Shënohet Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit, thuhet se rastet po marrin vëmendjen e institucioneve
Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, po mbahet Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Nën moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”, në këtë organizim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ambasadorët e Francës dhe Zvicrës.
Lumezi u shpreh i lumtur për përparimin e kësaj strukture profesionale, duke thënë se përfaqësuesit institucionalë janë angazhuar për t’i dhënë mbështetje viktimave të krimit.
“Viktimat e krimit ngadalë por sigurt po marrin vëmendjen e institucioneve. Ende duhet punë që të parandalohet dhuna ndaj viktimave, na duhet bashkëpunim i ngushtë me të gjitha institucionet. Viktimat dhe të mbijetuarit e krimit mbajnë sytë nga drejtësia dhe ne duhet t'i ndihmojmë ata”, ka thënë ai.
Ai theksoi se mbrojtjen dhe kujdesin që janë të gatshëm t’u japin viktimave përmes kompensimit, tregon që po kujdesen për ta.
“Dua të ju përkujtoj se përtej aspektit ligjor mbrojtja e viktimave është vlerë humane e identitetit tonë evropian. Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi për të drejtat e viktimave të dhunës. Dëshiroj të theksoj se institucioni i prokurorit të shtetit përkundër sfidave është duke treguar profesionalizëm e kredibilitet, kjo ka bërë që të rritet besimi për këtë institucion.”
0 Comments