Header Ads Widget

Skandaloze: Ekstremisti serb emërohet kryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që serbi Nikolla Kabashiç të jetë kryetar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Me shumicë votash, Kabashiç është caktuar në këtë post në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.
Kjo është pjesë e marrëveshjes për drejtësinë mes Prishtinës dhe Beogradit, ku ditë më parë 40 gjyqtarë serbë dhe 13 prokurorë janë integruar në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Sipas kësaj marrëveshje të arritur në shkurt të vitit 2015, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë duhet të jetë serb.
Po kush është në të vërtetë Nikolla Kabashiç?
Gjyqtari nga Mitrovica, prej përfundimit të luftës, ka qenë pjesë e strukturave paralele të financuara nga Beogradi në pjesën e okupuar në veri të Kosovës.
Sipas një hulumtimi të portalit Konica.al, më shumë sesa gjykatës, Kabashiç pati bërë emër me lidhjet e tij të afërta me grupet ekstremiste serbe që vepronin në veri të qytetit të Mitrovicës.
“Ne jemi të gatshëm, ne jemi të armatosur, ne duam të qëndrojmë këtu”, thoshte Kabashiç për mediat serbe në shkurt të vitit 2000, kur ekstremistët serbë dëbuan me dhunë 12 mijë shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës.
Ai do të vazhdonte të ishte zëdhënës i grupeve nacionaliste serbe gjatë tërë kohës.
Më 17 mars 2008, një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ekstremistët serbë u përleshën me policinë e UNMIK-ut dhe trupat e KFOR-it në veri të Kosovës, duke plagosur mbi 60 zyrtarë ndërkombëtarë.
Gjykatësi serb Nikolla Kabashiç ishte në mesin e protestuesve të dhunshëm, të cilët nuk kursyen as armët e zjarrit.
Vlen të kujtojmë se gjatë këtyre përleshjeve një polic ukrainas gjeti vdekjen, kurse u plagosën 27 oficerë policorë polakë, 14 ukrainas si dhe 20 ushtarë francezë.
Pavarësisht kësaj të kaluare, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i besoi Nikolla Kabashiçit detyrën e institucionit më të rëndësishëm gjyqësor në veri, prej të cilit pritet sundimi i ligjit dhe vendosja e drejtësisë

Post a Comment

0 Comments

Technology