Header Ads Widget

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar 6 projektligje në fushën e drejtësisë

E udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të gjashtën me radhë në të cilën ka miratuar gjashtë projektligje dhe vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë të cilin e ka aprovuar në mbledhjen e sotme ishte autorizimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i emëruar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr. 01/04, të datës 22.09.2017, që të bëjë vlerësimin e punës së Komisionit të mëparshëm Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Komisioni do të përgatisë Raportin për të gjeturat dhe rekomandimet për procesin brenda afatit optimal. 
Projekt kodi i drejtësisë për të mitur, i cili ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar, rregullon procedurën penale për të miturit, shqiptimin e masave ose dënimeve me qëllim që realizimi i interesit te të miturit kur këtë e kërkojnë arsyet. 
Garantimi dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të të miturve janë të parapara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën për të drejtat e fëmijës dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për procedurën jo-kontestimore, i aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës, harmonizon legjislacionin në këtë fushë dhe eviton pengesat dhe vështirësitë në zbatimin e tij. Me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit, kompetencat për kryerjen e të gjitha procedurave jo-kontestimore dhe trashëgimore barten nga gjyqtarët te noterët.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndërmjetësim. 
Ky projektligj rregullon mënyrën, funksionimin, procedurën dhe organizimin e ndërmjetësimit si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve. Kjo bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve dhe kontesteve midis palëve. Projektligji është në pajtueshmëri me legjislacionin evropian.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për noterinë. Projektligji rregullon organizimin, kushtet për ushtrimin e detyrës së noterit, provimin e noterisë, kompetencat e noterit si dhe çështjet tjera me rëndësi për ushtrimin e detyrës së noterit në territorin e Republikës së Kosovës.
Edhe Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik është aprovuar nga Qeveria. Ky Projektligj forcon integritetin dhe garantimin e kryerjes së detyrave publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente të zyrtarëve publik. Qëllimi i Projektligjit është që të identifikojë, parandalojë, menaxhojë dhe zgjidh konfliktin e interesit të zyrtarëve publik.
Projektligji i fundit që mori aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ishte Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trashëgiminë në Kosovë. Projektligji harmonizon legjislacionin që ndërlidhet me fushën e trashëgimisë dhe eliminon pengesat dhe vështirësitë e tij në zbatim. Ndryshimet dhe plotësimet autorizojnë noterët në kryerjen e disa funksioneve në fushën e trashëgimisë dhe përfshirjen e organit të kujdestarisë në dhënien e lejes për heqjen dorë nga trashëgimia në emër të të miturve.

Post a Comment

0 Comments

Technology