Header Ads Widget

Prokuroria: Nuk ka prova që i lidhin drejtpërdrejt të akuzuarit me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjatë administrimit të provave në rastin e sulmit kundër Kuvendit të Kosovës, për çka akuzohen katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, tha se nga ekspertiza e ADN-së, ekspertiza daktiloskopike dhe provat e tjera, nuk ka ndonjë provë që i lidhë direkt të akuzuarit me kryerjen e veprës.

Prokurori tha se raport FBi-së nuk ka mundur të vërtetojë që të akuzuarit janë ata persona fotot e të cilëve prokuroria i ka çu për krahasim.
Sipas tij, FBI ka thënë se këto foto nuk janë të mjaftueshme për me dhënë konstatim.
Prokurori u arsyetua se kualiteti ka qenë i dobët për shkak se janë foto të kamerave të qytetit dhe se ka qenë natë.
Pas deklaratës së prokurorit, avokati i të akuzuarit Atdhe Arifi, Ramiz Krasniqi, tha se nuk di se çfarë i mbetet mbrojtjes të deklarojë kur prokurori të gjitha provat që i prezantoi janë prova shfajësuese.
“Dhe kjo është sjellje profesionale e prokurorit që zbatoi dispozitat e kodit të procedurës që t’i propozojë edhe provat shfajësuese”, tha avokati Krasniqi.
“Unë do të vazhdoj aty ku e la prokurori që ta bind trupin gjykues se ky rast nuk ka prova. Mjafton të lexohet raporti i fundit i FBI-së që thotë se s’ka prova që vërtetojnë praninë e të akuzuarve në lokacionin e videoregjistruar”, shtoi avokati.
Pastaj mostrat e ADN-së dhe ekspertiza e grafologjisë dhe daktilografisë janë negative dhe nuk del se të akuzuarit janë të përfshirë në këtë rast, shtoi ai.
“Mungojnë rezultat laboratorike lidhur me mjetin shpërthyes, mungojnë të dhënat nga ekspertiza e motoçikletës. Kurrë nuk e mësuam që si ndodhi që motoçikleta njëherë u djeg plotësisht e pastaj pjesërisht”, shtoi avokati Ramiz Krasniqi
“Dyshimet tona gjithmonë kanë qenë se motoçikleta është e vendosur në atë vend dhe se unë nuk dua të spekuloj se kush e ka bërë këtë”, theksoi ai.
Ndërsa, avokati Tomë Gashi tha se krejt çka është vërtetuar deri më tani është se sulmi në ndërtesën më të rëndësishme të Kosovës ka ndodhur në vendin dhe kohën e caktuar dhe atë nuk e konteston askush.
“Por, prokurori ka dështuar me prova materiale të vërtetojë se të akuzuarit e këtij rasti janë autorët e sulmit”, tha avokati Gashi.
Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.
Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016.
Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

Post a Comment

0 Comments

Technology