Kryesuesi i KPK-së dhe ai i KGJK-së bisedojnë për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë
Prishtinë, 4 shkurt 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj, me ç’rast kanë bashkëbiseduar për zhvillimet e përgjithshme përbrenda sistemit të drejtësisë, me fokus të veçantë në agjendat e përbashkëta të vitit 2021.
Të dy krerët e sistemit të drejtësisë shprehën gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar në fuqizimin dhe avancimin e zbatimit të ligjit në kuadër të kompetencave të tyre përkatëse, për të sjellë ndryshimet e duhura në sistemin e drejtësisë, si dhe për të zhvilluar dhe avancuar koordinimin dhe komunikimin strategjik me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.
Vëmendje e posaçme në takimin e sotëm iu kushtua koordinimit të aktiviteteve për politikat legjislative, koordinimit për rishikimin e hartimin e akteve nënligjore dhe agjendave të tjera të interesit të përbashkët, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në fund të takimit, Kryesuesi i KPK-së Maloku, ka falënderuar Kryesuesin e KGJK-së, Çoçaj, për vizitën dhe diskutimet e zhvilluara në funksion të ndikimit pozitiv të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Nga ana tjetër, Kryesuesi i KGJK-së ka uruar Kryesuesin e KPK-së për detyrën e re, duke shprehur bindjen se me përvojën dhe profesionalizmin e tij do të shtyjë përpara shumë procese të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Kosovë në përgjithësi dhe për atë prokurorial në veçanti.
0 Comments