Përshkrimi i rastit:
Paditësi T.R, ka paraqitur padi për vërtetimin e pronësisë, kundër të paditurit D.P me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se paditësi është pronar i parcelave kadastrale nr. ZK , me kulturë arë livadh i klasit të V, në sipërfaqe prej 1.59.08 ha, dhe nr ZK , me kulturë arë i klasit të VI, në sipërfaqe prej 1.40.92 ha, në sipërfaqe të përgjithshme prej 3.00.00 ha, dhe të detyrohet i padituri që t’ia njoh këtë të drejtë paditësit.
Aktgjykimi i Gjykatës Komunale C. nr. 575/2004, i datës 06.02.2007
Gjykata e shkallës së parë duke vendosur lidhur me kërkesëpadinë e paditësit, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave ka ardhur në përfundim se e njëjta është e bazuar dhe ka vendosur:
“VËRTETOHET se paditësi është pronar i parcelave kadastrale nr ZK
, me kulturë livadh i klasit të V-të, në sipërfaqe prej 1.59.08 ha, dhe
parcelës kadastrale nr
ZK , me kulturë arë i klasit të VI-të,
në sipërfaqe prej 1.40.92 ha, në sipërfaqe të përgjithshme prej 3.00.00 ha, dhe
DETYROHET i padituri që paditësit
t’ia njoh këtë të drejtë.”
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se nuk ishte kontestuese në mes të palëve ndërgjyqësore fakti se parcelat kadastrale me numër dhe , janë të mbjella me jonxhe (tërfojë), dhe janë në shfrytëzim dhe posedim të qetë faktik të paditësit që nga viti 1988, e gjerë më tani.
Në cilësi të provës materiale ka administruar kontratën
private të shitblerjes e lidhur me datë 14.08.1988, në bazë të së cilës
ka vërtetuar se i padituri
i ka shitur paluajtshmëritë kontestuese paditësit në shumë prej
145.000,00 CHF. Ka shtuar se kjo kontratë është lidhur në Zvicër dhe në të
është përcaktuar jo me numra të parcelave meqenëse palët kanë qenë jashtë
vendit, por paluajtshmëritë i kanë përcaktuar gjeografikisht në këtë mënyrë: “paluajtshmëria është shitur prej rrugës e
cila e ndanë me tokën tjetër të djemve të Gj, dhe deri ku është kufizuar
Ka shtuar se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar në mënyrë të padyshimtë se paditësi në vitin 1988, i ka blerë nga i padituri paluajtshmëritë kontestuese, dhe se paditësi menjëherë ka hyrë në posedim të qetë dhe faktik, në të cilin posedim ndodhet edhe tani, i papenguar dhe i pa shqetësuar nga askush, dhe po ashtu i padituri i ka kërkuar paditësit edhe një çmim shtesë në vlerë prej 10.000,00 CHF, për të cilin çmim ishte pajtuar paditësi, duke e paguar në muajin maj të vitit 2006.
Nga të cekurat më lartë, gjykata ka shtuar se posedimi i
paditësit kualifikohet si posedim i ndërgjegjshëm, me mirëbesim dhe i ligjshëm,
kjo për shkak se posedimi është i ndërgjegjshëm nëse nuk e din, ose sipas
rrethanave normale të rastit nuk ka mundur ta dijë se sendin të cilin e posedon
nuk është i tij, çka do të thotë se paditësi tërë kohën është sjellë si pronar,
me bindje se e mbanë tokën e tij. Tutje ka shtuar se posedimi është i ligjshëm
kur bazohet në ndonjë punë të vlefshme juridike që nevojitet për fitimin e
pronësisë, e që në rastin konkret si pune e vlefshme juridike është kontrata e
shitblerjes e lidhur në mes palëve ndërgjyqëse, e cila është realizuar në tërësi, andaj paditësi përveç
kësaj, të drejtën e
pronësisë e ka fituar edhe sipas dispozitës ligjore të nenit
20 paragrafi 1 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore
Pronësoro-Juridike në të cilin përcaktohet se: “e drejta e pronësisë fitohet sipas vetë ligjit, në bazë të veprimit
juridik dhe me trashëgimi”, lidhur me nenin 28 paragrafi 2 të Ligjit mbi
Marrëdhëniet Themelore Pronësoro-Juridike në të cilin përcaktohet se: “Mbajtësi me mirëbesim dhe i ligjshëm i
sendit të paluajtshëm, mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë fiton të
drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrim fitues me kalimin e kohës prej
dhjetë vjetësh”.
Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut, Ac. nr. 403/2007, i datës 10.12.2008
Gjykata e Qarkut si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar kishte gjetur se ankesa e të paditurit është e pabazuar.
Në arsyetim të aktgjykimit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nga gjendja e konstatuar faktike të cilën e pranon edhe gjykata ankimore, ka marrë qëndrim juridik të drejtë duke aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke theksuar se paditësi e ka fituar të drejtën e pronësisë si posedues i ligjshëm dhe i ndërgjegjshëm i paluajtshmërisë me mbajtje me kalimin e kohës mbi dhjetë vjet, në bazë të nenit 28, paragrafit 2 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Pronësoro- Juridike.
Ka shtuar se aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkeljet thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 354 paragrafi 2 i LPK-së, për të cilat shkelje gjykata ankimore kujdeset sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 365, paragrafit 2 i LPK-së, dhe po ashtu edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë se paditësi e ka fituar pronësinë në bazë të parashkrimin fitues në kuptim të nenit 28, paragrafit 2 i LMThJP-së, e ka pranuar edhe gjykata ankimore, pasi që paditësi si posedues i ligjshëm dhe me mirëbesim me mbajtje të paluajtshmërisë në posedim të pandërprerë që nga data 14.08.1988, e deri në momentin e parashtrimit të padisë me datë 05.07.2004, por edhe më tani e tutje e ka shfrytëzuar pa u penguar nga askush.
Aktvendimi i Gjykatës Supreme Rev. nr. 275/2009, i datës 04.07.2012
Gjykata Supreme, duke vepruar sipas revizionit të të paditurit, ka gjetur se i njëjti është i bazuar, ashtu që aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta i ka prishur, duke e kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.
Në arsyetim të aktvendimit ka theksuar se duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes Gjykata Supreme tani për tani nuk mund ta pranojë një qëndrim të tillë të gjykatave të instancave më të ulëta si të drejtë dhe të ligjshëm, sepse aktgjykimet janë marrë në zbatim të gabuar të së drejtës materiale për të cilin shkak ka mbetur pa u vërtetuar gjendja faktike, dhe nuk ka kushte për ndryshimet e këtyre aktgjykimeve, andaj edhe është dashur të prishen, dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Ka shtuar se qëndrojnë thëniet në revizion se gjykatat e instancave më të ulëta të drejtën e paditësit e pranojnë në dy baza juridike, dhe atë në bazë të kontratës interne të shitblerjes dhe në bazë të posedimit të ndërgjegjshëm në kuptim të dispozitës së nenit 20, paragrafit 1, lidhur me nenin 28, paragrafin 2 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Pronësoro-Juridike. Andaj nga të cekurat e më lart ka shtuar se, një e drejtë nuk mund të fitohet duke e mbështetur kërkesëpadinë në dy ose më tepër baza juridike, dhe se gjykata në rigjykim duhet që nga paditësi të kërkojë që kërkesëpadinë e tij ta drejtojë në një bazë juridike, dhe të vërtetojë faktet me provat e nevojshme.
Komente përmbledhëse të vendimeve të rastit:
Gjykata e shkallës së parë ka vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë duke i njohur paditësit të drejtën e pronësisë mbi dy baza juridike dhe atë me punë juridike dhe me parashkrim fitues, ndërsa gjykata e shkallës së dytë e ka konfirmuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Gjykata Supreme nuk e ka pranuar përfundimin e gjykatave të instancave më të ulëta duke vë theksin në rrethanën se pronësia mund të fitohet vetëm mbi një bazë juridike dhe gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosje për themelësinë e kërkesëpadisë të tregojë vetëm një bazë mbi të cilën sipas vlerësimit të gjykatës paditësit ka fituar të drejtën e pronësisë.
Gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se paditësi e ka ftuar të drejtën e pronësisë mbi bazën e punës juridike, mirëpo një përfundim të tillë Gjykata Supreme nuk e ka pranuar për faktin se në shkresat e lëndës nuk është konfirmuar se ka ekzistuar një punë juridike formale, e legalizuar dhe e regjistruar në organin përkatës.
Është praktikë gjyqësore që transaksionet jo formale nuk mund të konsiderohet si punë e vlefshme juridike për bartjen e pronësisë. Në këtë kontekst theksohet se një punë e vlefshme juridike për bartjen e pronësisë mund të konsiderohet e tillë vetëm në rastin kur e njëjta në procedurë jashtëgjyqësore shërben për bartjen e pronësisë me regjistrimin tek organi përkatës. Nuk mundet gjykata t’ia pranojë pronësinë një subjekti duke konsideruar punën juridike si bazë për bartjen e pronësisë, sepse puna juridike nëse është e vlefshme për bartjen e pronësisë nuk i nënshtrohet procedurave gjyqësore. Transaksionet jo formale sipas praktikës gjyqësore mund të shërbejnë vetëm si rrethanë për të konfirmuar mirëbesimin e posedimit.
Nga ky rast nxjerrët edhe një konstatim i rëndësishëm për praktikën gjyqësore që gjykata zhvillon një proces faktik të provuar, në atë mënyrë të faktet e konstatuara duhet domosdoshmërisht të kualifikohen vetëm mbi një bazë për themelësinë e kërkesëpadisë. Nuk është e zakontë që faktet e njëjta të kualifikohen mbi dy baza ligjore.
Burimi: Gjykata Supreme
0 Comments