Pesë persona, që punonin si kamerierë në Prizren, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, me dyshimin se shpërndanin para të falsifikuara metalike prej 2 euro.
Ata ngarkohen për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
“Më 02.11.2021, hetuesit e NJRHKEK në Prizren, pas një mori veprimesh hetimore në bashkërendim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren, si dhe me urdhër verbal nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar si dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë së personit të pestë të dyshuar, si i dyshuari kryesor i rastit. Gjatë kontrolleve të realizuara ndaj personave të dyshuar T.P. (2000), V.Z. (2002), A.P (1999), L.E. (1994) dhe B.B. (1998), janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se, të pesë personat kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i parasë’ nga neni 296 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 195 para metalike nga 2 euro, të dyshuara si false dhe pesë telefona mobil.
“Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300.00 EUR origjinal të fituara për 400.00 EUR false, që i kanë shpërndarë, herën e dytë 200.00 EUR origjinal për 300.00 EUR false, si dhe herën e tretë 400.00 EUR origjinal për 550.00 EUR false”, thuhet në njoftim.
0 Comments