Header Ads Widget

Al Jazeera: Nga Teksasi në Kosovë, e mbijetuara e dhunimit kthehet si pjesë e qeverisë së re




 Ajo kishte jetuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara që nga përfundimi i luftës, por në vitin 2015 u kthye në Kosovë si e mbijetuara e parë e dhunimit gjatë luftës që e ndau rrëfimin e saj publikisht, në televizion kombëtar, pa e fshehur identitetin e vet.

Që atëherë, ajo është në një mision, duke ofruar mbrojtje për të mbijetuarit e dhunës në Kosovë dhe përreth botës, duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në vendin e saj.

Deri më sot, asnjë autor i krimeve në Serbi ose Kosovë nuk është dërguar në burg për dhunim seksual.

Më herët këtë vit, ajo vendosi që të garojë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kurrë nuk e kam parë veten si dikush që do të garojë për zyrë. Isha e lumtur që isha aktiviste. Isha e lumtur që e tregova rrëfimin tim, duke e përhapur fjalën e asaj që ndodhi në Kosovë gjatë luftës”, tha Krasniqi-Goodman, ish-agjente për sigurime.

Ajo dhe partia që iu bashkua, Lëvizja Vetëvendosje e krahut të majtë, fituan bindshëm me mbi 50 për qind të votave.

Krasniqi ishte në mesin e 10 personave me më së shumti përkrahje, duke marrë 61.885 vota.

Gjatë Luftës së Kosovës më 1998 dhe 1999, burime të ndryshme vlerësojnë se 20.000 gra e burra janë dhunuar seksualisht dhe janë torturuar nga policia serbe e ushtria jugosllave.

Turpi dhe stigmatizimi që e rrethojnë temën e dhunimit seksual gjatë luftës i parandalojnë të mbijetuarit që të flasin publikisht për atë që u ka ndodhur para 22 vjetëve.

Dhunimi si armë lufte, “aspak i diskutuar”

Vitin e kaluar, Krasniqi-Goodman mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, duke i kritikuar ashpër deputetët.

“Duhet të ndryshoni, sepse mjaft kemi duruar. Ne s’ju falim për atë që na keni bërë gjatë 20 vjetëve të fundit”, u tha ajo deputetëve të Kosovës më 9 mars 2020.

Pas sigurimit të një ulëseje në kuvend, Krasniqi-Goodman, tashmë 38-vjeçare, e la shtëpinë e saj në Teksas dhe u kthye në Kosovë.

Ajo shpreson se mund të sjellë disa ndryshime të nevojshme gjatë mandatit 4-vjeçar, kur është fjala për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Mendoj se gjëja e parë dhe më e rëndësishme është luftimi për drejtësi. Ne ende s’kemi asnjë autor të krimeve prapa grilave, kur bëhet fjalë për krimet e dhunimit seksual. Prandaj, ne duhet të shohim se si qeveria dhe institucionet mund ta shtyjnë Serbinë që t’i dorëzojë kriminelët”, tha Krasniqi-Goodman.

Ajo gjithashtu dëshiron që të sjellë më shumë ndryshime në pensionin mujor qeveritar prej 230 eurosh, për të cilin të mbijetuarit e dhunës seksuale mundën të aplikojnë në vitin 2018.

“Dua që ta ndryshoj atë, ku të mbijetuarit kanë më shumë përfitime sesa vetë pensioni. Dua që të ketë mbulim shëndetësor vetëm për të mbijetuarit, sepse shumica nga ne kemi nevojë për përkujdesje mjekësore goxha shpesh. Disa nga të mbijetuarit nuk munden financiarisht as të shkojnë te mjeku i kujdesit parësor shëndetësor”, shtoi ajo.

Sjellja e ndryshimeve dhe ngritja e vetëdijes për largimin e turpit dhe stigmatizimit në Kosovës e pasluftës kanë qenë të vështira.

Nazlie Bala, 53 vjeçe, aktiviste e njohur për të drejtat e grave, e cila është gjithashtu aktiviste politike si pjesë e Vetëvendosjes, e kupton mirë këtë.

Gjatë luftës, ajo mblodhi mijëra dëshmi nga të mbijetuarit e dhunës në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pasi lufta përfundoi më 1999 dhe kur Kosova filloi të rindërtohej, ajo thotë se shoqëria kosovare nuk ishte e gatshme ta pranonte të vërtetën rreth dhunimit seksual gjatë luftës.

“Adminsitrata e UNMIK-ut dhe politikanët vendas disi u përpoqën jo që ta fshehin, por ta varrosin atë në mënyrë që kjo çështje të mos ngrihej në diskutimet dhe debatet në Kosovë”, thotë ajo, duke shtuar se u nevojitën mbi 12 vjet që përfundimisht të adresohet çështja e dhunimeve seksuale. “Dhe çështja e dhunimeve seksuale të përdorura si mjet lufte – që Serbia e përdori gjatë luftës në Kosovë – nuk u prek ose nuk u diskutua fare”, tha ajo.

Më 2013, ajo filloi ta ngriste çështjen e dhunimit seksual gjatë luftës dhe publikisht e përkrahu atë e debatoi për të në televizion kombëtar se ligji ekzistues që i njeh dhe i dëmshpërblen viktimat civile dhe veteranët e luftës duhet të ndryshohet për t’i përfshirë edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale nga lufta.

Bala mori kërcënime me vdekje për përkrahjen e saj ndaj të mbijetuarve dhe një herë gjeti një letër para derës së banesës, në të cilën shkruhej: “Mos e mbroj turpin, përndryshe do të të vrasim.”

Një javë më vonë, ajo u sulmua në mënyrë brutale nga dy sulmues të panjohur afër banesës së saj në Prishtinë.

Që nga koha kur Krasniqi-Goodman doli publikisht me rrëfimin e saj, shumë të mbijetuar e kanë kontaktuar atë për t’i ndarë rrëfimet e tyre. Disa prej tyre nuk i kanë treguar askujt për këtë pos asaj.

Ajo e di se të mbijetuarat dhe të mbijetuarit besojnë se ajo do të jetë një zë i fuqishëm në kuvend për krimet e luftës të kryera nga Serbia.

“Shpirti ynë nuk do të shërohet aspak pa drejtësi. Me drejtësi, ne së paku do të shërohemi sado pak, sepse drejtësia do të ndihmojë që të tjerët ta dinë të vërtetën”, tha në fund Vasfija./Përktheu: Nasuf Abdyli.

Post a Comment

0 Comments

Technology