Nga Marelba Fushekati
Nuk kisha qenë në atdhe prej katër vjetësh. Dolëm në këmbë. Makina pothuaj se nuk është më opsion për të dalë, kur do që të vërdallisesh në qendër ose rreth saj. Jo se më trandi shumë. Rruga deri në fillimin e bulevardit Zogu i Parë është afër fare shtëpisë së vjetër që kam lënë këtu.
Stacioni i vjetër emblematik i trenit nuk është më. Është zgjatur Bulevardi i Ri drejt Paskuqanit.
Statuja e Ahmet Zogut ishte hequr nga mesi i bulevardit dhe ishte vendosur anash tij, në sheshin e Union Bank. Sdi të ketë arsye pse. Kohë statujash edhe këndej oqeanit. Ishte i mbuluar me pluhur Ahmeti. Edhe emri pothuajse i palexueshëm në pllakatë. Mu kujtua mallkimi shqiptar “t’u shoftë emri”, por besoj se Zogut nuk ia ndjen. Është mësuar.
Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk i ka më tullat e kuqe klasike që vishnin godinën. Është rinovuar nga jashtë. Më pëlqeu.
Përballë tij, materniteti legjendar ku kemi psherëtirë e dhënë jetë kalamajve. Njëra godinë vetëm. Godina paralele e maternitetit është rrafshuar. Po ngrihej e re. Çështje sigurie thanë, ndaj e kanë prishur. Ndërtesës së mbetur që ka basorelievin italian në ballinë, dikur i varej një motor kondicioneri me një zorrë të shëmtuar plastike, bash mbi basoreliev. E kishin hequr. Kërkova të shoh folenë e tubit të gomës. Nuk e shqova dot mes përdredhjeve të figurave mistike të pllakatës. Ndoshta e kanë zënë. Në shkallët kryesore jashtë një çift rural rrinin të ulur. Dukej që prisnin habere.
Bulevardi deri sa arrin tek ish Zëri i Popullit nuk ka të sharë.
I gjelbëruar, i ndriçuar, me pemë të përkujdesura e me sistem ujitjeje qëndror. Koshat e mbeturinave të lyer.
Hotel Tirana është zvogëluar nën hijen e një ndërtese tjetër që i rri në kurriz. Projekt i pabukur.
Sheshi Skënderbej për nga hapësira e lënë në dispozicion të qytetarëve, m’u duk me frymëmarrje. Në një cep, një varg njerëzish kishin marrë një rreth e po kërcenin valle popullore, thua se e nesërmja nuk ekziston. “Jeta funit”, sipas zhargonit që e dëgjoj rëndom.
Kulla aq e përfolur e Sahatit është e rrethuar me dy ndërtesa të larta. Ka pamje vetëm kur je përballë monumentit të Skënderbeut. Pa asnjë sens estetik apo arkitekturor. Është folur shumë për të e nuk po zgjatem. E pabukur edhe kjo.
Xhamia e Et’hem Beut ndriçonte. E bukur. Nuk besoj se do të cenohet.
Ministritë po dihet që janë nur dhe dhurata e bukur që Italia i la Shqipërisë. Janë mbuluar me gjelbërim edhe sheshet ndërmjet tyre.
Një instalacion metalik me elemete pleksiglasi transparentë është ngritur para sheshit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Sou Foujimoto është artisti japonez që e ka krijuar. Quhet “Reja”. Me gjithë nderimin që kam për çdo punë artistike, “Reja” kish zbritur gabimisht para sheshit të Galerisë, duke i bllokuar krejtësisht pamjen, për mua aq të bukur të saj. Ideja e “Resë” merr kuptim kur e sheh nga sipër. Pra të krijon përshtypjen e një reje që qëndron pezull mbi oborrin e Galerisë. Në pamundësi për ta parë nga ajri, unë u futa poshtë “Resë”. Pllakat plastike kanë zënë pluhur ndër vete. Dola, ngaqë i prisha rehatin një çifti që po diskutonte me gjymtyrë.
Hotel Dajti më në fund ishte nën rikonstruksion. Hoteli është aset i Bankës së Shqipërisë. Dhe Banka bankë do ta bëjë. Nuk kam koment, përveçse do të doja ta kishin lënë hotel.
U kthyem për të ngrënë darkë tek kalaja e Tiranës afër Rrugës së Elbasanit, pronë e Toptanasve. Një nga investimet më të bukura që kryeqyteti ka. Një bllok restorantesh dhe dyqanesh me suvenirë, i rregulluar dhe projektuar për së mbari. “Gzona” ishte emri i restorantit ku darkuam. Në darkë, Google më pyeti a më kish pëlqyer restoranti “La Gioia”.
Pjesa e rrugicës me lokale, tek ajo që quhet rrugica e Salës, vazhdonte të ishte e mbipopulluar. Me rini. E quajnë “Blloku i Ri”. Një grua për nga pamja nga rrethinat e Tiranës mban përdore të bijën tek të trembëdhjetat, të veshur me një bluzë pambuku të bardhë ku shkruhet “female forever”. Gocat janë të veshura e të kuruara. Edhe më shumë sa mendohet, si për darkë e mërkure që është. Më ka hyrë Kanadaja nën lëkurë. Ose thjesht mosha bën të vetën. Sidoqoftë, rinia është e bukur në Tiranë.
Në rrugën e Elbasanit po ngrihet një ndërtesë gjigante, që me sy të lirë besoj duhet të ketë mbi 500 apartamente. Të tilla i shikon në Amerikën e Veriut. Me sizmikën e mesdheut shpresoj të jetë i sigurtë. Kastrati e ndërton. “Downtownone” quhet. Përnjimend mu duk si “Downtown nona”. Zhargon edhe ky. Pallati osht “nona”.
Të ardhur të fesë myslimane, jo shqiptarë, shikoj konsiderueshëm, krahasuar me 7 vjet të shkuar kur u shpërngula në Kanada. Duken të jenë nga Lindja e Mesme. Një xhami e re është shtuar, afër katedrales së Shën Palit.
Kryeministria e kish të hapur portën qëndrore për vizitorët. Ekspozitë arti. Bëra një foto me kërpudhën e shtetit, që ishte rikrijuar, pas shkatërrimit të saj nga qytetarët gjatë protestave të opozitës në 2019.
Kjo ishte pak a shumë qendra. Në të cilën për hir të së vërtetës është punuar e ka ndryshuar. Çfarë mbetet jashtë saj, le për të dëshiruar. Ka zona që kanë mbetur geto. Me rrugë të pashtruara e trotuarë të shtrembër. Plehrat në rrugë vazhdojnë të jenë problem. Pagesat me kartë nëpër restorante e supermarkete pothuajse janë inekzistente. Cirku i shoferëve në trafik mbetet traumatik për ata që janë ç’mësuar të ecin sipas rregullave të mbijetesës në makinë.
Sot isha në varrezat e Elbasanit. Dikur model, edhe ato ishin informalizuar duke zënë edhe rruginat me varre të reja dhe çdo cep të mundshëm. Bimësia e egër vende vende kish marrë kot. Nuk ka fat qyteti im me kryetarët e bashkive. Elbasanllinjtë edhe shquhen për sqimë.
Nesër nisem për Toronto. Për të ardhur sërish, me vullnetin Zotit verën tjetër. Dhe shpresoj të kem gjëra të mira për të shkruar.
Ka një kohë për çdo gjë nën diell. Kjo ishte koha ime sot.
0 Comments