Header Ads Widget

Shpikësit që na ndryshuan jetën

 Janë njerëzit që vunë trurin në punë për t‘ u bërë të pasur, por edhe për të lehtësuar ekzistencën e njerëzimitKëtë pranverë, Institucioni i Shpikësve Amerikanë ka përgatitur një ceremoni të veçantë për nder të grave dhe burrave, gjenialiteti i të cilëve ndryshoi për mirë mënyrën tonë të jetesës. Bëhet fjalë për shpikje të objekteve që janë shumë të zakonshme për ne, por që për epokën kur dolën në dritë, ishin një revolucion. Më poshtë po rendisim disa prej këtyre gjenive, që pavarësisht kombësive kishin edhe nënshtetësi amerikane. Walter Hunt: Paramanat Ideja lindi në vitin 1849, kur Hunt, një shpikës njujorkez bërtiti "Eureka" teksa po përdridhte një copë tel me duar në dyqanin e tij. Pasi e regjistroi si shpikje të tijën gjilpërën e famshme, ai i mori zyrës së patentave 15 dollarë për të larë borxhet e ngutshme, duke hequr dorë nga të ardhurat e mëdha që do të kishte mbledhur në rast se do të dinte të menaxhonte më mirë situatën. Një nga gazetaret më të famshme amerikane të çështjeve të modës e konsideron shpikjen e paramanës si një evolucion të madh në botën e veshjeve. Ajo është njëherazi praktike dhe ornamentale, ka sensin e rrezikut, por edhe joshjen e një objekti estetik. Megjithëse shpikësi i shkretë vdiq i varfër, ai, falë paramanës, mban famën e njërit prej shpikësve më të rëndësishëm të periudhës viktoriane. Beulah Henry: Makina e akullores Beulah Henry lindi në Tennessee, në vitin 1887 dhe mori nofkën "Zonja Edison", për shkak të karrierës shumë të begatë si shpikëse. Kur vdiq në vitin 1973 kishte "sjellë në jetë" 110 shpikje, 49 prej të cilave kishin patentë. E para ndër to ishte ajo e makinës së akulloreve, që e mori në vitin 1912. Më pas, ajo shpiku edhe makinën qepëse pa bobinë, një lloj çadre që nuk e pati jetën të gjatë, një çantë dore që i ndërrohej pjesa e jashtme në varësi të veshjes dhe një sfungjer të mbushur me sapun për fëmijët. Ishte një nga gratë e para që përfitoi nga shpikjet e shumta. Në moshën 37-vjeçare ishte presidente e dy kompanive. Ajo nuk u martua kurrë dhe kohën e lirë, kur nuk merrej me shpikje, ia kushtonte pikturës dhe bamirësive. Garret Morgan: Semaforët dhe maska e gazitIshte një nga autodidaktët më të suksesshëm dhe ndër njerëzit më të talentuar. Morgan lindi në Kentucky, në vitin 1887. Në moshën 20-vjeçare bënte eksperimente me pajisjen e frymëmarrjeve. Në vitin 1914 shpiku një maskë, e cila do t‘ u shërbente zjarrfikësve që të merrnin frymë edhe në një situatë të rënduar tymi. Bëhet fjalë për kundërgazin e parë. Provën e parë e pati në një minierë, ku falë shpikjes së tij u shpëtuan shumë jetë njerëzish. Veç kësaj, ai vendoi që të gjente një zgjidhje edhe për trafikun rrugor. Si rezultat u shpik semafori i parë, që fillimisht funksiononte me gaz. Bëhet fjalë për vitin 1868, ku semafori operonte pa ngjyra, vetëm me një "stop" dhe "vazhdo". Më pas, ai mendoi idenë e përdorimit të ngjyrave dhe shpikjen ia shiti "General Electric" për 40 mijë dollarë, një shumë e konsiderueshme për kohën. Samuel Colt: Revolveri Ishte një objekt që u programua të prodhohej në masë. Deri në çastin e shpikjes së tij, pushkët prodhoheshin me dorë dhe nga ustallarë të kualifikuar e për më tepër për një kohë të gjatë. Bëhet fjalë për vitin 1839. Në Shtetet e Bashkuara në ato kohë kishte një nevojë të madhe për armatime dhe shpikja e Colt përshpejtonte punën, sepse pjesët e revolverit mund të prodhoheshin në punishte dhe në seri, e më pas të bëheshin bashkë. Dhe mbi të gjitha, për prodhimin e armës nuk duheshin zanatçinj të kualifikuar. Fitimet ishin kolosale. Me patentën e revolverit, Colt vdiq shumë i pasur. Gjithsej la pas 15 milionë dollarë. Lewis Waterman: Stilografi Ai është njeriu që shpëtoi botën nga ferri i penave dhe bojës. Lindi në Nju-Jork, në vitin 1837. Ai e nisi karrierën si mësues, marangoz dhe shitës librash, para se të vendoste të bëhej shitës sigurimesh. Një ditë, ndërsa po përgatitej të priste një klient të rëndësishëm, iu derdh boja në të gjitha dokumentet e punës dhe si pasojë humbi edhe klientin. Në atë çast të vështirë u betua që t‘ i gjente zgjidhje njëherë e përgjithmonë kësaj çështjeje. Kështu, iu fut punës që të nxirrte në dritë një objekt shkrues që të ishte me bojë, por të mos derdhej më dhe pas pak kohësh "lindi" stilografi. Shpikësi themeloi "Ideal Pen Company", e cila në fillim të shekullit shiste mbi 1000 stilografë në ditë. John Deere: Plugu Në vitin 1863, John Deere, biri i një rrobaqepësi, braktisi familjen e tij në Vermont të SHBA-së për t‘ i shpëtuar falimentimit të ndërmarrjes. La pas gjashtë fëmijë dhe bashkëshorten. Vendosi të shkonte në Ilinoi për të kërkuar punë dhe me të mbërritur vuri re se aty kishin shumë nevojë për kovaçë. Fshatarëve u duheshin mjete që të punonin tokën, sepse nuk po gjenin derman me plugjet e vjetra e primitive. Kështu Deere vendosi që të vriste mendjen e të gjente një zgjidhje të mirë për ata. Nuk shkoi shumë dhe mendja i punoi mprehtë, pasi prodhimi i metaltë që i doli nga duart ishte ndër më të mirët dhe më të vlefshmit. Fillimisht shiti 75 plugje në vit, më pas numri u rrit në mënyrë të konsiderueshme, derisa më në fund ai bëri një pasuri të madhe, me të cilën lau borxhet e ndihmoi edhe familjen. Nga njeri i falimentuar, Deere është një nga prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve bujqësore në Amerikë, duke u renditur në vendin e 98 të 500 personave më të pasur në vend. Dr. Robert Adler: Telekomanda Shkencëtari austriak, Adler, është shpikësi i telekomandës, e cila është pjesë e pandashme e jetës sonë. Fillimisht atij iu kërkua një objekt që të mund të hiqte nga ekrani reklamat e mërzitshme të disa stacioneve televizive. Kjo ndodhi në vitin 1950. Pas shumë pune, ai pati sukses vetëm në vitin 1956. Modeli fillimisht ishte ai i një telefoni që lidhte telekomandën me aparatin televiziv, por më pas edhe teli doli jashtë përdorimit. Adler vdiq një vit më parë dhe veç patentës së telekomandës kishte edhe 180 të tjera. Atij i takon merita e teknologjisë SAW e cila përdoret sot gjerësisht dhe që funksionon me vendosjen e gishtit në ekranin e një kompjuteri për të kryer veprimet. Josephine Cochran: Pjatalarësja Larja e pjatave ka qenë pa dyshim ankthi i të gjitha shtëpiakeve, derisa një ditë situata ndryshoi. Në vitin 1886, Cochran, gruaja e një politikani ndryshoi gjithçka. Një natë, kishte organizuar një mbrëmje në shtëpinë e saj. Pasi pjatat dhe gotat ishin pastruar, në mbrëmje dëgjoi një bisedë që vinte nga dhoma e shërbëtorëve. Ato ishin të shqetësuara për thyerjen e një servisi pjatash, të cilin zonja e kishte shumë për zemër. Në atë çast, ajo vendosi që t‘ i jepte vetë një zgjidhje problemit. Së bashku me një mikun e saj inxhinier vendosën që të shpiknin një makineri, e cila të lante pjatat dhe të mos i thyente sigurisht. Idenë e tyre ata e shfaqën në Ekspozitën Botërore në Nju-Jork, në vitin 1893, një eveniment në të cilin shfaqeshin të gjitha shpikjet e vitit në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse të gjithë e admiruan shpikjen, autorja dhe ideuesja nuk do të jetonte dot aq gjatë sa ta shihte atë të kthehej në një nga objektet e pamungueshme të kuzhinave kudo në botë. Vetëm në vitin 1950, kur uji i nxehtë u bë i mundshëm në familje në mënyrë masive, edhe pjatalarësja u kthye në një objekt të zakonshëm. Gail Borden Jr: Qumështi i kondensuar Njujorkezi Borden ishte një pronar gazete para se t‘ i jepej tërësisht fushës së shpikjeve. Për sa i përket qumështit të kondensuar, ideja i erdhi nga një udhëtim jo shumë fatlum në një anije me avull, kur pa disa fëmijë të vdisnin për shkak të mungesës së qumështit të freskët. Në atë çast vendosi që të gjente një mënyrë tjetër të ruajtjes së qumështit dhe ushqimeve në përgjithësi. Kështu ai zbuloi se nxehja e qumështit nën një presion të madh, bënte që uji të avullonte nga lëngu i bardhë dhe në fund të mbeste një substancë e trashë dhe e ëmbël që mund të qëndronte në atë gjendje, e padëmtuar për vite me radhë. Ky zbulim u bë në kohën e Luftës Civile dhe u shërbeu ushtarëve gjatë atyre viteve. Ai ishte një ushqim lehtësisht i transportueshëm dhe me vlera. Harvey Firestone: Gomat e makinave Kohë më parë, rrotat kishin rrethore të drunjta, më pas ato u bënë metalike. Por të dyja nuk ishin zgjidhja e duhur për të mbrojtur rrotat dhe makinën nga tronditja e rrugëve. Me shpikjen e biçikletës u shpikën edhe kornizat e lëkurta e më pas ato prej gome të trashë. Por tubi i brendshëm pneumatik u ëndërrua fillimisht nga Xhon Dunlop, një veteriner skocez, në vitin 1888. Ndërkohë goma me formën që ka sot vjen nga Firestone, një djalë nga Ohajo, i cili punonte në industrinë e gomave prej kohësh, para se të themelonte kompaninë "Firestone Tire" dhe "Rubber Company" në vitin 1900. Ishte ideja e tij që gomën ta zëvendësonte me një pjesë pneumatike. Ai u takua me Henri Fordin në 1895-ën, vitin kur ai po merrej me ndërtimin e makinës së tij të parë. Qëndruan në kontakt për disa vjet, derisa në vitin 1905, Ford vendosi që të instalonte në automjetin e tij gomat pneumatike të Firestonit. 30 vitet që pasuan, Firestone ngriti një nga bizneset më të mëdha, jo vetëm të gomave në botë. Së bashku me Fordin dhe Thomas Edisonin, tre drejtuesit e industrisë amerikane, që më pas u bënë edhe miq, formuan "Klubin e Milionerëve" dhe të gjitha pushimet i bënin bashkë. Firestone vdiq në gjumë, në vilën e tij të Floridas, në vitin 1938. Ferdinand von Zeppelin: Anija fluturuese Lindi në vitin 1838, në Baden të Gjermanisë dhe ishte njeriu që revolucionarizoi fluturimin, duke ndërtuar një anije fluturuese me skelet metalik, çka presupozonte se ajo do të mund të mbante një ngarkesë më të madhe. Fillimi ishte shumë i vështirë me një numër të madh dështimesh, madje Zeppelin, pasi mbaroi të gjithë pasurinë e bashkëshortes dhe kredinë e madhe që kishte marrë në bankë, nënshkroi edhe falimentimin e biznesit. Por durimi dhe këmbëngulja do t‘ i shpërblehej. Duke qenë se eksperimentet e tij ndiqeshin në të gjithë vendin, pas dështimit, një valë simpatie e të gjithëve iu kthye në mbështetje jo vetëm morale, por edhe financiare. Admiruesit e veprës së tij ngritën fondacionin "Zeppelin", i cili ndihmoi në suksesin e eksperimenteve. Anijet fluturuese u përdorën edhe gjatë luftërave botërore për transport. Fatkeqësisht, konti Zeppelin, i cili vdiq në vitin 1917, nuk jetoi aq gjatë sa të shihte suksesin e shpikjes së tij, madje edhe udhëtimin e famshëm përreth botës, në vitin 1929. Clarence Birdseye: Ushqimet e ngrira Si do t‘ i kishte vajtur halli ushqimeve të shkollave, apo institucioneve të tjera masive, ku njerëzit hanë në mensa të mëdha, pa shpikjen e Clarence. Gjatë një vizite në Labrador, të Kanadasë, Birdseye vuri re se mbajtja e ushqimeve në një temperaturë poshtë zeros mund t‘ ua ruante gjatë ushqimet shtëpiakeve, duke i mbajtur njëherazi edhe të freskëta. Me t‘ u kthyer nga udhëtimi, themeloi një kompani që shiste makineri për ngrirjen e shpejtë, një shpikje që u patentua shumë shpejt. Më pas vendosi që veç makinerive, të shiste edhe prodhime ushqimore të ngrira dhe që nga ajo kohë, ky lloj ushqimi është shumë i përhapur në botë. Gideon Sundback: Zinxhiri Inxhinieri elektrik që kishte lindur në Suedi, ndryshoi mënyrën e veshjes së njerëzve, kur në vitin 1913 modifikoi të ashtuquajturin "togëza e çelësit". Ai i shtoi më shumë dhëmbëza kësaj forme embrionike të zinxhirit dhe për këtë ndërtoi një makinë të posaçme që prodhonte zinxhirë. Termi "zinxhir" u përdor më vonë se shpikja në fjalë dhe autori i tij është BF Goodrich, i cili e përdori në vitin 1923. Në 1934-ën, një kompani japoneze e quajtur YKK mori në dorë supremacinë e prodhimit të zinxhirëve, që në njëfarë mënyre e ka edhe sot. Fillimisht zinxhirët ishin shumë të përdorshëm në veshjet e fëmijëve, më vonë u përdorën edhe nga të rriturit dhe në vitin 1937, ai zëvendësoi në një masë të gjerë kopsat. Sot është shumë popullor, sidomos në veshjet dhe pantallonat. Douglas Engelbart: Mausi i kompjuterit Në aplikimin e tij për patentë, Engelbart e përshkruante kështu shpikjen e tij: "pozicion X-Y indikator për një sistem të përshkruar". Rreth 40 vjet më pas, shprehja e mësipërme që nuk ka kuptim për të gjithë, sot njihet me emrin "mi". Fillimet e "miut" janë modeste. Ai kishte formën e një guaske të drunjtë me dy rrota metalike, por ishte pikërisht miu ai që e transformoi kompjuterin në një makineri të specializuar e shumë më praktike për përdorim. Mori emrin mi për shkak të bishtit të gjatë dhe formës së brejtësit. G.Shqip


Post a Comment

0 Comments

Technology