Anulohet procesi i përzgjedhjes së noterëve
Prishtinë, 20/02/2020 - Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mbajti konferencë për media për të njoftuar publikun në lidhje me vendimin për anulim të procesit të përzgjedhjes së noterëve.
Duke folur për këtë proces që u shoqërua me mungesë transparence e objektiviteti Ministrja Haxhiu tha: “Unë nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është përcjellë me parregullsi dhe humbje të besimit. Unë nuk mund të shtyjë përpara një proces, nga i cili shumë prej kandidatëve janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të Komisionit për provimin e Noterisë”.
Për këtë proces të parregullt kanë reaguar jo vetëm organizata të shumta të shoqërisë civile, por edhe vende partnere të cilat kanë deklaruar se nuk do të njohin noterët e dalur nga ky proces.
Përveç kësaj Ministrja e Drejtësisë mori vendim edhe për shfuqizimin e emërimit të anëtarëve të Komisionit për provimin e noterisë të cilët sipas ligjit kanë pasur mandat 3 vite.
Anulimi i këtij procesi nga Ministrja e Drejtësisë garanton që puna e kësaj Ministrie do të udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë e transparencës si dhe është sinjal i qartë, që procese të tilla, asnjëherë më nuk do të përsëriten. Secili organizim i Ministrisë së Drejtësisë do të ketë ligjshmëri, rregull, transparencë e objektivitet.
0 Comments