Problemet dhe sfidat e sistemit të drejtësisë kosovare janë paraqitur në një raport të ri të organizatës “Çohu”, raporton KTV. Transparenca e organeve të drejtësisë mbetet një prej shqetësimeve kryesore dhe është evidentuar në raportin “Qasja në Drejtësi dhe të Drejtat e Njeriut”, i nxjerrë nga një vit monitorimi i gjykatave themelore të Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Situata më problematike është me Gjykatën Themelore të Mitrovicës, që nuk po arrin të funksionalizohet plotësisht që nga viti 2008. Problematike mbetet edhe lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë, ku nga monitorimi, kanë identifikuar 85 raste, 15 prej të cilëve të profilit të lartë, ku përfshihen deputetë, ish-ministra e kryetarë komunash. Duke i përmendur tri raste kur aktakuzat janë hedhur qysh në shqyrtim fillestar, Nimoni ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë sa duhet aktakuzat e ngritura. Të gjeturat e raportit, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se duhet të vihen në funksion të zgjidhjes së vështirësive që ballafaqohen. Ndër të gjeturat e raportit, gjykatat përballen me numër të vogël të gjykatësve, që rezulton me vështirësi në krijimin e trupave gjykuese, ndërsa ka shumë raste të shkeljeve të afateve në shqyrtime fillestare, dytësore e kryesore. Gjithashtu, si shqetësim është ngritur edhe mbyllja e seancave gjyqësore të rëndësisë publike, ku janë përmendur procesi kundër ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, dhe rasti “Stenta”. Në vijim gjeni linkun ku mund ta ndiqni kronikën e plotë http://www.dailymotion.com/video/x5tc0lr/.
0 Comments