Abstraksioni (Parimi) [Apstrakcija; Abstraction; Abstraktion] - Parimi i abstraksionit është një ndër parimet bazë dhe veçori tipike të së drejtës civile, sidomos në Gjermani dhe në disa vende të tjera, mbase të pakta. Esenca qëndron në atë, se fillimisht bëhet dallim në mes të një pune juridike me karakter të së drejtës së detyrimeve dhe një pune juridike me karakter të së drejtës sendore (parimi i ndarjes së punëve juridike). Sipas kësaj, kontrata e shitjes nuk e bën juridikisht askënd pronar, meqë me këtë kontratë vetëm “detyrohet” shitësi për t’ia kaluar blerësit pronësinë në një send. Për të kaluar pronësia nevojitet juridikisht edhe puna juridike e së drejtës sendore, sipas së cilës punë, tjetërsuesi dhe fituesi pajtohen, që pronësia të kalojë te fituesi. Me parimin e abstraksionit shkohet edhe mëtutje në këtë konstelacion juridik. Nëse puna juridike me karakter të së drejtës sendore është e vlefshme, por puna juridike me karakter të së drejtës së detyrimeve (p.sh., kontrata e shitjes) e pavlefshme, atëherë fituesi ka fituar pronësinë, meqë kjo punë juridike me karakter të së drejtës sendore është “e pavarur” “abstrakte”. Këto situata juridike, që krijohen si pasojë e parimit të abstraksionit, rregullohen juridikisht me institutin e pasurimit të pabazë. E drejta civile pozitive e Kosovës i lejon hapësirë të madhe këtij parimi unik të së drejtës private të Gjermanisë.
0 Comments