Header Ads Widget

Konflikt interesi për noterët: Provimin e kalon reja e kryetarit të Komisionit Vlerësues, Nehat Idrizi

Konflikt interesi për noterët: Provimin e kalon reja e kryetarit të Komisionit Vlerësues, Nehat Idrizi

E marta ka qenë dita e fundit për ankesa për kandidatët e pakënaqur me rezultatet e publikuara në fillim të kësaj jave, në provimin me shkrim për noterë.
gjithsej 584 kandidatë, të ndarë në tri grupe nga përafërsisht 200, që i ishin nënshtruar provimit, 214 prej tyre e kanë kaluar.
Paraprakisht, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte emëruar anëtarët e komisionit dhe zëvendësit e tyre për këtë provim, ndërsa kryetar ishte caktuar ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tani gjyqtar, Nehat Idrizi.
Përbërja e Komisionit:
Nehat Idrizi – gjyqtar - kryetar i komisionit
Merita Kostanica – notere – anëtare e komisionit
Haxhë Qorraj – noter – anëtar i komisionit
Nerxhivane Dauti – profesoreshë - anëtare e komisionit
Elbasan Dervishaj – drejtor i Dep. për Profesione të Lira, MD – anëtar i komisionit
Sekretar i komisionit: Labinot Gashi –Dep. për Profesione të Lira, MD 
Në listën e kandidatëve që e kanë kaluar provimin është edhe Gentiana Bajraktari, e cila është e martuar me djalin e kryetarit të komisionit, Idrizi.
Gjithashtu, në listën e kandidatëve që e kanë kaluar provimin me shkrim, është edhe Florida Kostanica, për të cilën burime të KTV-së kanë bërë të ditur se është familjare e anëtares së komisionit, noteres Merita Kostanica.

Përkitazi me udhëzimin administrativ për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit për noterinë, saktësisht pikën 3 të nenit 6, në një situatë të tillë, anëtarët e komisionit obligohen që me shkrim të njoftojnë sekretarin e komisionit, para mbajtjes së provimit.
As Idrizi e as Kostanica nuk janë përgjigjur në interesimin e KTV-së për të marrë përgjigje nëse e kanë bërë një gjë të tillë.
Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se ka pasur disa anëtarë që ishin në konflikt interesi dhe që e kishin njoftuar sekretarin për këtë.
“Sa i përket çështjes së konfliktit të interesit, jua bëjmë me dije se në këtë fazë vlerësimi i testeve të kandidatëve është bërë në mënyrë të koduar, megjithatë për t’u shmangur nga situatat e konfliktit të interesit, ekzistojnë procesverbale, ku disa nga anëtarët e komisionit e kanë deklaruar situatën e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht nga sekretari i komisionit janë eliminuar këto situata”, ka thënë në një përgjigje, zyra për Komunikim Publik në Ministrinë e Drejtësisë.
Pyetjet shtesë se për cilët anëtarë të komisionit bëhet fjalë dhe se në çfarë forme është shmangur konflikti i interesit kanë mbetur pa përgjigje.
Në mesin e atyre që e kanë kaluar provimin është edhe bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Shemsie Istogu – Lladrovci.
Burime të KTV-së kanë folur edhe për situata të tjera të dyshimta në kohën sa është mbajtur provimi me shkrim, si raste kur kandidatë kanë dorëzuar punimet e tyre brenda minutave, për detyra që marrin orë për t’u zgjidhur e në fund kanë rezultuar që e kanë kaluar provimin.

Post a Comment

0 Comments

Technology