërsisht besimit të njeriut.
Ke të drejtë
Në paktin e Hudejbijes, Profeti (a.s) nënshkroi njëmarrveshje me idhujtarët e Mekës. Një ndër pikat e kësaj marrveshje ishte: se kushdo që nga banorët e Mekës shkonte tek Muhamedi (a.s) pa lejen e kujdestarit të tij, Muhamedi (a.s) duhet ta kthente atë tek ta.
Në momentin kur Profeti (a.s) po nënshkruante marrveshjen me Suhejlin (asokohe idhujtar), tek Profeti (a.s) erdhi Ebu Xhendeli, djali i Suhejlit, i cili shprehu dëshirën për t’u bashkuar me muslimanët. I nevrikosur nga ky veprim, Suhejli e goditi djalin e tij me shpullë, e kapi prej jake dhe tha: Muhamed, pikat ishin vendosur përpara se të vinte ai. Profeti (a.s) tha: Ke të drejtë. Suhejli filloi ta tërhiqte zvarrë nga jaka të birin për ta shpënë tek kurejshët, kurse ai thërriste: “O muslimanë, a duhet të kthehem tek idhujtarët, që ata të më torturojnë për shkak të fesë sime?”[4]
Më vonë, një njeri nga banorët e Mekës, i quajtur Ebu Busejri do të shkonte tek Profeti (a.s) në Medine. Kur kurejshët dëgjuan për Ebu Busejrin dërguan dy persona tek Profeti (a.s) që ta kthente mbrapsht Ebu Busejrin. Profeti (a.s) tha: “Ebu Busejr, ne kemi bërë marrveshje me këta njerëz, siç je në dijeni dhe feja jonë nuk na lejon të jemi të pabesë..Kthehu tek njerëzit e tu!” Ebu Busejri u mërzit dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, a do të më kthesh tek idhujtarët, që të më torturojnë për shkak të fesë sime?!” Pavarësisht këtyre fjalëve, Profeti (a.s) e ktheu Ebu Busejrin mbrapsht.
Vetëm Ebu Xhendeli e di se sa ka vuajtur nga torturat e të jatit. Kur të gjithë sahabët kishin emigruar nga Meka për në Medine, ai nuk kishte mundur të emigronte sepse babai i tij e kishte prangosur. Vite me rradhë, ai kishte pritur çastin e volitshëm për të shpëtuar nga vargonjtë e babait të tij. Dhe ky çast erdhi pikërisht në paktin e Hudejbijes. Le të imagjinojmë gëzimin e Ebu Xhendelit kur shkon tek Profeti (a.s), por Profeti (a.s) i përmbahet pikave të marrveshjes. I jep të drejtë Suhejlit, i cili padrejtësisht për 6-të vjet nuk e kishte lënë Ebu Xhendelin të bashkohej me muslimanët në Medine. Kthimi i Ebu Xhendelit në shtëpi nënkuptonte shtim të vuajtjeve dhe torturave për të. Dhe këtë gjë, Profeti (a.s) e dinte shumë mirë, por drejtësia dhe ruajtja e marrveshjes është prioriteti i të Dërguarit të Allahut (a.s). A nuk i vinte keq, Profetit (a.s) për Ebu Xhendelin, absolutisht që po, por drejtësia është një parim hyjnor që nuk duhet të shkelet.Prandaj ai (a.s) tha: “Ke të drejtë o Suhejl”
Ashtu sikurse Ebu Xhendeli edhe Ebu Busejri kishte hequr picirin nga kurejshët, por pabesia, padrejtësia dhe thyerja e marrveshjes nuk është në moralin e të Dërguarit të Allahut (a.s). Përpara të drejtës, Profeti (a.s) është strikt edhe nëse do t’i duhet të durojë dhimbjen shpirtërore që do t’i shkaktohet nga tortuarat që kurejshët do të ushtrojnë ndaj shokëve të tij.
Zbatimi i ligjit
Në kohën e Profetit (a.s) ndodhi që një grua nga fisi Mahzum vodhi. Ndaj saj duhej të ekzekutohej masa ndëshkimore e përcaktuar për hajdutin. Njerëzit po flisnin rreth kësaj, mirëpo askush prej tyre nuk guxonte të ndërmjetsonte për tek Profeti (a.s) derisa Usameh ibn Zejd e ndërmori këtë hap. Nga ky ndërmjetsim, Profeti (a.s) do të zemërohej shumë duke thënë: “Te Benu Israilët ka qenë zakon, që kur vidhte dikush me prejardhje të fisshme, ata e falnin atë, ndërsa, po të vidhte një i dobët e i mjerë, ata ia prisnin dorën. Nëse Fatimja (bija e Muhamedit) do të vidhte do t’ia prisja dorën.”[5]
Tek Benu Israilët, arabët, në ditët e sotshme dhe në të gjitha civilizimet përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, ligji zbatohet vetëm ndaj njeriut të dobët, të varfër e të pafuqishëm. Kurse ndaj të fortit, të pasurit e njeriut me pushtet ligji nuk funksionon, sepse shkopi është në dorën e Maliqit. Por në civilizimin islam, çdokush do të marrë atë që meriton. Kurrësesi, Profeti (a.s) nuk mund ta tolerojë një padrejtësi të tillë. Nuk është ky kandari me të cilin njerëzit duhet të maten. Ligji është i barabartë për të gjithë, për të pasurin dhe të varfrin, të fortin dhe të dobëtin. Si për të përfocuar këtë princip hyjnor, Profeti (a.s) thotë se edhe nëse Fatimja (bija e tij) do ta shkelë ligjin, ajo do të vendoset përpara drejtësisë për të marrë atë që meriton. E ku ka drejtësi më të madhe se kjo?!
Ajo të cilën e kam përmendur më lart nuk janë vetëm se disa copëza nga drejtësia e Profetit (a.s) që zë fill qysh përpara se ai të bëhet profet e mbaron me vdekjen e tij. Profeti (a.s) ishte i drejtë me besimtarët dhe jobesimtarët, hebrenjtë dhe të krishterët, burrat dhe gratë, fëmijët, të rinjtë dhe pleqtë, madje me kafshët dhe ambientin që e rrethonte. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlart: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”[6]
Përgatiti: Elton Harxhi
[1] – “Fikhus Sire” i Muhamed Gazalit, fq: 93.
[2] – Sure Maideh: 8.
[3] – “Fikhus Sire” i Muhamed Gazalit, fq: 103.
[4] – “Fikhus Sire” i Muhamed Gazalit, fq: 412.
[5] – Buhariu (3733) dhe Muslimi (1690).
[6] – Sure Ah’zab: 21.
0 Comments