Aktgjykim
Përmbledhje
KO43/19, Parashtrues: Albulena Haxhiu, Driton Selmanaj dhe tridhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë
KO43/19, Aktgjykim i 13 qershorit 2019, publikuar më 27 qershor 2019
Fjalët kyçe: kërkesë institucionale, kompetencat e Kuvendit, kompetencat e Qeverisë dhe kompetencat e Kryeministrit, ndarja e pushtetit, vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit
Kërkesa ishte parashtruar nga tridhjetë e dy (32) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës bazuar në nenin 113 paragrafi 5 i Kushtetutës. Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 1, 2, 4, 10 (paragrafi 4 nën-paragrafët 1 dhe 2) dhe 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë (Ligji i kontestuar). Parashtruesit e kërkesës pretenduan se Ligji i kontestuar, në tërësi, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, përkatësisht se nuk është në pajtueshmëri me nenin 2 [Sovraniteti], nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare], nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit], nenin 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe nenin 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës.
Në kuadër të Ligjit të kontestuar ishte paraparë themelimi i delegacionit shtetëror, fushëveprimi i tij, si dhe ishte përcaktuar hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Më tej me këtë Ligj, ishte rregulluar dhe funksionimi i delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë, dhe për të njëjtin ishte paraparë struktura organizative, veprimtaria, si dhe kompetencat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror.
Parashtruesit e kërkesës në thelb para Gjykatës kishin tri pretendime kryesore: (i) përcaktimi dhe ndryshimi i hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë; (ii) kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror ndërhyjnë drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe (iii) dhënia e karakterit lex specialis Ligjit të kontestuar. Parashtruesit e kërkesës po ashtu kërkuan dhe vendosjen e masës së përkohshme.
Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesve është e pranueshme në bazë të kritereve të përcaktuara me Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese. Në shtjellimin e meritave të kërkesës, Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës rreth: (i) përcaktimi dhe ndryshimi i hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë, dhe (ii) kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror ndërhyjnë drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, dhe gjeti si në vijim:
Gjykata konstatoi, se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë, dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror, nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve dhe nuk mund të ndërhyjë në formën e qeverisjes, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.
Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë. Bartja e kompetencave tek “mekanizimi i posaçëm”, paraqet ndërhyrje në formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit, si dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i mvesh Delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me normat kushtetuese.
Gjykata po ashtu konstatoi se me normat kushtetuese, në mënyrë shprehimore është paraparë obligimi lidhur me ushtrimin e kompetencave kushtetuese në sferën e politikës së jashtme për institucionet kompetente. Kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të bartet tek delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar.
Me tutje, Gjykata konstatoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, si dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri si i pari i Qeverisë “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo kompetence është e përcaktuar me Kushtetutë, dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu konkludoi se kompetenca për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk mund të bartet ose transferohet nga institucionet kushtetuese në një “mekanizëm të posaçëm“ siç parashihet me Ligjin e kontestuar.
Gjykata njëzëri, vendosi që nenet 1 (paragrafi 1), 2, 4, 10 (paragrafi 4, nën-paragrafët 1 dhe 2), dhe neni 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1, të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, meqë nenet thelbësore të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, i njëjti, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën.
Parashtruesit:
Albulena Haxhiu, Driton Selmanaj dhe tridhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Lloji i kërkesës:
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Lloji i aktit:
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese

0 Comments