Fillon puna në
hartimin e amendamenteve kushtetuese për Vetingun
Ministrja e
Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu së bashku me Kryeministrin e Republikës së
Kosovës, z. Albin Kurti dhe Zëvendësministren znj. Nita Shala, sot morën pjesë
në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e
legjislacionit për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë.
Në fjalën e tij,
Kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e reformës e cila po ndërmerret për
sistemin e drejtësisë. Sipas tij, kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes
në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të
besimit të qytetarëve në drejtësi.
“Qeveria e Republikës
së Kosovës përmes vetingut, do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të
qytetarit për drejtësi dhe nevojën esenciale për ushtrimin e të drejtave të
garantuara. Gjithashtu, do të krijojë hapësirën e domosdoshme, që Qeveria dhe
institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit e të mos krijojnë
sundim mbi të” tha kryeministri Kurti.
Nga ana tjetër,
ministrja Haxhiu në fjalën e saj theksoi rëndësinë e procesit të vetingut në
sistemin e drejtësisë për të cilin tha se tashmë janë një hap më afër drejt
materializimit të tij. Sipas ministres Haxhiu, secili qytetar i Republikës së
Kosovës ka të drejtë të ketë një sistem drejtësie që lufton korrupsionin e
shkeljet, një sistem drejtësie i cili është i pavarur nga faktorët e ndryshëm
dhe që është efektiv në dhënien e drejtësisë.
Duke marrë parasysh
gjendjen në të cilën gjendet gjyqësori dhe prokuroria, shtoi Haxhiu, reformën
në drejtësi si të nevojshme dhe të domosdoshme e kanë parë qytetarët dhe për
këtë vetingu është çelësi për të garantuar një sukses afatgjatë në këtë nismë
që në thelb është produkt i ekspertëve të sundimit të ligjit e që ka përkrahjen
e plotë të Qeverisë së Kosovës.
“Përmes këtij
procesi, i cili do të mundësoj që brenda sistemit të drejtësisë të kemi
gjyqtarë e prokurorë që kanë integritet të lartë moral e profesional, do të
përdorim mekanizmin e vetingut për të garantuar një sistem drejtësie sa më afër
me qytetarin, sa më të përgjegjshëm, sa më të parashikueshm, që secili qytetar
- pa dallim, të marrë drejtësinë e duhur dhe në kohën e duhur” tha ministrja
Haxhiu.
Sa i përket Koncept
Dukumentit, ministrja Haxhiu theksoi se i njëjti na përballë me sfidat me të
cilat përballet gjyqësori e prokuroria si dhe drejton në kornizën ligjore që
është e nevojshme të adresohet.
Ministrja Haxhiu ka
vlerësuar mbështetjen e ofruar dhe njëherit është shprehur e kënaqur që ky
proces reformimi i sistemit të drejtësisë po zhvillohet në konsultim me
ekspertët nga partnerët strategjikë si SHBA, Mbretëri e Bashkuar dhe Bashkim
Evropian, duke i konsideruar praktikat më të mira përkitazi me standardet
ndërkombëtare.
Ministrja Haxhiu në përmbyllje të fjalës së saj, falenderoi anëtarët e grupit punues të kryesuar nga z. Lulzim Beqiri, të cilët njëherit i ftoi që të angazhohen me përkushtim me qëllim të finalizimit të hartimit dhe finalizimin të legjislacionit për procesin e Vetingut si një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
0 Comments