Header Ads Widget

Vërtetimi i të drejtës së bashkëpronësisë në bazë të trashëgimisë me kërkesat alternative të trashëgimtarit

 


                   Vërtetimi i të drejtës së bashkëpronësisë në bazë të trashëgimisë me kërkesat alternative të trashëgimtarit

Përshkrimi i rastit:

Paditësi në padinë e parashtruar pretendon se ndërgjyqësit janë trashëgimtarë të rendit pare tani ndjerit AA i cili ka vdekur vitin 1991. E paditura e parë ka qenë bashkëshortja e të ndjerit dhe është nëna e të paditurve të tjerë, ndërsa paditësi dhe të paditurit tjerë, janë fëmijë tani të ndjerit A.A dhe fëmijët e të paditurës së parë. Paditësi ka lindur në vitin 1953 babai i tij tani i ndjeri AA në atë kohë kanë qenë tregtar dhe është marrë me punë tregtie. Paditësi ka shkëputur bashkësinë familjare dhe pasurore me babanë e tij AA dhe atë vitin 1980, dhe se nuk ka marr asnjë pasuri e ndjerit AA. I ndjeri AA ka shkëputur bashkësinë familjare edhe me të paditurin CC, të cilit i ka lënë shtëpinë në rrugën MM dhe gjysmën e lokalit afarist e cila gjendet në P . Bashkësi të veçantë familjare krijonte edhe i padituri NN i cili me anëtarët e familjes krijon bashkësi veçantë. Paditësi i ndjeri AA nuk ka lënë asgjë nga pasuria e tij, prandaj paditësi kërkon pjesën e tij që i takon në bazë të trashëgimisë pas vdekjes tani të ndjerit AA.

 

Aktgjykimi i Gjykatës Komunale, C. nr. 1178/05

APROVOHET kërkesëpadia e paditësit R.I. nga , dhe

DETYROHEN të paditurit Sh. dhe M.I., që të dy nga , që paditësit t’ia paguajnë solidarisht shumën prej 23,000€, në emër të drejtës së pronësisë trashëgimore si trashëgimtar i paraardhësit të tyre tani të ndjerit I.Z.I, me kamatën e paraparë ligjore siç e paguajnë bankat e Kosovës për mjetet e qytetarëve të deponuara në bankë mbi një vit e pa destinim të caktuar duke e llogaritur të njëjtën që nga data e parashtrimit të padisë dt.13.05.1996 e gjer në pagesën defitinive, e këtë në afat prej 15 ditësh pas marrjes së aktgjykimit e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Gjykata e shkallës së parë ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, dhe detyron të paditurit që paditësit t’ia paguajnë shumën prej 23,000€, në emër të drejtës në bazë të trashëgimisë, pasi me provat e administruara dhe dëshmisë së dëshmitarëve si dhe dëshmitë e vet ndërgjyqësve e vërtetojnë faktin se paditësi me të paditurin e dytë NN dhe të paditurin e pestë NM kanë lidhur marrëveshje në vitin 1994 me të cilën marrëveshje janë marrë vesh padituri NN dhe NM që në emër të hises (pjesës), pra në emër të pjesës trashëgimore qe i takon paditësit këta dy paditur t’ia paguajnë shumën prej 50.000 DM, e ndërkohë i padituri


 

NM në emër të borxhit të vet ia ka paguar një pjesë në lartësi prej 4.000 DM, që do të thotë se kanë mbetur pa u paguar edhe 46.000 DM, gjegjësisht në kundërvlerë në euro që kap shumën prej 23.000 €. Prandaj kjo gjykata e detyron të paditurit MM dhe NM të paguajnë solidarisht shumën prej 23.000 €.

 

Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut, Ac. nr. 143/08

Gjykata e Qarkut si gjykatë e shkalës dytë e aprovon ankesën e paditurve MM dhe NM dhe e ndryshon aktgjykimin gjykatës së shkallës së parë dhe refuzon kërkesëpadinë e paditësit si të pa bazuar

Gjykata e shkallës së dytë në procedurën ankimore këtë qëndrim juridik e mori për arsye se, në vitin 1994 është lidhë marrëveshja gojore në mesë ndërgjyqësve në mënyrë e theksuar me lartë. Ketë marrëveshje pjesërisht e ka respektuar i padituri NM i cili paditësit i ka paguar bazë kësaj marrëveshje shumën prej

4.000 DM mirëpo detyrimet nga kjo marrëveshje nuk i ka përmbushur i padituri MM. Kështu raportet kontestuese juridiko-pronësore, që kanë ekzistuar me parë në mesë ndërgjyqësve, janë shndërruar në raporte juridiko - detyrimore dhe civile. Marrëveshja është lidhur me gojë dhe pjesëmarrësit e kësaj janë pajtuar me elementet relevante të kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje është shprehje e vullnetit të pjesëmarrësve, pra NM dhe MM të cilët nuk kanë atakuar pjesëmarrësit nga çfarëdo baze ne qoftë brenda afateve objektive dhe subjektive të përcaktuar me Ligjin Mbi Marrëdhënien e Detyrimeve. Pjesëmarrësit në bazë të kësaj marrëveshje lirisht kanë rregulluar raportet detyrimore, të cilat nuk janë në kundërshtim me dispozitat imperative, më kushtetutë dhe me rregullat e moralit të shoqërisë. Kështu kjo marrëveshje është lidhur në mënyrën e përcaktuar me nenin 10 LMD. Kjo marrëveshje përfaqëson ligjin për palët dhe pjesëmarrësit janë të obliguar t'i përmbushin detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Me provat e administruara është vërtetuar se i padituri NM ka paguar shumën prej 4.000 DM kështu nuk ka përmbushur detyrimin nga kjo marrëveshje në shumë prej 21.000 DM që e konvertuar është barazi me shumën prej 10.5000€ ndërsa i padituri MM nuk e ka përmbushur detyrimin nga marrëveshja në shumë prej 25.000 DM e konvertuar në euro është barazi në shumë prej 22.500€. Këto janë detyrimet individuale për secilin pjesëmarrës të kësaj marrëveshje dhe me aktgjykimin e atakuar gabimisht janë detyruar në mënyrë solidare. Në krijimin e raporteve detyrimore, dhe në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve rrjedhin nga këto raporte, pjesëmarrësit janë detyruar t'u përmbahen parimit ndershmërisë dhe ndërgjegjshmërisë. Këto janë principe themelore raportet dhe detyrimet e krijuara cilat duhet t'i respektojnë dhe


 

përmbushin pjesëmarrësit. Në kontekst me principin e drejtshmërisë të paditurit janë të obliguar që paditësit t'i paguajnë shumën e caktuar me marrëveshje me gojë që nga viti 1994 dhe këto detyrime nuk janë përmbushur në tersi sipas marrëveshjes. Për këto arsye është vendosur sikurse në paragrafin e dispozitivit, për shkak se të paditurit nuk i kanë përmbushur detyrimet e sajuara në bazë të marrëveshjes me gojë e lidhur vitin 1994 cilin fakt e vërtetojnë dëshmitarët e lartcekur dhe personalisht ndërgjyqësit.

Pasi që raporti juridik pronësor i pazgjidhur në mes të ndërgjyqësve është shndërruar raport juridik detyrimor, kërkesëpadia e paditësit ndaj paditurve është refuzuar si e pabazuar në këtë çështje juridike sikurse në paragrafin 1. të dispozitivit.

 

Aktvendimi i Gjykatës Supreme (Rev. I. nr. 446/2008)

Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur lidhur me revizionin e paditësit ka gjetur aktgjykimet e kundërshtuara se përmbajnë shkelje esenciale dispozitave të procedurës kontestimore parashikuara me nenin 354 par. 2 pika 14 e LPK-së, për shkak se dispozitivet janë pakuptueshme dhe kundërthënie mes veti. Nga shkresat e lëndës rrjedh se paditësi ka paraqitur kërkesëpadi me alternativë. Me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë është vendosur vetëm për detyrimin e paditurve paditësi t’ia paguaj shumën holla, si kundërvlerë të pjesës së pasurisë të cilën ai e trashëgon nga i ati i tij. Me aktgjykimin e shkallës së dytë është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu që në dispozitivin nën I është refuzuar kërkesëpadia, kurse në dispozitivin II të paditurit janë detyruar paditësit t'i paguajnë detyrim jashtë detyrimit pranuar me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, respektivisht një detyrim jashtë kërkesëpadisë.

Me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe dispozitivin nën II të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, nuk është vendosur fare me kërkesëpadinë lidhur me të paditurit tjerë, por vetëm me të paditurin MM dhe NM. Dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë është në kundërshtim në mes veti dhe për faktin se në dispozitivin nën I refuzohet kërkesëpadia me të cilin ka kërkuar paditësi që të vërtetohet e drejta e pronësisë në patundshmëri nga baza e trashëgimisë, ndërsa në dispozitivin nën II të paditurit detyrohen paditësit t’ia paguajnë shumat në të holla me hollësisht të paraqitura në atë dispozitiv, pa mos e cekur bazën ligjore për këtë detyrim.


 

Me aktgjykimet e kundërshtuara e drejta materiale është zbatuar gabimisht. Nga shkresat e lëndës rrjedh se me aktgjykimet e kundërshtuara fare nuk është vlerësuar kërkesëpadia lidhur me drejtën e pronësisë bazë trashëgimisë, por vetëm lidhur me marrëveshje gojore në mes të paditësit dhe vëllezërve të tij, të paditurit MM dhe NM. Zbatimi i dispozitës nga neni 10 i LMD me aktgjykimet e kundërshtuara, për gjykatën e revizionit për tani është e papranueshme.

Në rigjykimin pranë gjykatës së shkallës së parë do të vlerësohen provat veç e veç e në lidhmëni njëra me tjetrën, do të shqyrtohet kërkesëpadia lidhur me vërtetimin e drejtës së pronësisë në bazë të trashëgimisë dhe marrëveshja gojore në mes paditësit dhe paditurve. MM dhe NM e cila ka bëjë me kompensimin e shumës në të holla për pjesën të cilën do ta kishte trashëguar paditësi  nga  i ati i tij, sipas nevojës do të nxjerr prova të reja, do të zbatoj drejt, dispozitat materiale dhe do të marrë vendim të bazuar me ligj e me arsyetim të qartë.

 

Komente përmbledhëse të vendimeve të rastit:

Në rastin e paraqitur më sipër paraqiten qëndrimet e ndryshme i instancave të ndryshme gjyqësore lidhur me kërkesën e paditësit për vërtetimin e ekzistimit të drejtës së bashkëpronësisë në bazë të trashëgimisë

Gjykata e shkallës së parë në shqyrtimin kryesor të çështjes sipas administrimit të provave për vërtetimin e fakteve arrin në përfundimin se në rastin me të paditurin e dytë NN dhe të paditurin e pestë NM kanë lidhur marrëveshje në vitin 1994 me të cilën marrëveshje janë marr vesh padituri NN dhe NM që në emër hises (pjesës), pra emër pjesës trashëgimore qe i takon paditësit këta dy paditur t’ia paguajnë shumën prej 50.000 DM, e ndërkohë i padituri NM në emër të borxhit të vet ia ka paguar një pjesë në lartësi prej 4.000 DM, që do të thotë se kanë mbetur pa u paguar edhe 46.000 DM, gjegjësisht në kundërvlerë në euro që kap shumën prej 23.000 €. Prandaj kjo gjykatë i detyron të paditurit MM dhe NM të paguajnë solidarisht shumën prej 23.000.

Gjykata e shkallës dytë e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës parë, duke refuzuar kërkesëpadinë e paditësit. Gjykata e shkallës së dytë gjënë se në vitin 1994 është lidhur marrëveshja gojore dhe sipas vlerësimit të kësaj gjykate me lidhjen e kësaj marrëveshjeje raportet kontestuese juridiko-pronësore, që kanë ekzistuar me parë në mes të ndërgjyqësve, janë shndërruar në raporte juridiko - detyrimore dhe civile, për këtë arsye e ndryshon aktgjykimin shkallës parë dhe refuzon kërkesëpadinë e paditësit .


 

Gjykata Supreme me revizion ka vendosur ta prish aktgjykimin e shkallës parë e gjykatës së shkallës dhe ta kthej çështjen në rigjykim. Kjo gjykatë vlerëson se me aktgjykimet e kundërshtuara fare nuk është vlerësuar kërkesëpadia lidhur me të drejtën e pronësisë bazë trashëgimisë, por vetëm lidhur me marrëveshjen gojore mes paditësit dhe vëllezërve tij, paditurit MM dhe NM. Zbatimi i dispozitës nga neni 10 i LMD me aktgjykimet e kundërshtuara, për gjykatën e revizionit për tani është e papranueshme.

Nga ky përfundim del se palët kur paraqesin kërkesat alternative që të paditurit të njohin të drejtën e pronësisë në bazë të trashëgimisë ose të paguajnë kundërvlerën e pjesës që do të takonte në bazë trashëgimisë, gjykata duhet të vendos lidhur me dy kërkesat ashtu paditurit nëse nuk e plotësojnë kërkesën e parë të paraqitur, atëherë janë të obliguar të plotësojnë kërkesën e dytë alternative. Në këtë çështje juridike gjykata ka vendosur vetëm për detyrimin e të paditurve që të paditësve t'i paguajnë shumën në të holla, si kundërvlerë e pasurisë të cilën paditësit do të trashëgonin nga i ati.


Post a Comment

0 Comments

Technology