Lidhja kauzale apo shkakore [Kauzalna ili uzročna veza; Causal link; Kausalzusammenhang] - nënkupton lidhshmërinë objektive midis veprimit apo mosveprimit të personit dhe veprës penale, përkatësisht pasojës së shkaktuar. Kjo lidhje paraqet edhe bazën e përgjegjësisë penale për personin që dyshohet për veprën penale, ku përtej elementeve të përgjegjshmërisë dhe fajësisë duhet të provohet se ekziston lidhja veprim (mosveprim) i personit - pasojë. KPK në nenin 20 e përkufizon lidhjen kauzale apo shkakësore si në vijim: “Personi nuk është penalisht përgjegjës kur midis veprimit ose mosveprimit të tij dhe pasojës mungon lidhja shkakore”. Në praktikë lidhja kauzale provohet në bazë të fakteve që kanë ndodhur, dhe kjo lidhje ekziston vetëm nëse konstatohet pa asnjë dyshim se pasoja, që është përcaktuar si tipar i veprës penale është rezultat i drejtpërdrejt i veprimit apo mosveprimit të personit.
0 Comments