Fjalimi i Roberto Arlt
(Argjentinë 1900 – 1942)
NËSE DONI TË BËHENI DEPUTET
Në qoftë se doni të bëheni deputet, mos përrallisni për shtimin e prodhimit të panxharit të sheqerit, të karburanteve, të grurit; mos flisni për tatimin mbi të ardhurat; mos u betoni për besnikëri ndaj Kushtetutës dhe Atdheut, mos dërdëllisni për mbrojtjen e interesave të punëtorëve, të nëpunësve, të fëmijëve. Jo. Nëse ju doni të bëheni deputet, duhet të mbani këtë fjalim:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mos mëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Përktheu Bajram Karabolli
0 Comments